E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Nuk iki, kam mbështetjen e PD-së

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka hedhur dje poshtë të gjitha akuzat e ngritura në adresë të tij për Durrës-Kukës nga Prokuroria e Përgjithshme. Ministri Basha, në sulmin e tij të ashpër ndaj organit të akuzës u shpreh se "është rikthyer prokuroria politike". Në mbrojtje të emrit të tij, shefi i diplomacisë shqiptare pohoi se "kemi të bëjmë me një skenar politik, që janë një vepër e stisur nga zyrat e Partisë Socialiste". Duke ritheksuar se nuk do të largohet nga posti i ministrit për sa kohë ka përkrahje të plotë nga mazhoranca, shefi i diplomacisë e quajti këtë hetim një strategji shpifëse dhe antikombëtare të opozitës.

"Jam betuar t‘i shërbej vendit dhe këtë do ta bëj pavarësisht nga presionet, luftës politike dhe sulmeve që organizohen nga zyra e Edi Ramës", u shpreh Basha. Duke argumentuar pafajësinë e tij, ministri Basha veçoi se "Si mund të shkelet barazia në tender, kur përzgjedhja nuk është bërë me tender. Cili është qëllimi i këtij mashtrimi? Si mund të ketë shpërdorim detyre, kur vetë Këshilli i Ministrave ka sanksionuar veprimtarinë e kompanive përkatëse".

Ministri Basha shpjegoi se "nuk e di nëse deputetë të opozitës e morën ndonjëherë mundimin të lexojnë dokumentet përkatëse dhe të shikojnë që përzgjedhja e konsulentit nuk është bërë me tender".

Mbrojtja e qeverisë

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, në një deklaratë të posaçme për shtyp ka akuzuar prokurorinë se po përdoret politikisht, duke marrë në mbrojtje kreun e diplomacisë nën titullin ‘i pafajshëm‘. "Akuzat e formuluara ndaj ministrit Basha janë thjesht përpjekje primitive dhe të dështuara për ta shndërruar prokurorinë në një parti politike nga armiq dhe kundërshtarët e korridorit shqiptar", tha Bregu. Sipas saj, ministri nuk ka keqinformuar Këshillin e Ministrave përkundrazi qeveria ka vepruar me vetëdije të plotë në të gjitha vendimet e saj.

"Këshilli i Ministrave deklaron se në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk është keqinformuar dhe se ka disponuar informacionin e plotë dhe të nevojshëm për vendimet që ka marrë. Këshilli i Ministrave ka proceduar me vetëdije të plotë dhe përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për miratimin e të gjitha vendimeve përkatëse në lidhje me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash", citohet në komunikatën për shtyp të qeverisë. Është hera e dytë që nga brenda godinës së Kryeministrisë, ministri i Jashtëm merret në mbrojtje për akuzat e prokurorisë dhe opozitës. "Ministri Basha ka zbatuar me përpikëri, transparencë dhe përgjegjshmëri të plotë të gjitha detyrimet e tij që rrjedhin nga Vendimet e Këshillit të Ministrave për ndërtimin e rrugës", shprehet Bregu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›