E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Ministri, turp për vendin. Të largohet

Opozita i kundërpërgjigjet kryediplomatit Lulzim Basha për çështjen Durrës-Kukës. Duke u bërë protagonist i debatit në Kuvend, kampi rozë është përfshirë në një lumë deklaratash që kishin në fokus ministrin e Jashtëm. Deputeti Taulant Balla duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Jashtëm theksoi se Basha të mos vijë në Kuvend, por të shkojë në prokurori. "Në një shtet demokratik një i pandehur vete në prokurori dhe nuk jep shpjegime këtu. Në një shtet demokratik, në një moment që individi, aq më tepër kur është ministër, shpallet i pandehur, duhet liruar nga pozicionet publike që mban", tha deputeti Balla. Sipas tij, në Shqipëri kemi një njeri që akuzohet për 230 milionë euro. "Dhe ky njeri ka ende guximin që përmes kësaj foltoreje, e këtij mandati t‘i fshihet prokurorisë e të hedhë baltë në radhë të parë mbi demokracinë e vendit. Demokracia është të respektosh institucionet e ligjit. Unë dhe Lulzim Basha jemi deputetë të rinj. Nëse ndaj meje do të ishte ngritur një akuzë e tillë do të jepja dorëheqjen. Ndërsa Basha vazhdon të japë dëngla. Ai nuk duhet më të shkelë në Kuvend dhe të hedhë baltë mbi institucionet", tha Balla. Deputetja Arta Dade nga ana tjetër shtoi se "korrupsioni në qeveri është në valixhen e imunitetit të Bashës, i cili po abuzon me emrin e Shqipërisë". Sipas saj, "në këtë periudhë kur Shqipëria po firmos projekte të rëndësishme Ministria e Jashtme është në dorën e një ministri të pandehur që vijon të përfaqësojë vendin tonë duke abuzuar me pushtetin". Ndërsa deputeti socialist, Erion Braçe, deklaroi në Kuvend se Berisha po lufton prokurorinë dhe gjykatën për të mbrojtur familjen politike. Beteja mes opozitës dhe mazhorancës për hetimin e prokurorisë ka vijuar me përplasje të tjera të deputetëve të njërës dhe tjetrës palë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›