Ligji, prokuroria kundërshton Ministrinë e Drejtësisë
Kalimi në konspiracion të plotë të ligjit "Për prokurorinë" në qeveri ka ngjallur mjaft dyshime në radhët e prokurorëve, të cilët e kanë quajtur veprimin "thikë pas krahëve". Askush nuk ka denjuar të reagojë zyrtarisht për këtë veprim të qeverisë, megjithëse në shumë nene cenohet pavarësia kushtetuese e organit të prokurorisë. Sipas të dhënave konfidenciale, njerëzit e akuzës deklarojnë se në projekt-draftin e kaluar në qeveri wshtw zhdukur neni 36 i ligjit që është akoma në fuqi për imunitetin. Sipas tyre, në ligjin që kaloi në qeveri nuk do të ketë më imunitet për prokurorët, çka i bën ata të pambrojtur nga veprimet arbitrare, eventualisht të mundshme nga institucionet në varësi të ekzekutivit. "Projekt-drafti, nuk ka marrë në konsideratë sugjerimin e Shoqatës së Prokurorëve, zyrës së OPDAT që prokurorët, ashtu si gjyqtarët, të kenë të drejtën e garancisë për kthim në detyrën e mëparshme, në rast shkarkimi të padrejtë", thanë dje prokurorët. Sipas tyre, riformulimi i nenit 34, pika 2 të ligjit aktual, duke i dhënë përmbajtje tjetër në projekt-draftin që kaloi në qeveri, nuk garanton të drejtën kushtetuese të prokurorëve që ata të kthehen në detyrën që kanë pasur, në rast se shkarkimi i tyre konsiderohet i paligjshëm nga gjykata. Ata shtojnë se një tjetër pikë problematike lidhur me këtë çështje, është diskriminimi i prokurorëve. "Gjyqtarët shkarkohen nga KLD-ja, pra me një votim të shumicës së anëtarëve të KLD-së, çka do të thotë se vendimet merren kolegjialisht me shumicë votash pas një debati në këshill. Por edhe pas këtij vendimi, është Presidenti ai që dekreton shkarkimin e gjyqtarit. Ky i fundit më pas ka të drejtë të ankohet për shkarkimin në Gjykatën e Lartë, e cila mund të shfuqizojë dekretin e Presidentit për shkarkimin dhe po ashtu vendimin e KLD-së. Diskriminimi i prokurorëve është jo vetëm se ata nuk kanë të garantuar kthimin në detyrë, por edhe në faktin se e drejta e ankimit u është lënë në Gjykatën e Apelit, pra një gjykatë e ulët krahasuar me Gjykatën e Lartë, ku ankohen gjyqtarët, që në rastin e prokurorëve, duhet të shfuqizojë dekretin e Presidentit për shkarkimin e prokurorit në rast se shkarkimi rezulton i paligjshëm. Dhe në fund, pas gjithë këtyre procedurave, prokurorit i garantohet sipas projekt-draftit vetëm një shpërblim i arsyeshëm dhe jo rikthimi në detyrën që ka pasur siç u është garantuar gjyqtarëve", deklarojnë prokurorët. Sipas tyre, kthimi në detyrë i prokurorëve të shkarkuar padrejtësisht, është një e drejtë kushtetuese që përfshihet në rekomandimin e Komisionit Evropian që në vitin 2000. "Zbatimi i këtij rekomandimi dhe pasqyrimi i tij në projekt-draft do të ishte një garanci që prokurorët të ushtrojnë detyrat e tyre të pandikuar dhe të pakërcënuar me shkarkim të padrejtë nga detyra. Kjo pikë është mbështetur edhe nga Zyra e OPDAT në diskutimet që ekspertët e saj kanë bërë me grupin e punës në Ministrinë e Drejtësisë", pohojnë më tej ata.
Shoqata e prokurorëve:
Nuk jemi njohur me draftin
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve ka reaguar dje në lidhje me vendimin e qeverisë për të kaluar ligjin për prokurorinë. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës, Shkëlqim Hajdari, tha se ky organizëm dha kontributin e saj bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe misionet ndërkombëtare gjatë fazës së diskutimit të draftit në Ministrinë e Drejtësisë. Hajdari pohoi se shoqata nuk mund të komentojë këtë ligj për shkak se nuk zotëron kopje të draftit të kaluar në qeveri, por edhe për shkak se nuk dëshiron të politizojë diskutimet dhe t‘i realizojë ato jashtë rrugëve institucionale. "Shoqata ka thirrur një mbledhje të Komitetit Drejtues, i cili do të përcaktojë qëndrimin që do të mbahet, ndërsa është në pritje të Komisionit të Ligjeve për t‘u njohur me projekt-draftin, si dhe për t‘u dëgjuar në diskutimet që do të zhvillohen aty, lidhur me vërejtjet dhe sugjerimet që prokurorët kanë për projekt-draftin", përfundoi Hajdari.