E Diel, 1 Nëntor 2026

Klarens Sedorf: Në futboll ka shumë urrejtje dhe gjithçka duket si luftë

Klarens Sedorf është një nga heronjtë e Milanit. Ish-mesfushori

i Interit, Realit të Madridit dhe Ajaksit në prag të superndeshjes Juve-Milan, flet mbi racizmin dhe solidaritetin. Për të, futbolli dhe futbollistët janë ndër të parët që duhet të japin shembullin e mirëkuptimit dhe solidaritetit mes njerëzve. Po ashtu, ai mendon se kjo lojë është edhe mënyra më e mirë për të zhdukur paragjykimet mbi racizmin dhe për t‘u ndier të gjithë të barabartë, ndryshe nga sa ndodh sot, ku në futboll ka shumë urrejtje dhe gjithçka ngjason me një luftë të heshtur.

Sedorf, a mund të flasim pak për futbollin dhe përgjegjësinë sociale?

Me gjithë qejf. Le ta nisim nga një detaj i pakundërshtueshëm. Futbolli të jep një besueshmëri të madhe dhe synon të japë sinjale shumë të forta. Ka nga ata që e shfrytëzojnë këtë mundësi, të tjerë jo, por ka edhe nga ata që duan, por nuk dinë se si. Mendoj se ne duhet të japim shembullin të parët dhe të sillemi mirë në fushë, mbi të gjitha duke menduar se na shohin dhe fëmijët, të cilët nga natyra janë të gatshëm të imitojnë veprimet e më të rriturve. Për shembull, Kasanon e kam shumë për zemër, kur ai shënon një gol e i bie me shkelm flamurit të këndit duke e thyer, e pastaj këtë veprim televizionet e përsërisim me mijëra herë, është e padiskutueshme që do të imitohet. Është vetëm një shembull që më vjen ndër mend, por mund të flas për shkelma, pështyma, protesta të mëdha. Deri sa jemi në qendër të vëmendjes, sjellja duhet të jetë serioze dhe e përgjegjshme. Mjafton të humbasësh kontrollin për pak sekonda dhe menjëherë përfundon në "YouTube".

Kemi dëgjuar se në parkun që ju keni ndërtuar në Holandë keni krijuar vende të përshtatshme si për fëmijët, ashtu edhe për të moshuarit?

Më duket diçka logjike. Të rinjtë luajnë ose futboll, ose basket, ndërsa të moshuarit preferojnë të tjera argëtime. Jam nisur nga ideja për të afruar njerëzit. Në shumë vende të Evropës mendojnë se Holanda është një parajsë, për sa i përket integrimit, por në të vërtetë është e vështirë. Parku është afër shkollës ku unë kam studiuar nga 6 deri në 12 vjeç. Ndodhet në qytetin e Almere, vetëm gjysmë ore larg me makinë nga Amsterdami, pra një largësi e madhe për Holandën. Që i vogël kam pasur dëshirë të bëhesha dikush në jetë dhe e dija se futbolli mund të më jepte gjithçka. Në moshën 10-vjeçare hyra në shkollën e të rinjve të Ajaksit, në një situatë shumë ndryshe nga kjo e sotmja.

Është e vërtetë që fëmijëve u caktoheshin të gjitha rolet për t‘u mësuar dhe për të qenë të aftë në të gjithë sektorët e fushës?

Po, është e vërtetë dhe për mua është diçka e domosdoshme. Kam luajtur në të gjitha rolet, përveçse portier dhe mbrojtës i majtë. Madje, më kujtohet njëherë se si qendërmbrojtës kam marrë notën 8. Por numri 10-të është ai që më pëlqen më shumë, të njëjtin numër mbaja që fëmijë, madje këtë mbante edhe babai im Xhon, kur luante si amator në një skuadër që ishte trajner dhe president.

D.m.th. mund të themi se aftësia për të qenë "organizator" është një çështje familjare?

Gjyshi im, Frederik, ishte djali i një skllavi. Rrënjët i kishim nga një anë e Afrikës, nga bregu lindor. Nuk më tregonte përralla, nuk kishte kohë, sepse kishte plot 19 fëmijë. Vdiq në moshën 96-vjeçare dhe deri në çastin e fundit të jetës ishte në formë të mirë fizike. Rruga që të çon në stadiumin e ri të "Paramaribos", i inauguruar në vitin 2001, ka marrë emrin e tij. Ka qenë sipërmarrja e parë ku jam angazhuar, ndërsa Almere është e dyta. Qyteti është "rritur" me ritme të shpejta dhe tani ka më pak probleme me natyrë sociale. Pas tre muajsh të këtyre projekteve, kriminaliteti ishte ulur me 30%. Tani frekuentohet edhe nga myslimanët, paksa të "tërhequr" në fillim. Projekti mund të spostohet edhe në Malmberg, afër Kejptaunit në Afrikën e Jugut. Pastaj edhe në Dxhibuti dhe Vietnam. Sigurisht edhe në Milano. Pak ditë më parë u takova me kryetarin e bashkisë Morati dhe më dha mbështetje maksimale. Në projekt dua të përfshij si Milanin ashtu edhe Interin. E di që në shoqëri këto dy skuadra kanë projektet e tyre, siç ka Gatuzo, Zaneti, apo Kordoba. Unë mendoj se të gjithë së bashku mund të bëjmë më shumë dhe sigurisht më mirë se vetëm. Edhe për tifozët do të ishte mirë që të shihnin një impenjim të përbashkët.

Në çfarë kuptimi?

Në kuptimin që përreth futbollit në Itali ka shumë urrejtje, si në ndonjë luftë të shpallur. Për një fitore ose humbje flitet dhe trillohet për muaj me radhë. Për mua nuk ekzistojnë armiq, vetëm kundërshtarë dhe kjo vetëm për 90-minutëshin e ndeshjes. Duhet të falënderoj me gjithë shpirt trajnerët e mi të parë, ata që më kanë dhënë një kulturë të tillë sportive.

E mban mend trajnerin e parë tek Ajaksi?

Sigurisht, Herman Bormen. Nga futbolli nuk merrte shumë vesh meqë vinte nga çiklizmi, por ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në formimin tim. Kur them që sot është ndryshe tek Ajaksi, e them sepse trajneri i të rinjve mendon se kur do të bëhet trajner i skuadrës së të rriturve. Nuk ndodhi kështu me Bormanin që përkushtohej me gjithë shpirt dhe na mësonte të qëndronim bashkë. Përpara se të jenë instruktorë duhet të mësojnë shumë gjëra për jetën. Në projektet e mia janë të pranishëm dhe paguhen mirë, sepse pikërisht në këtë sektor duhet investuar. Duhet kompetencë specifike, sepse pasioni dhe vullneti janë të rëndësishëm, por nuk mjaftojnë. E ardhmja e një kombi varet nga niveli i edukatimit, të tjerat janë thjesht fjalë. Unë, për shembull, e quaj veten një njeri me fat dhe e di që jam perfekt dhe në të vërtetë nuk dua të jem i tillë. Jetoj me këmbë në tokë dhe e di që nuk e kam mbaruar ende rrugën ku mund të rritem si profesionalisht, ashtu edhe shpirtërisht.

A jeni besimtar?

Besoj në Zotin që nuk ka as emër, as ngjyrë. E kërkoj në veten time dhe te të tjerët. Sinqerisht nuk do të dija ç‘të thosha më tepër.

Flasim për të tjerët atëherë. Sipas jush, Italia është një vend racist?

Sipas meje Italia është një vend shumë i bukur, i populluar nga njerëz mjaft të mirë. Nuk është një vend racist dhe meqë m‘u dha rasti këtë fjalë duhet ta përdorim me kujdes. Sa më shumë që qarkullon fjala "racizëm", aq më shumë propagandë bëhet për të. Do të doja të përdorja fjalën "integrim". Në Itali ekziston një formë injorance kulturore që çon disa individë, të cilët janë të pakënaqur nga jeta e tyre, në një sjellje plot përbuzje dhe agresive kundrejt më të dobëtëve. Injorant po, por jo deri në pikën që të merren me më të fortët. Është parë ndonjëherë kjo gjë? Më të dobëtit janë romët, emigrantët e ardhur nga vendet e varfra të Evropës Lindore, ata të cilët vijnë nga Afrika, por janë edhe italianët e varfër, të pastrehët, si atë të cilin e dogjën në Rimini. Por kjo nuk ishte racizëm.

Por për rastin e djalit nga Gana, i cili u godit me shkelma, për shkak të ngjyrës?

Në këtë rast është racizëm. Por unë jam kundër, për sanksionet e UEFA-s për fushat në të cilat tifozët këndojnë këngë raciste, ku skualifikimi më i fundit i takoi Atletikos së Madridit. Nuk më duket e drejtë që një tifozeri të paguaj për sjelljen e pak tifozëve. Më duket e drejtë që këta të edukohen deri sa të humbin pak nga injoranca e tyre. T‘i ndihmosh, jo t‘i ndëshkosh. Ndoshta po, por pasi të jetë bërë gjithçka për t‘i ndihmuar.

Turam nuk e mendon në të njëjtën mënyrë?

Kam respektin më të madh për Turam, do të thosha që në fund të fundit asnjeri prej nesh nuk e ka gabim, sepse arrijnë në të njëjtat përfundime. Unë jam për edukimin dhe jo për shtypjen e tyre. N.q.s. një skuadër multietnike shkon mirë, pse një shoqëri jo?

Ju keni bërë tifo për Obamën?

Shpresoja të fitonte dhe jam shumë i lumtur që fitoi. Shtetet e Bashkuara kanë një të shkuar të trishtueshme, jo ekzemplare. Besoj se Obama do të mbështjellë një fuqi të madhe dhe do të jetë një udhëheqës i mirë. Përtej personit të tij, është e rëndësishme vota e amerikanëve. Është një votë që shkëputet pak nga e shkuara, që të fton të shkosh përpara me shpresë, me besim.

Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të ndryshohet në sport?

Duhet të shfrytëzojmë më shumë teknologjinë: sensorët, çipet në top, në fushë.

Preferon teknologjinë ndaj njeriut?

Jo, sepse është njeriu ai që e ka krijuar teknologjinë. Preferoj një moviola në anësoret e fushës, se sa 100 moviola për një javë dhe mijëra dyshime. Mund t‘u jepen tri mundësi për çdo skuadër dhe në rast të pozicionit jashtë loje dyshoj në vazhdimin e aksionit. Por gjëja e parë që duhet përmirësuar është ajri që thithet në fushë. Mua do të më pëlqente që federata dhe "Coni" të ndryshojnë rregullat dhe të vendosin kohën e tretë shtesë, në mënyrë të detyrueshme. Nëse duhet që të përshëndetemi përpara ndeshjes, pse më pas jo? Do të shërbente që të zvogëlohej pak urrejtja nëpër stadiume.

Në Firence ndodh kështu...

Më vjen mirë, por kjo duhet të bëhet në të gjitha stadiumet. Në stadiumin e Firences u mbajt 1 minutë heshtje për vdekjen e gruas së Prandelit, por mendoj se e njëjta gjë duhej bërë në të gjitha stadiumet. Prandeli është një njeri shumë i mirë, është pjesë e botës së futbollit, dhimbja e tij është edhe jona, por ne nuk ditëm t‘i drejtoheshim dhe t‘i shprehnim ngushëllimet publikisht. Në fakt, unë jam ai që refuzoi të vendosë shiritin e zi në krah kur një tifoz i Lacios u vra nga policia, por tani po i qëndroj afër familjes së tij, sepse e di se si kanë shkuar gjërat. Atë të diel nuk e dija, askush nuk na tha se kush kishte vdekur, si dhe përse. Një shirit i zi në krah është një shenjë e fortë, ndaj nuk m‘u duk e drejtë ta vija menjëherë. Nëse do të mundesha, një nga gjërat që do të bëja do të ishte të prishja të gjitha barrierat brenda stadiumeve. T‘i bashkoj të gjithë në një provë pjekurie kolektive. Deri kur të ketë ndarje do të ketë tifozë të pamatur dhe të paqëndrueshëm emocionalisht.

Duke u kthyer te projektet, fondacioni juaj quhet "Champions for Children". Sa futbollistë të tjerë do të marrin pjesë?

Për momentin vetëm unë. "Champions" nënkupton një fushë më të gjerë, si për shembull kampionë në jetë, njerëz që kanë qenë të suksesshëm. Mund të jenë aktorë, këngëtarë, biznesmenë, për mua nuk ka rëndësi. E rëndësishme është të gjesh fondet që të duhen.

Argëtoheni ende në fushë?

Argëtohem vetëm kur luaj në pozicion tim klasik pas dy sulmuesve. Por, meqë nuk më paguajnë për t‘u argëtuar, por për t‘i shërbyer skuadrës, mundohem të jem pak më i tërhequr. Evolucioni im në futboll është pak i prapambetur, por, gjithsesi, më vjen mirë që edhe fiziku im ma lejon.

Çfarë mendon të bësh më vonë?

Nuk e mendoj fare. E ndiej ende veten të ri dhe të fortë.

Urrejtja

Për të, futbolli dhe futbollistët janë ndër të parët që duhet të japin shembullin e mirëkuptimit dhe solidaritetit mes njerëzve. Po ashtu, ai mendon se kjo lojë është edhe mënyra më e mirë për të zhdukur paragjykimet mbi racizmin dhe për t‘u ndier të gjithë të barabartë, ndryshe nga sa ndodh sot, ku në futboll ka shumë urrejtje dhe gjithçka ngjason me një luftë të heshtur



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›