E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkuan për koncert në Itali, "zhduken" 3 nxënës

Dhjetë ditë më parë, 60 fëmijë, pjesëtarë të Qendrës Kulturore të këtij qyteti, janë ftuar nga komuna arbëreshe e Horës. Pas koncertit, tre nga nxënësit kanë refuzuar kthimin me grupin në vendin tonë 

FUSHË-ARRËZ - Tre nxënës të shkollës 9-vjeçare "Pjetër Arbnori" të Fushë-Arrëzit "zhduken" në Itali. Shkuan për të dhënë koncert në një komunë arbëreshe, por nuk u kthyen më në Shqipëri. Dhjetë ditë më parë, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Ndue Palukaj, disa anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe 60 fëmijë, pjesëtarë të Qendrës Kulturore të këtij qyteti, janë ftuar nga komuna arbëreshe e Horës. Pas koncertit dhe vizitës në këtë komunë arbëreshe, tre nga nxënësit kanë refuzuar kthimin me grupin në vendin tonë. Një ngjarje e tillë ka shtuar dyshimet tek banorët e Fushë-Arrëzit se një skenar i tillë ishte përgatitur më parë. I gjendur para një situate aspak të këndshme, drejtori i Qendrës Kulturore, Mirash Mardodaj ka kërkuar dorëheqjen pranë Drejtorisë së Arsimit në Pukë dhe Bashkisë së Fushë-Arrëzit. Mësohet se dorëheqja e Mardodajt është refuzuar nga drejtuesit e këtyre institucioneve. "Është e vërtetë se tre nga nxënësit që ishin me ne për një koncert në Itali, nuk janë kthyer në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për një skenar të parapërgatitur. Jam i gatshëm të përgjigjem për këtë ngjarje para organeve të Drejtësisë", - është shprehur kreu i Qendrës Kulturore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›