E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat, Basha injoron Prokurorinë

 

Ministri i akuzuar për skandalin e rrugës Durrës-Kukës, Lulzim Basha, sulmon prokurorinë: Po shkel ligjin

Ministri i Jashtëm refuzoi fletë-thirrjen e prokurorisë. Akuzat i dërgohen me postë në shtëpi

TIRANË- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, injoron Prokurorinë e Përgjithshme, duke refuzuar të përballet me komunikimin e akuzave për skandalin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Në orën 13:45 minuta, atëherë kur pritej që ministri Basha të shkonte në Prokurori, përpara portës së këtij institucioni ka zbritur vetëm avokati Zef Nikaj, i cili shtrëngonte një dosje në dorë. Nuk ka qëndruar më shumë se 10 minuta në zyrën e prokurorit të çështjes, Arben Kraja, e më pas ka dalë andej nga hyri, pa dhënë asnjë reagim për median. 30 minuta pas “vizitës” në prokurori, avokati Nikaj ka paralajmëruar një konferencë për shtyp, ku ka shpjeguar veprimet e tij në zyrën e prokurorit të çështjes, Arben Kraja.

***

Strategjia e deritanishme e ministrit Basha për t’iu përgjigjur prokurorisë duket se ka marrë fund, duke ia lënë vendin kundërsulmit në drejtim të organit qendror të akuzës. Në emër të klientit të tij, avokati Zef Nikaj është rrekur të bindë mediat se prokuroria ka kryer veprime flagrante në kundërshtim me ligjin, në mënyrën e komunikimit të akuzës. “Në mënyrë të shkruar i kam paraqitur prokurorit të çështjes të gjitha parregullsitë ligjore të veprimeve të tyre, ku i kam kërkuar mbi bazën e këtyre parregullsive të deklarojë të pavlefshme të gjitha aktet procedurale të kryera pas datës 6 nëntor. Po me të njëjtën kërkesë i jam drejtuar edhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku i kam kërkuar në bazë të vendimit të dhënë pak ditë më parë po nga kjo gjykatë, të shpallë të pavlefshëm vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, për cilësimin si të pandehur të ish-ministrit të Transporteve, tashmë ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha”,-tha avokati Nikaj.

***

Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan faktin se avokati i të pandehurit Lulëzim Basha ka refuzuar të firmosë aktet procedurale të cilësimit të klientit të tij si i pandehur në këtë hetim dhe marrjen e vendimit për njohjen me akuzat. Në këto kushte, organi i akuzës është detyruar që akuzat t’ia nisë me postë ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme, me anë të agjencise postare, prokurori i çështjes, Arben Kraja, i ka dërguar Bashës në adresën e shtëpisë akuzat e “shpërdorimit të detyrës”; “shkeljes së barazisë së pjesëmarrës në tenderë apo ankande publike” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të gjitha këto në bashkëpunim. Ky veprim, sipas prokurorisë, është kryer pasi avokati Nikaj është shprehur se në prokurori nuk do të paraqitet as ai dhe as Lulzim Basha. Mësohet se nëse i pandehuri Lulëzim Basha nuk do të pranojë të firmosë dokumentet që i kanë mbërritur me postë në shtëpi, Prokuroria e Përgjithshme do të përfundojë fazën hetimore me ndihmën e një avokati kryesisht, të caktuar nga akuza dhe do të mbyllë dosjen penale. 

Durrës-Kukës, Basha

pengon mbylljen e hetimeve

TIRANË- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, duket se po pengon prokurorinë të mbyllë dosjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, për ta dërguar më pas në Gjykatën e Lartë, ku deputeti pa imunitet pritet të gjykohet për abuzimet e konstatuara nga akuza, gjatë hetimeve 21 -mujore. Sipas prokurorisë, nga të dhënat e marra rezulton se deputeti pa imunitet ka ardhur mbrëmjen e së mërkurës nga Brukseli dhe ndodhet në Tiranë, por nuk ka preferuar të paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kundërshtuar kësisoj fletë-thirrjen. Vetë avokati pretendon se veprimet e kryera nga institucioni i akuzës janë në kundërshtim me aktet nënligjore të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk mund të kryhet asnjë veprim procedural pas shfuqizimit të vendimit për zgjatjen e afateve hetimore nga Gjykata e Shkallës së Parë, pas kundërshtimit të të pandehurit Andi Toma dhe Armand Telitit. Tashmë, i pandehuri Basha bashkë me avokatin Nikaj presin caktimin e seancës së parë gjyqësore nga Gjykata e Tiranës për shqyrtimin e kërkesë-padisë së bërë nga ata për shfuqizimin e vendimit të prokurorisë për ngritjen e akuzave ndaj Bashës dhe cilësimin e tij si të pandehur. F.Vezaj

Ministri i Jashtëm firmosi zgjatjen e hetimeve deri më 6 dhjetor

Ministri firmosi zgjatjen

e hetimeve të prokurorisë

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se vetëm pesë ditë pas zgjatjes së afateve hetimore, deputeti pa imunitet, Lulëzim Basha, ishte paraqitur pranë institucionit të akuzës bashkë me avokatin mbrojtës, ku kanë pranuar dhe firmosur zgjatjen e afateve hetimore. Kështu pohojnë burime nga Prokuroria e Përgjithshme, duke shtuar se Basha kishte rënë dakord për zgjatjen e hetimeve. Pas firmosjes së këtij vendimi nga Basha, të pandehurit Andi Toma dhe shtetasi që tashmë është liruar nga akuza, Armand Teliti, e kundërshtuan këtë vendim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjyqtari Sokol Tona, pas tre seancave gjyqësore, shfuqizoi vendimin e zgjatjes së afateve hetimore të procedimit penal me numër 1 të vitit 2007. Sipas vendimit, “shfuqizohet vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme i datës 6 nëntor 2008 për zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj, duke pezulluar gjithashtu edhe kryerjen e çdo veprimi procedural për procedimin penal me numër 1 të vitit 2007”,-thuhet në vendimin e gjyqtari Tona, duke përfshirë në këtë vendim edhe veprimet procedurale ndaj shtetasit Lulëzim Basha, edhe pse në atë kohë ishte vetëm person nën hetim. F.Vezaj

SHKELJET E BASHËS

1- Përzgjedhja pa konkurrim e Ecorys Group

2-Kontrata për ta paguar 95 mijë USD më shumë

3-Katër vendimet e qeverisë, të iniciuara nga Basha

4- Komisioni ndërkombëtar, pa shqiptar

5- Modeli ndërkombëtar FIDIC, i pazbatuar

6- Mungesa e ofertave nga firmat e huaja në tender

7- Mungesa e një projekti përfundimtar

8-Mungesa e një fondi limit

9-Çmimet e aplikuara në kontratë për njësi

10-Shtimi i 8 kilometrave rrugë në kontratë

11- Pagesa e infrastrukturës, 10 % të shumës së kontratës

12-Çmimet e betonit, sa 2-fishi i tregut shqiptar

13- TVSH është marrë përsipër nga shteti shqiptar

14- Konflikti i interesit të “Ecorys Group”

15- Refuzimi për të dëshmuar në prokurori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›