E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunizmi dhe Edi Rama

22-07-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Kur para shumë vitesh paraqita shumë shkurt një artikull të hollësishëm të Indro Montanelit, në të cilin autori, një publicist nga më të njohurit në Europë, shkruante në mënyrë mbresëlënëse për perversitetin familjar të Karl Marksit, pata kundërvënien e dy të njohurve të mi të hershëm. Ata ishin intelektualë, por të dehur nga vepra mashtruese me titullin “Xheni Marks”. Në këtë shkruhej me patos për marrëdhënien “idiliake” të çiftit Marks. Ç’është e vërteta ata miqtë e mi, shokë klase në gjimnaz, me prejardhje familjare të majtë, tani janë  pensionistë me mendime të ndryshuara. Si lexues librash të huaja, që tani gjenden kudo, ata kishin kthjelluar mendimet e tyre nga librat e shumtë me frymë demokratike që u dërgonin bijtë emigrantë. Kur sapo ngjitja shkallët dhe gjendesha pranë biletarisë së Operës, më ftuan për kafe dhe më thanë se kishin lexuar në “55-n” “Në shtëpi me Karl Marksin” nga Simon Sebag Montefiore. -Të kujtohet kur na fole për Leikenin, atë punëtoren e pastrimit të shtëpisë së Marksit të cilën ky e kishte lënë me barrë? Djali i braktisur ishte rritur si të mundej dhe ishte aktivist i lëvizjes sindikaliste. Madje edhe orator i talentuar. Por i ati as që donte t’ia dinte për të! Tjetrit i kujtohej nga shkrimi i “55-s” se Xheni mbeti si njeriu i vetëm që u desh të përballohej me egoizmin e të shoqit. I kujtohej edhe se bashkëshorti i saj ishte i dhënë pas luksit (me paret e Engelsit) si edhe pas thashethemeve.  Dhe qé tërheqës për gratë. Ishte i shfrenuar dhe i shthurur...
***
Tani qysh prej asaj periudhës  me vlera epokale, që i dha fund iluzioneve për Stalinin, gjysmëshekulli më parë, nostalgjia e diktaturës është përmbyllur vetëm në pak vende që mund të numërohen më gishtat e dorës: Në Korenë e Veriut, në Kubë, në ndonjë vend të Amerikës latine dhe, pjesërisht në Kinë; se kinezët nuk ia kanë më ngenë Maos. Në Europë, i vetmi vend që nuk e çrrënjosi dot mendësinë enveriste, është Shqipëria. Fajtori numër një për këtë fatkeqësi kombëtare, është Edi Kristaq Rama.
Me ambicie të pakufizuara për pushtet, ai doli në vitin 1991 si antikomunist i flaktë. Ata që kanë lexuar “Refleksionet”  habiten me marrëzitë e tij ekscentrike, gjer te nxjerrja jashtë ligjit  e PS-së...etj. Kemi pas nxjerrë nga ky libër i Haxhi pishmanit, citate zellesh stratosferike. Mund të vazhdojmë : “Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha (...) prandaj është e pamundur harresa. Ndrydhja e kujtesës kombëtare na bën të mos ndahemi dot nga e kaluara, që do të na mbajë gozhduar porsa s’kemi bërë katarsisin e vërtetë historik” (f. 181, Refl.)”. Me kë ta bëjmë katarsisin? Me Edvinin? Cili po i mban nën strehë mëkatarët e enverizmit? Kush është përgjegjësi i ekzaltimeve të diktatorit në Pezë, me përjashtim të viteve të fundit, që të mos dalë antiamerikanizmi dhe antieuropianizmi i ekstravagantit Edvin?
Tani, në kohën e zgjedhjeve 1913, ekstravagancat e tij (dhe mashtrimet brenda tyre) s’kanë të sosur. Me një intelektual të fushës së mediave, të cilin e ka sajdisur dhe e ka ftuar për kandidaturën në koalicionin e tij, ndërsa e poshtëron personin e preferuar prej tij, sepse na e paska ai fajin që Edi është pritur ftohtë dhe pa pjesëmarrjen e duhur në Peqin, e në tri vende të tjera! Duke folur për zgjedhjet, është e turpshme që ai, si një Zeus majë Olimpit, jep urdhra (në kundërshtim me mosndërhyrjet e sanksionuara në Kodin Zgjedhor, sigurisht) që kanë lënë përshtypje të keqe mediatike si edhe flashkje të mëtejshme të elektoratit të tij, siç u dëshmua në Peqin, e në tri vende të tjera, - siç thamë. Pas turit të tij jashtë shtetit (për mashtrim), përfundon në takimin me presidentin italian, z. Napolitano, që po i afrohet 100-vjetorit të lindjes,  duke ia fshehur vetes këmbët e gjarprit E.R,-a, se ai ia quan të papranueshme moshën kryeministrit shqiptar, paçka se z. Berisha është disa dekada më i ri se Presidenti i Italisë! (Në Romë e harroi atë shakanë neveritëse të katragjyshit me jelek plumbi!). E “harroi” për t’u dukur siç nuk është. Por nuk harroi të krijojë halucinacione antikushtetuese të “kujdestarive” antiligjore, se nuk i pritet gjer në shtator, vonesë të cilën e ka krijuar vetë, duke i lënë djallëzisht të gjymtuara funksionet e KQZ-së! Ndërsa tani në fund, ndërhyn me anë të sejmenëve të vet, për atë humbjen e një mandati në Lezhë...
***
Në librin e Dyfejisë (Dufay), me titullin “Udhëtimet çnderuese të shumë letrarëve”,  përmenden shkrimtarë të talentuar që kishin rënë nën grackën e udhëtimeve qyl në B. Sovjetik të Stalinit. Komunizmi i dalldisi në ëndrra shumë breza (gjenerata) shkrimtarësh, - thotë autori. Dhe vazhdon: “Në një foto të vogël shoh në “Paris Match” Zhan-Pol Sartrin me Çe Gevarën, në Kubë. Në tjetrën, Sartri dhe Simona dë Bovuar, janë për vizitë te Mao Ce Duni. Por në këtë fotografi ndodhet edhe ky shënim: “Nuk i kemi parë të protestojnë kundër kampeve komuniste të përqendrimit. Në Rusi, në Pekin apo në Havanë, në ëndrrat e ëndërrimtarëve, është fshehur ferri”, - shkruhet nën një foto tjetër. Veçse Sartri e të tjerët që merren në gojë në këtë shkrim, i thirrën trurit më vonë.
Do të shtoja se komunistët tanë shqiptarë kanë përfituar nga kjo psikozë majtiste e mostrajtimit objektiv dhe të paanshëm të krimeve të komunizmit. Kështu vërejmë te ne shkrime historike me doktrinarizmin e dikurshëm, me prirjen për ta bërë historinë vijimisht sipas shablloneve komuniste, me  etjen për të zhbërë krimet e enverizmit, duke mohuar gjenocidin, me guximin për ta rehabilituar enverizmin gjer në muret e institucioneve zyrtare dhe me falsitetin se majtistët tanë rreth Edvinit janë properëndimorë dhe proamerikanë! Aq sa mund të jenë proamerikane katër parti (dy të PP-së, dy të PK-së), anëtare të koalicionit të Edvinit.
Por a është i besueshëm E. Rama? Aq sa mund të jetë i besueshëm një aventurier politik! Sot nuk gjen asnjë vend të botës demokratike me një mentalitet pro diktaturës, si në vendin tonë. Në cilin vend, pas ndërrimit të sistemeve, gjen propagandë komuniste, të shitur si memorialistikë? Në “Kujtimet” e Nexhmijes me titullin “Jeta ime me Enverin” (botim i vitit 1998) shkruhet, në f. 271: “Unë kam besim se do të vijë koha që studiues e historianë të rinj do të interesohen të njihen me dokumente që flasin për lidhjet e Enver Hoxhës me njerëzit dhe për humanizmin e tij” (!). Humanizëm! Me vrasje të njerëzve të pafajshëm, madje edhe grash, pa gjyq!...Kujtojmë Llazar Fundon dhe dokumentin me firmën e Enverit që të torturohet dhe, pastaj, të ekzekutohet! Apo shoqen e klasës, shkencëtaren Sabiha Kasimati, që e ekzekutoi pa gjyq, për t’u shfajësuar për atë bombën e Ambasadës sovjetike. Ose për luftëtaren e shquar Ramize Gjebrenë, e cila u ekzekutua gjatë luftës, se ia kishte prishur humorin Dushan Mugoshës! Këto krime vetjake s’kanë të mbaruar. Bashkëshortja e tiranit le ta quajë Enverin si njerëzor (f. 271 e Kujtimeve). A mund t’i bëhet sërish monumenti këtij despoti?
***
Është thënë (dhe e përsërisim) se nga njerëzit me emër të kulturës, janë zhgënjyer nga komunizmi dhe janë bërë demokratë të mëdhenj. Kemi përmendur edhe nobelistë të tillë. Por nuk njihet, veçanërisht në ditët e sotme, asnjë intelektual i vërtetë që të kalojë, pas ndërrimit të sistemeve, nga antikomunist, në komunist. Bëjnë përjashtim, në vendin tonë disa proselitë që ia kanë shitur shpirtin djallit!
Përjashtim skandaloz bën Edi Rama, me kontributin e tij që ta mbajë gjallë dhe të pacenuar atë mendësi rrënimtare, enverizmin. Argumentet për këtë të vërtetë janë të panumërta. Nuk do të përsëritim veçse njërin: të gjithë gjynahqarët e diktaturës, të gjithë mëkatarët e pa penduar, i ka brenda, në partinë e tij. Aty janë edhe ata smokthinjotët, që e kishin dënuar me vdekje (!).
Me një inkoherent të paparë si Edvini, kjo ka logjikën e vet. Në antonimet “ i kapuri – kapësi”, ai është edhe i kapur , por edhe i ka marrë peng të parët. Në prioritetet e BE-së për të marrë statusin për aderim në atë komunitet ai. Edi, është i detyruar që të heqë dorë nga kërkesa të kushtëzuara  për një marrëveshje. Ndërkaq përpilon kushte! Kushtëzime të cilat e vënë në rol të batakçiut: Ma jep pushtetin (e humbur) në tavolinë, të të jap votimin e cilësuar. Pa përmendur të tjerat! Djallëzori kërkon të shtiret edhe si pro euroatlantik. Por a është e tillë ajo hordhi enveristësh, ndaj të cilëve ai është i kapur?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›