Sot zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike, Berisha: Ditë historike
Anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë sot për të zgjedhur liderin e ri, për herë të parë përmes parimit një anëtar një votë, pas dorëheqjes së kryetarit Berisha.
Në të gjithë vendin janë ngritur rreth 57 qendra votimi, të cilat janë hapur në orën 08:00 të mëngjesit, dhe do të mbyllen në orën 19.00.
Ndërkaq, numërimi i votave është parashikuar të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Këshilli Kombëtar dhe deputetët me banim në Tiranë, do të votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike.
Dy kandidatët Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë bërë fushatë intensive që prej dy javësh duke u takuar me anëtarësinë në të gjithë vendin.
Sokol Olldashi u shpreh mbrëmë përmes një deklarate për mediat se demokratët nuk duhet të shohin me aleanca përtej së djathtës dhe se demokratët duhet ti përmbahen në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë.
Ndërsa kandidati tjetër Lulzim Basha gjatë një takimi që zhvilloi në Pallatin e Kongreseve njehsoi si kundërshtarë të njejtë për demokratët, si kryetarin socialist Rama ashtu edhe atë të LSI-së Meta.
Jam gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullimit, tha Basha.
Ai iu drejtua kryesocialistit Rama duke i kujtuar fitoren në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Kush të ka mundur njëherë është gati të të mundë përsëri iu drejtua ai Ramës.
Kreu i ri, Berisha: Ditë historike për PD. Garë e vërtetë me parimin një anëtar një votë
Kryeministri Berisha e ka cilësuar si ditë historike për PD-në, ditën e sotme kur anëtaresia me vullnetin e saj do të zgjedhje liderin e ri të saj.
Të dashur miq, sot ditë vërtet historike për PD! Ne, anëtaret e saj, do zgjedhim për herë të parë në historinë tonë, por dhe të vendit, me një garë të vërtetë me parimin një anëtar një votë, Kryetarin e ri të PD. Rroftë Partia Demokratike dhe anëtarësia e saj! shkruan Berisha në profilin e tij në Facebook.