Basha: PS të kontribuojë në liberalizimin e vizave
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha deklaron se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet e saja teknike për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tashmë qeveria është në pritje të marrjes së notës së vlerësimit nga ana e Brukselit. Sipas tij, deri më tani janë 350 mijë aplikime për pasaporta biometrike, dokumenti që përbën edhe një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave. Në një intervistë për “Top Channel”, Basha thekson se “nga ana teknike presim dhe dy misione të BE në fund të muajit shkurt, për të verifikuar dy blloqe të tjera. “Ndërsa nga ana politike mund t’ju them që sot Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret themelore për heqjen e vizave”, u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm thekson se brenda dy vitesh qeveria shqiptare ka krijuar bazën e të dhënave elektronike për shtetasit shqiptarë, sistemin e prodhimit të pasaportave biometrike, sistemin e kontrollit të kufijve në lidhje on line mes 24 pikave kufitare të Shqipërisë dhe lidhjen e tyre brenda 2 sekondave me Interpolin për të verifikuar çdo automjet apo person që kalon kufirin drejt zonës shengen. Sipas tij, PS nuk ka as të drejtën morale për t’u ankuar për vonesa në këtë proces. “Mbyllëm një hendek të krijuar në 8 vite keqqeverisje socialiste, por edhe një hendek historik të krijuar nga paraardhësit ideologjike të atyre që sot anatemojnë këtë proces vital, jetik për shqiptarët. Opozitës dhe atyre zërave kritike do t’u thosha që të japin një kontribut pozitiv në këtë proces. Deri më sot i kemi parë të lobojnë aktivisht kundër liberalizimit të vizave në Tiranë dhe Bruksel, pasi e cilësojnë këtë projekt dhe realizimin e tij si një sukses ekskluziv të kryeministrit Berisha apo të maxhorancës të udhëhequr prej tij dhe jo si një domosdoshmëri për të gjithë shqiptaret, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Në të njëjtën kohe u bëj thirrje të hedhin një hap pozitiv në drejtim të elementit kryesor të procesit”, deklaroi Basha. Gjithashtu, ministri shtoi se “nuk kemi parë akoma asnjë zyrtar të lartë të PS-së të bëjë thirrje të hapur për marrjen nga qytetaret të pasaportave biometrike apo të shkojnë vetë t’i marrin ato”. Ministri theksoi se parashikimi politik është se vendimi për heqjen e vizave merret brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.