E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së drekë në Shëngjin te “Klubi i Rrenave”

 Aristir LumeziDeputetët socialistë ishin dje për drekë në një nga restorantet e njohura të Shëngjinit, “Klubi i Rrenave”. Ftesës së deputetit socialist, Gjovalin Kadeli, për një drekë në Shëngjin i është përgjigjur pozitivisht edhe kryetari socialist Edi Rama, ku nuk kanë munguar shumica e deputetëve të grupit parlamentar të selisë rozë. Shkas për këtë takim ishte dhe ceremonia e marrjes së dekoratës së deputetit të qarkut Lezhë, dhënë nga Forumi Politik i Ballkanit, por dhe ditëlindja e tij. Një pjesë e deputetëve socialistë, të angazhuar në aktivitete të tjera, nuk kanë mundur të marrin pjesë dje në këtë aktivitet, ndërsa ishin prezentë më shumë se 30 deputetë socialistë. Kadeli, duke përfituar nga aktiviteti që organizoi Forumi Politik i Ballkanit, ka shprehur dëshirën që me këtë rast të organizojë një drekë dhe për festat e fundvitit me kolegët e tij. Gjatë drekës, ku ka pasur dhe përfaqësues të pushtetit vendor në Lezhë, nuk ka pasur mesazhe politike, ndërsa është parë si pozitive një iniciativë e tillë e deputetit të Lezhës. Drekat e punës, janë një përvojë e re e sjellë në PS pas ardhjes së Edi Ramës në krye të selisë rozë. Dreka e fundit e organizuar e deputetëve socialistë ishte pas mitingut të protestës së organizuar në qytetin e Fierit, ku Rama mblodhi grupin parlamentar për të dhënë detajet e fundit për organizimin e mitingut të madh që u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 20 nëntor. Ende nuk ka një njoftim për një takim të fundit për këtë vit të grupit parlamentar socialist në një drekë apo darkë, ku secili, e në radhë të parë kreu i selisë rozë, do të bëjë urimet e zakonshme për Vitin e Ri. Deputetit të qarkut të Lezhës, i është dorëzuar dje në këtë aktivitet dekorata e Forumit Politik të Ballkanit, me qendër në Selanik nga prof. doktor Milajim Fejziu, drejtor i këtij forumi për marrëdhëniet politike. Dekorata, që i jep dhe titullin politolog Kadelit, ka motivacionin “për kontributin e dhënë për stabilitet dhe paqe në rajon, në harmonizimin e politikës me biznesin në interes të shërbimit publik”. Gjithashtu deputeti socialist ka marrë dhe pasaportën ballkanike, dhënë nga ky forum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›