E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pas 22 vjetësh, Tirana së shpejti do të ketë planin urbanistik

04-05-2012 / Gazeta 55

Basha-Vujanoviç diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, turistik dhe kulturor mes Tiranës dhe Podgoricës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti dje në një takim Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviç. Në takim Basha dhe Vujanoviç nënvizuan rëndësinë e vendosjes dhe intensifikimit të një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Podgoricës.
Basha nënvizoi se afërsia gjeografike dhe infrastruktura e përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit  që i lidh dy kryeqytetet, është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, artit, kulturës dhe rritjes së investimeve.
Vujanoviç tha se Tirana është bërë një qytet atraktiv për turistët, çka e dëshmon dhe numri i madh i grupeve që unë pashë sot në Tiranë. Basha dhe Vujanoviç diskutuan për bashkëpunim mes operatorëve turistikë për përgatitjen e guidave dhe planifikimin e tureve të përbashkëta turistike të Tiranës dhe Podgoricës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal dhe në bashkëpunimin artistik e kulturor mes dy kryeqyteteve. Zoti Basha nënvizoi se Tirana mirëpret artistet malazez të japin shfaqe në Tiranë sikundër është e gatshme të krijojë mundësitë për  promovimin e traditave dhe kulinarisë malazeze në rrugët e Tiranës. Të njëjtën gjë, tha Basha, Tirana është e gatshme të bëjë edhe në Podgoricë, Budva, Kotorr e qytete të tjera të Malit të Zi.
Në takim u diskutua edhe për projektet e zhvillimit.
Basha bëri të ditur se pas 22 vjetësh, Tirana së shpejti do të ketë planin urbanistik. Pjesë e këtij plani, tha Basha, është bulevardi i ri dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës, projekt i cili prek 20 për qind të territorit.
Kryebashkiaku tha se qëllimi i tij nuk është vetëm hapja e horizonteve të reja për investimet vendase por edhe për ta bërë Tiranën qytet të mundësive të medha për investitorët e huaj, përfshirë edhe ata malazez.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›