E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Projekti TAP, me rëndësi strategjike edhe në nivel rajonal

04-05-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic
 
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Të dy personalitetet shprehën vullnetin e përbashkët ti thelluar ato edhe më tej si dhe për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.
Në këtë kontekst, Presidenti Vujanoviç vuri në dukje rolin e jashtëzakonshëm të Kryeministrit Berisha në vendosjen e këtij niveli marrëdhëniesh mes dy vendeve. Kryeministri Berisha vlerësoi hapat e bërë nga Mali i Zi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa e siguroi atë për mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë të japë në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Malit të Zi theksuan se e ardhmja e të dy vendeve, por edhe e vendeve të tjera të rajonit, është integrimi në Bashkimin Evropian. Më tej, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendit. Ai e njohu Presidentin e Malit të Zi me përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për ndërtimin e infrastrukturës strategjike ku theks iu vu asaj energjetike.
Në këtë drejtim, suksesi i projektit TAP u vlerësua si me rëndësi strategjike edhe ne nivel rajonal.
Kryeministri Berisha u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hapësira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit. Kryeministri Berisha përshëndeti investimet e bëra në infrastrukturë rrugore lidhëse midis dy vendeve, si dhe e njohu Presidentin malazez me projektet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi si dhe nënvizoi domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë qëndrimin e Malit të Zi në njohjen e Kosovës dhe nivelin e marrëdhënieve të krijuara mes tyre.
“Jemi shumë të interesuar të shohim ndryshimin e faqes në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Presidenti Vujanovic theksoi kontributin e Kryeministrit Berisha në  drejtim të paqes dhe stabilitetit ne rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›