E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Me reformat, Shqipëria është më pranë integrimit

04-05-2012 / Gazeta 55

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle përsëriti dje në Tiranë opinionin pozitiv të Brukselit lidhur me realizimin e reformave, të cilat do të sjellin rekomandimin e statusit të kandidatit në progres-raportin e vjeshtës së këtij viti. Pranë përmbushjes së 12 rekomandimeve të vitit të shkuar, vendi ynë do testohet vetëm në përmbushjen në kohë të kritereve politike të Kopenhagenit, reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe respektimit të të drejtave të njeriut
Berisha: Po i zbatojmë 12 rekomandimet, prestim marrjen e statusit të kandidatit

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule u shpreh dje në Tiranë se sinjalet janë pozitive që brenda këtij viti, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Deklarata e Komisionerit Fyle u bë gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, të cilët më pas zhvilluan dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
 Zyrtari i Brukselit përsëriti dhe njëherë se nuk ka ardhur në Shqipëri për të parë të shkuarën, por për të parë drejt së ardhmes dhe hapave që do të ndërmerren për të ardhmen, që sipas tij e lidhin Shqipërinë domosdoshmërisht me integrimin evropian. Në këtë pikë ai inkurajon faktorin politik që të plotësojë detyrat e Komisionit në mënyrë që të tetor të këtij viti Shqipërisë t’i rekomandohet statusi i vendit kandidat.
“Në fakt, unë e kam bërë të qartë edhe para se të vija në Shqipëri se nuk do të vija këtu në mënyrë që të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën. Këtë e kam thënë edhe në të gjitha takimet shumë të mira që kemi bërë, gjatë diskutimeve të hapura e shumë konstruktive që kemi bërë, që, në fakt, unë kam ardhur që të shikojmë drejt së ardhmes e hapave që do ndërmerren në të ardhmen. Ashtu siç e kam thënë edhe shumë herë në të shkuarën, unë jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë është: Shqipëria në Bashkimin Europian dhe kam besim të plotë në potencialin e kapacitetet e Shqipërisë për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ajo që kam theksuar gjatë takimeve është se ritmi i ecurisë apo progresi i Shqipërisë drejt këtij synimi do të varet tërësisht nga performanca apo puna që do të bëjë Shqipëria për sa i përket reformave kyçe. Në fakt, zoti Kryeministër e ka përmendur gjatë takimit tonë, pra, ajo që është thënë është se viti 2012 na ofron neve mundësinë që Shqipëria të bëjë një hap tejet të madh përpara drejt integrimit të saj në BE. Ne e diskutuam këtë gjatë dhe jemi tërësisht dakord që duhet ecur përpara sidomos në lidhje me marrëveshjen e nëntorit të vitit 2011”, u shpreh Fyle.
Ai theksoi se në takimin me kryeministrin Berisha kanë diskutuar për Planin e Veprimit, për të adresuar prioritetet kyçe që kanë dalë nga opinioni i Komisionit Europian.
“Ne kemi mirëpritur mënyrën gjithëpërfshirëse që është përdorur në fazën paraprake të këtij Plan Veprimi, por po ashtu kemi parë edhe angazhimin e qeverisë për të përdorur të njëjtën qasje gjithëpërfshirëse edhe për fazën tjetër që është faza e vënies së tij në zbatim. Ne po ashtu kemi diskutuar për punën që duhet bërë, për ato që duhen arritur, për të punuar më tej e për të arritur më shumë sesa marrëveshja politike e nëntorit të vitit 2011, në mënyrë që të sigurohemi se Komisioni Europian, në fazan e parë, por edhe shtetet anëtare të BE-së, në fazën e dytë, të jenë në gjendje të marrin më tej një vendim të fortë, të guximshëm, në mënyrë që  Shqipëria të lëvizë më lart në axhendën e saj drejt integrimit në BE”, tha ai.
Për zgjedhjen e Presidentit, Fyla tha se palët politike duhet të faktojnë se ky proces do shërbejë si unifikues dhe jo përçarës.
Sipas tij, presidenti duhet të jetë dikush që pasqyron qartë frymën e Kushtetutës dhe unitetin e popullit shqiptar. Reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare, tha Fyle, duhet të përfundojnë përpara nisjes së procesit të zgjedhjes së presidentit të ri.
“Po ashtu, ne diskutuam për një çështje tjetër të rëndësishme që është zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë e në fakt, më duhet të them se jam i kënaqur që ne kemi arritur në një mirëkuptim të përbashkët për dy çështje kryesore lidhur me këtë pikë. Së pari, dëshiroj të them se kjo ka të bëjë me vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë, nga njëra anë, por të njëjtën kohë edhe një vendosmëri dhe angazhim që unë e mora edhe gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për të përfunduar punën që duhet bërë për sa i përket reformës zgjedhore, nga njëra anë, por edhe reformës parlamentare për rregulloren e procedurave të parlamentit, në mënyrë që kjo të përfundohet përpara së të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Sigurisht, kjo është e rëndësishme, pasi na bën neve që të sigurojmë që zgjedhjet presidenciale në vend të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemeve, në rast se të gjitha këto punë nuk përfundohen. Së dyti, në fakt, angazhimi i Kryeministrit, por edhe i qeverisë që të sigurojmë që zgjedhja e presidentit do të jetë një proces i negociueshëm. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri që të jap këshilla, madje e leksione për t’ju treguar juve si duhet bërë kjo gjë, por kam ardhur këtu, për të parë përpara. Nga ana tjetër, unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të më ikë pa ju thënë se ajo që është e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit do të thotë se në atë zyrë të vijë dikush, i cili pasqyron qartë frymën e Kushtetutës, por edhe faktin se ai person do jetë dikush që do të përfaqësojë, siç e thotë edhe Kushtetuta, unitetin e popullit shqiptar”, deklaroi Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle.

Kryeministri Berisha
Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin Fyle se, mazhoranca është e zotuar për realizimin e reformave të integrimit.
Kryeministri theksoi se gjatë takimit me Fylen kanë diskutuar gjerësisht mbi problematikën e integrimit të vendit, ndërsa e ka njohur atë me arritjet që janë bërë për reformën zgjedhore, reformën parlamentare, gjykatën administrative, ndërsa nënvizoi se palët po bien dakord edhe heqjen e imunitetit. Berisha i ka cilësuar 12 rekomandimet e BE-së të drejta tha se ato duhet të zbatohen në mënyrë që të meritojmë statusin e vendit kandidat. “E njoha Fylen me progresin e bërë në të gjitha rrafshet: zgjedhjet, drejtësia. Duket se po shkojnë në një zë për heqjen e imuniteteve. Kemi qenë për mosprekjen e Kushtetutës, por tani pranojmë opsionet e opozitës për heqjen e imuniteteve. Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, domosdoshmërisht që do kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta. Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palët të vlerësojnë njëri–tjetrin si bashkëaksionerë në këtë proces themelor për vendin”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu ka ripërsëritur se ai nuk do të kandidojë për postin e presidentit të republikës.
I pyetur nga mediat për ftesën e kreut të PS-së Edi Rama, kryeministri Berisha theksoi se do të ulet në bisedime vetëm në afatet kur Kushtetuta përcakton zgjedhjen e presidentit të ri. “Nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri, jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do kandidojë për postin e presidentit të Republikës. Së dyti, unë çdo ftese i përgjigjem pozitivisht. Vlerësoj ftesën e Ramës, por Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues. Si unë dhe Rama për hir të respektit të postit të presidentit duhet ta respektojmë këtë. Jam gjithnjë për negociatat dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë të vlefshme kur ata parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti të japin kontribut në përgatitjen e tyre”, shtoi Berisha.

Berisha dhe Fyle u përgjigjen më pas interesit të mediave

Zoti Fyle, jeni akuzuar nga një pjesë medias shqiptare se keni bërë përpjekje të qartë për të marrë statusin Serbia, në një kohë kur Shqipëria të paktën në këto 20 vite është konsideruar nga BE se ka qenë një faktor stabiliteti në rajon dhe statusi i është refuzuar të paktën dy vite, për shkak të problemeve të brendshme politike. Ai i konsideroni të drejta këto akuza që vijnë nga media shqiptare?
Komisioneri Fyle: Janë të sakta në një kuptim dhe kjo për sa i përket aspektit se unë jam një nga mbështetësit më pasionantë e të fuqishëm të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Është e sakta në rast se i referohen procesit të zgjerimit, si një proces që bazohet tërësisht në meritën e vendit aspirant, një meritë që ne e gjykojmë gjithnjë në bazë të reformave që ndërmerren në atë vend të caktuar. Sigurisht që kushdo që është i interesuar do mund të krahasojë raportet e ndryshme të progresit të nxjerra nga Komisioni Europian, por edhe raportet e tjera që janë të shumta në numër, për të parë ecurinë që ka bërë Serbia apo vende të tjera në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Për sa i përket Serbisë, mund të them se Serbia ka mundur të japë rezultate në bazë të pritshmërisë që ka pasur Komisioni Europian dhe për këtë arsye, KE ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat, por sigurisht mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë për sa i përket të themi prioritetit kyç dhe ky ka të bëjë me Serbinë, me dhënien e rezultateve për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës. Por, sigurisht, fati që Komisioni Europian nuk ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nuk do të thotë që Komisioni nuk e ka vlerësuar dhe e vlerëson rolin që ka Shqipëria në rajon. Në fakt, ne vazhdojmë ta vlerësojmë dhe duhet të thënë se Shqipëria luan një rol stabilizues në rajon dhe këtë vazhdojmë ta theksojmë ngaherë. Për këtë arsye, dëshiroj ta përgëzoj Shqipërinë në qëndrimin e saj të qartë kundër nacionalizimit dhe ekstremizmit në rajon. Por, nga ana tjetër, duhet thënë se viti 2011 nuk ishte një vit i mirë për sa i përket rezultateve që duhej të jepte Shqipëria në lidhje me 12 prioritetet kyçe që nxori Komisioni Europian, në opinionin e vet të vitit 2010. Por, tashmë, unë shoh erën e ndryshimit dhe shpresoj shumë që kjo mundësi, ky shans të kthehet në realitet, më vonë gjatë këtij viti.

Zoti Berisha, kur flisni për negociata do të thotë se do të pranoni ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste për një tryezë për çështjen e presidentit?
Kryeministri Berisha: Së pari, shfrytëzoj rastin t’ju uroj sot, ditën tuaj të shtypit e të shpreh kënaqësinë që jemi shndërruar ndër vendet e para që kemi hequr shpifjen nga Kodi Penal si vepër penale dhe kjo përbën në arritje të vërtetë për lirinë e shtypit.
Lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që ju të gjithë duhet vlerësoni faktin se nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do të kandidojë për postin e Presidentit të Republikës. Por në fakt asnjë prej jush nuk e ka shënuar këtë fakt. Së dyti, çdo ftese, unë i përgjigjem pozitivisht dhe e vlerësoj ftesën e zotit Rama. Por theksoj se Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë, zoti Rama e të gjithë, për hir të respektit të postit të presidentit, duhet ta respektojmë këtë. Së treti, unë jam gjithnjë për negociata dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë gjithnjë të vlefshme, kur ato parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti, kanë mundësi të japin një kontribut thelbësor në përgatitjen e tyre.

Zoti Fyle, besoj se jeni njohur sot, me qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Rama që e konsideron mënyrën e zgjedhjes së presidentit vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat. Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Komisioneri Fyle: Në fakt, unë vetë jam shprehur qartë për ato gjëra që duhen bërë, për ato gjëra që duhen arritur, për faktin që marrëveshja politike e nëntorit 2011 duhet të përfundohet. Po ashtu kam folur për Planin e Veprimit dhe rezultatet konkrete, të prekshme që duhet të dalin prej këtij Plan Veprimi. Këto janë parakushtet, si dhe zbatimi i të gjitha atyre ligjeve që janë miratuar, të gjitha atyre gjërave, për të cilat është rënë dakord, në mënyrë që Komisioni Europian të mund t’u rekomandojë shteteve anëtarë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Por duhet thënë se procesi i zgjerimit nuk është një proces sa për të thënë se u bë kjo apo u bë ajo, është në fakt një proces si teknik, ashtu edhe politik. Jo vetëm Komisioni, por edhe të tjerë do të ndjekin nga afër atë se si qeveria, nga njëra anë, por edhe opozita do të kenë mundësi ta kthejnë këtë axhendë europiane në axhendë kombëtare. Do të jenë edhe shtetet anëtare, ato, që kur të marrin rekomandimet e Komisionit Europian, do të marrin parasysh edhe një panoramë më të gjerë dhe në këtë panoramë më të gjerë është pikërisht zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë, që do të jetë një faktor apo element tepër i rëndësishëm.

Zoti Kryeministër, proces i negociueshëm do të thotë se detyrimisht do të dilet me një kandidat konsensual, apo është i mundshëm zgjedhja e presidentit me 71 vota?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se askush nuk duhet të paragjykojë një proces të negociueshëm, por duhet të urojmë që të japë rezultatin më të mirë. Përndryshe nuk do ishte e vyer që të ndërmerrej.

Fyle-Haxhinasto: “BE vlerëson rolin e Shqipërisë në rajon”

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë të Komisionit Evropian, Stefan Fyle vlerëson se Shqipëria është në një fazë të re cilësore të rrugëtimit të saj evropian. Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto theksua bashkëpunimi i hapur dhe intensiv me Komisionin Evropian dhe strukturat e tjera komunitare. Ai vuri në dukje se sfida madhore e procesit është stabiliteti dhe qëndrueshmëria e tij në kohë, duke garantuar njëkohësisht se fokusi kryesor mbetet në arritjen e rezultateve konkrete të këtij procesi. Sa i përket politikës rajonale të Shqipërisë, Ministri theksoi se procesi integrues është alternativa më e mirë ndaj rritjes së ekstremizmit në rajon, pasi integron shoqëritë brenda tyre, vendet dhe gjithë rajonin në Bashkimin Evropian. Komisioneri Evropian theksoi se Shqipëria vazhdon të mbetet një forcë stabiliteti në rajon.
“Ne e vlerësojmë përherë rolin që luan Shqipëria, sidomos për sa i përket qëndrimeve nacionaliste dhe ekstremiste në rajon. Unë vlerësoj rolin që luan Shqipëria për sa i përket bashkëpunimit. Shqipëria e ka kuptuar dhe e kupton në fakt se, nuk është e mjaftueshme një marrëdhënie e mirë vetëm me Brukselin, me Bashkimin Europian, por natyrisht kërkohet edhe një marrëdhënie shumë e mirë me fqinjët në rajon, pra ajo që ne e quajmë bashkëpunimi rajonal, pasi në fakt ky mbetet në themel forca shtytëse, apo nxitëse për sa i përket politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian”, tha Fyle.

Topalli –Fyle: “Parlamenti, rol kyç në zbatimin e rekomandimeve”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi dje Komisionerin për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Komisionerin Fyle, si dhe Komisionin Europian për mbështetjen dhe asistencën që i kanë dhënë Shqipërisë në përshpejtimin e hapave drejt integrimit. Komisioneri Fule shprehu kënaqësinë që në këtë vizitë të tij në Tiranë  konstaton se Shqipëria ka lënë pas problemet e të kaluarës dhe midis palëve ka një frymë optimiste bashkëpunimi për të ecur me reformat.
Kryetarja Jozefina Topalli njohu Fylen me përparimin që Parlamenti, përmes bashkëpunimit mes opozitës dhe mazhorancës ka shënuar në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të KE, si miratimi i kodeve, që kërkonin 3/5 e votave, finalizimi i ligjit për Gjykatën Administrative, puna për Reformën Zgjedhore etj.
Fyle vlerësoi përparimin e shënuar në realizimin e 12 kritereve të dhëna nga Komisioni, ndërsa uroi që ky progres t’i mundësojë Shqipërisë marrjen e statusit kandidat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›