E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Plani për embargon ndaj Kosovës

• Shqipëria do të marrë masa për të parandaluar një embargo të mundshme të Serbisë ndaj Kosovës pas shpalljes së pavarësisë nga kjo e fundit.Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm, Lulzim Basha gjatë një interviste për BBC-në, pas takimit me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband. I pyetur se çfarë do të bëjë Shqipëria në rast embargoje nga ana e Beogradit, Basha tha se “unë kam qenë para dy të dielash në Prishtinë ku u kam përcjellë autoriteteve në Prishtinë të gjitha mesazhet e Kryeministrit Berisha. Pjesë e rëndësishme e mesazheve kanë qenë të gjitha masat që Shqipëria ka marrë, po merr dhe do të marrë në dobi të mbajtjes plotësisht të lirë të linjave komunikuese për Kosovën, atyre të transportit, energjetikës, etj., si dhe sigurimit intensiv të komunikimit tregtar, të furnizimit me energji dhe lëvizjes së lirë midis dy vendeve”.Çfarë keni diskutuar në takimin me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband, për Kosovën?Me sekretarin Miliband kemi diskutuar gjerësisht për përgatitjet që ka bërë establishmenti politik në Prishtinë për përgatitjet në nivel rajonal në mënyrë që shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ngjarjet që do të pasojnë t’i shërbejnë edhe më tej stabilitetit e paqes në rajon dhe, ç’është më e rëndësishmja, t’i shërbejnë hapjes së një perspektive evropiane dhe euro-atlantike për gjithë rajonin. Në këtë kuadër, veçanërisht kemi folur për përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të siguruar gjithë qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë pjesëtarët e minoritetit serb, se Kosova e pavarur do të jetë shtëpia e gjithë atyre që e thërrasin shtëpi dhe që Kosova e pavarur është një shans jo vetëm për kosovarët, për qytetarët e Kosovës, por për gjithë rajonin, për të çliruar energji pozitive dhe për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara.Në këtë kuadër, a u bisedua me zotin Miliband se çfarë pret Britania nga Shqipëria me rastin e shpalljes së pavarësisë se Kosovës?Sigurisht që kemi folur për rolin e Shqipërisë në këtë proces.Mendoj që ka qenë i pashmangshëm diskutimi i të gjitha mundësive që Shqipëria ofron në këtë javë kritike dhe në kohën pas saj. Kjo me qëllim vazhdimin e mbështetjes së përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për një Ballkan të qetë, i cili ecën me hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane dhe euro-atlantike.Në veçanti kemi folur për rolin e Shqipërisë si një forcë moderatore, si një zë i arsyes, si një influencë pozitive në Prishtinë dhe më gjerë. Kemi folur në veçanti për respektimin e të drejtave të minoriteteve, por edhe tolerancën e ndërsjellë fetare e ndër-etnike që karakterizon historikisht Shqipërinë dhe modelin që kjo sjell për Ballkanin në tërësi.Zoti ministër, për shkak të qëndrimit ndaj pavarësisë së Kosovës, pritet nga Serbia që të ketë ndoshta edhe një embargo ekonomike. Çfarë do të bëjë Shqipëria konkretisht, nëse jemi para një embargoje serbe ndaj Kosovës?Embargoja e deklaruar apo e presupozuar, në radhë të parë, është një masë e cila i drejtohet opinionit të brendshëm publik serb.Si e tillë, efekti i saj mbi Kosovën, në qoftë se do të ecet me hapa të tillë, do të jetë minimal. Kosova rrethohet nga fqinjë të tjerë të cilët kanë bërë të gjitha përgatitjet për të vazhduar në mënyrë të pandërprerë lidhjet me Kosovën, lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve. Në këtë kuadër Shqipëria i ka marrë të gjitha masat. Unë kam qenë para dy të dielash në Prishtinë ku u kam përcjellë autoriteteve në Prishtinë të gjitha mesazhet e kryeministrit Berisha. Pjesë e rëndësishme e mesazheve kanë qenë të gjitha masat që Shqipëria ka marrë, po merr dhe do të marrë në dobi të mbajtjes plotësisht të lirë të linjave komunikuese për Kosovën, atyre të transportit, energjetikës, etj., si dhe sigurimit intensiv të komunikimit tregtar, të furnizimit me energji dhe lëvizjes së lirë midis dy vendeve. Po kështu autoritetet e Prishtinës kanë pasur kontakte të ngushta me autoritetet e Shkupit e të Podgoricës. Në qoftë se do të ketë një lëvizje, e cila mendoj se do të ishte fatkeqe, nga Beogradi për të ushtruar presion mbi Kosovën, kjo në radhë të parë do të dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Serbisë. Së dyti, do të dëmtonte vetë ekonominë serbë, sepse Kosova dhe gjithë fqinjët e saj do të jenë plotësisht në gjendje ta përballojnë këtë situatë me sukses të plotë.A do të ketë ndryshim në marrëdhëniet e deritanishme diplomatike të Shqipërisë me Serbinë në rastin e mosnjohjes nga Serbia të shtetit të ri të Kosovës?Shqipëria vazhdon të mbështesë një axhendë emancipuese ne Ballkan, marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, pavarësisht prej pozicioneve tona krejtësisht të kundërta përsa i përket Kosovës. Ne besojmë, gjithashtu, se e ardhmja e Kosovës, sikurse e ardhmja e çdo vendi tjetër në rajon, është e ardhmja evropiane dhe euro-atlantike. Sigurisht, çdo shtet në këtë udhëtim do të bëjë zgjedhjet e veta dhe duhet të kalojë sfidat e veta. Në këtë kuadër, ne nuk urojmë dhe as nuk dëshirojmë përkeqësim të marrëdhënieve me Beogradin zyrtar. Ne shpresojmë për një angazhim konstruktiv me Beogradin, për t’i shërbyer edhe më tej paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe perspektivës evropiane e euro-atlantike të të gjithë rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›