D’Alema-Kushner: BE-ja do dalë me qëndrim unik rreth pavarësisë
• Liderët evropianë presin që të formulojnë një qëndrim të përbashkët për njohjen e pavarësisë së Kosovës.Shefi i diplomacisë italiane, Masimo d’Alema ka deklaruar se, Evropa do të dalë me një qëndrim të përbashkët sa i takon njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai bëri thirrje për qëndrim të unifikuar të Evropës për Kosovën. “Shpallja e pavarësisë mund të jetë çështje ditësh, tashmë po punohet në mënyrë intensive për arritjen e një qëndrimi të përbashkët evropian. Ky është një moment delikat për Ballkanin ndaj edhe dialogu me Serbinë duhet mbajtur i hapur”, tha ministri i Jashtëm italian duke shtuar se, vendet e bllokut janë të gatshme të njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe ministri i Jashtëm francez u shpreh se, BE-ja do të formulojë një qëndrim të përbashkët që ta njohë Kosovën, nëse ajo e shpall deklaratën e pavarësisë. “Eshtë koha për të marrë vendim nga BE-ja”, tha Kushner dhe shtoi se, “do të shohim se çfarë do të ndodhë të hënën”, duke iu referuar takimit të 18 shkurtit në Bruksel të Këshillit për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian për ta studiuar deklaratën për pavarësinë, që duket se do të paraqitet nga institucionet e Kosovës. Ndërkohë edhe pse vendet e mëdha janë pro pavarësisë, ka pak vende të Bashkimit Evropian që e kundërshtojnë një hap të tillë, të shqetësuara nga reagimi i rajoneve të tyre separatiste. Vende si Sllovakia, Qipro, Rumania etj., kanë deklaruar se, nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Nëse BE-ja ka vendosur të dalë me një qëndrim unik rreth kësaj çështjeje, nuk dihet nëse këto vende do të arrijnë të kthejnë tendencën e njohjes së pavarësisë, në anulimin e saj nga blloku evropian.