Basha: Po mbahen peng hipotekat për 2000 shtëpi

Basha dje me Shoqatën e Ndërtuesve
Kryebashkiaku me ndërtuesit ndan 33 leje për 1853 apartamente.
Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë më që të mbahen peng qytetarët nga papërgjegjshmëria e disa subjekteve ndërtuese. Kryetari Lulzim Basha ishte dje i prerë në qëndrimin e tij. Janë 130 objekte për të cilat nuk janë përfunduar dosjet e hipotekave, çka po mban pezull mbi 2000 familje. Është e pamoralshme të paraqiteni në dyert e Bashkisë vetëm kur keni nevojë, vetëm për të zgjidhur një problem tuajin dhe atëherë kur kërkohet të zgjidhni problemet e një kolektivi të tërë klientësh apo ish-klientësh që kanë paguar për banesat e tyre, ta kemi të vështirë tju gjejmë, me celularë, e-mail, adresë apo me korrierë. Ky nuk është partneritet, tha Basha. Këto deklarata ai i bëri gjatë pjesëmarrjes në Aktivin Kombëtar të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.
Hipotekat e apartamenteve
Gjatë takimit, kryebashkiaku bëri me dije se në kuadër të angazhimit për përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit të miratimit të lejeve të përdorimit, si hap i rëndësishëm për pajisjen e qytetarëve me dokumentin që i bën ata zot të shtëpive të tyre, ka përfunduar puna për 60 objekte të tjera. Rreth 33 prej tyre morën dje lejen e përdorimit, akt që i hap rrugën hipotekimit të rreth 1853 apartamenteve të banimit dhe një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 274 700 m2 ndërtim. Mbi 700 milionë euro kapital po shkrihet si rezultat i këtij procesi dhe shkrirja e plotë e kapitalit të ngurtësuar apo të ngrirë, si rezultat i papërgjegjshmërisë së deritanishme apo deri para pak kohësh është një lajm shumë i mirë, jo vetëm për tregun bankar, jo vetëm për ju si ndërtues, por për të gjithë ekonominë e qytetit, tha Basha. Basha theksoi se Bashkia e Tiranës ka përfunduar punën edhe për rreth 27 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje. Finalizimi i këtij procesi vetëm për këtë grup prej 27 dosjesh, do të bëjë të mundur hapjen e rrugës për hipotekimin e mbi 920 apartamentesh banimi, një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto me një sipërfaqe totale prej rreth 133 000 m2 ndërtim.
Plani dhe bulevardi
Kryebashkiaku theksoi se Plani Urbanistik është drejt fundit. Ky plan, sipas tij, është hartuar në kushtet e transparencës më të madhe dhe të një metodike që ka angazhuar dhe përfshirë të gjitha grupet e interesit. Drafti i Planit Urbanistik do të bëhet publik gjatë muajit maj. Ky plan do të bëjë të mundur që ndërtimet në këtë qytet të mos bëhen sipas dëshirës së kryetarit, por duke u njohur, konsultuar dhe marrë në konsideratë të gjithë vërejtjet tuaja, tha kryebashkiaku. Konkursi për bulevardin e ri të Tiranës ka qenë një tjetër pikë ku është ndalur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Zoti Basha bëri me dije se faza e konsultimit me publikun po shkon drejt përmbylljes.
ZIRINA LLAMBRO