E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Projekti teknik i Bulevardit të Ri, gati në nëntor

Lulzim Basha

TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri sot të ditur se, brenda nëntorit përfundon projekti teknik i Bulevardit të Ri  të Tiranës, me gjatësi 1.8 km. Në ekspozitën me titull: Arkitektura moderne italiane në Tiranë, vazhdimësia e një ideje, e hapur  nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti Politeknik i Barit,  zoti Basha bëri të ditur se puna në bulevard do të nisë shumë shpejt.

Në këtë projekt madhështor ne po ecim me shpejtësi, për të siguruar që jo vetëm të ndërtojmë bulevardin, infrastrukturën publike, por edhe një profil sa më qytetar, sa më bashkëkohor, sa më funksional në të dy anët e tij, një zhvillim modern që do i japë vlerë pronës së qytetarëve, që do të urbanizojë këtë zonë të populluar kohët e fundit dhe do ta kthejë në një qendër vërtet tërheqëse për Tiranën dhe gjithë shqiptarët që i thonë Tiranës, kryeqendra e tyre, u shpreh kryebashkiaku Basha.

Fillimisht, me mbështetjen financiare të BE-së, do të nisë puna për “Sheshin e Drejtësisë”. ‘Një kontribut të rëndësishëm në këtë projekt jep edhe Italia, tha zoti Basha.

Më pas, puna do të vazhdojë me objekte të tjera të rëndësishme si: Holli i Koncerteve, Galeria e Artit Bashkëkohor, një bibliotekë e madhe universitare-bashkiake e shumë e shumë institucione të tjera të rëndësishme social-kulturore, si dhe investime private të fuqishme, të tilla si kryeqendra e Societe General Bank apo të tjera objekte të rëndësishme.

Basha ka folur sot edhe mbi rëndësinë që ka zgjerimi i rrugës së Elbasanit,  një prioritet për Tiranën, e cila vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar.

“Zgjerimi i  rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes,  do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë  së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”, – tha Basha.

(M.A.)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›