E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Punesimi dhe rritja e fuqise blerese prioritetet e punes sime

Punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse janë përcaktuar si prioritete kryesore të kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Gjatë prezantimit dje pasdite të kandidatit për njesinë bashkiake nr. 4, Hysen Xhura, Basha bëri te ditur se vetëm nga ulja e taksave, krijimi i fondit të garancisë për kreditimin e biznesit, dhe nisja e unazës së madhe, do të hapen 15 mijë vende të reja pune.

Basha ka falënderuar edhe rivalin Rama për votën që i dha projektit të tij për punësimin, duke theksuar se më mirë vone se kurrë.

“Unë e kam parë dhe e kam prekur dhembjen e këtij qyteti në çdo lagje. Unë e di se nuk ka problem më të madh se punësimi, mirëqënia, fuqia blerëse, prandaj unë nuk do të pranoj të tregoj me gisht asnjë fajtor tjetër, nuk do pranoj të ngrejë asnjë alibi.

Bashkia është përgjegjëse. Po ju them sot se për mua Lulzim Bashën problemi numër një, çështja numër një, do jetë punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse.

Do të mundësoj hapjen e 4 mijë vendeve të reja pune vetëm nëpërmjet uljes së taksave. Unë do ngre një fond të veçantë, si fillim deri në 20 milion euro, dhe do bëj të mundur që nëpërmjet biznesit në Tiranë të gjenerohen edhe 6 mijë vende të reja pune. Unë jam i përkushtuar të nis menjëherë ndërtimin e unazës së Madhe që do të qarkojë qytetin tonë si vepra më e rëndësishme, infrastrukturore e historisë së Tiranës, që po ashtu do të jetë si fronti më i madh i punës ku do të punësohen direkt mbi 5 mijë qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe do të rihapet cikli dinamik i punësimit në veprat publike.

Plani im për punësimin mori para dy ditësh mori edhe voton e kandidatit tjetër për kryetarë bashkie.

Faleminderit për votën zoti Rama, më mirë vonë se sa kurrë”, u shpreh Lulzim Basha para qytetarëve të Alliasit.

Po kështu, Basha ka garantuar banorët se do ti jepet fund abuzimit me çmimet, duke bërë të ditur se për këtë do të ngrihet një agjenci e posaçme pranë bashkisë së Tiranës. “Lagjet e Tiranës, - tha Basha, nuk do të mbeten më në mëshirë të fatit por me një plan konkret, ato do të asfaltohen dhe do të krijohen hapësira të gjelbra dhe argëtimi për banorët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›