Basha: Qendra e Tiranës, në duart e një aleance klientelistësh

“Janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, presim vendimin e KE”
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh dje në emision “Log” në TVSH se qendra e Tiranës është në duart e një aleance klienteliste, të udhëhequr nga kryesocialisti dhe kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Basha u shpreh se Bashkia e Tiranës, është duke shkelur me të dyja këmbët vlerat e qendrës së Tiranës, ato vlera që janë të mbrojtura me ligj, me një ligj të vetë Edi Ramës.
“Punimet në sheshin qendror nuk kanë bazë ligjore, por Bashkia e Tiranës nuk ka as kurajo të bashkëpunojë me qeverinë. Qeveria, ka vullnetin e plotë të bashkëpunojë me Bashkinë për interesin e qytetarëve. Këtë vullnet e kemi shprehur vazhdimit, që në fillim të debatit. Sheshi qendror, s’mund të merret peng nga axhendat politike, apo akoma më keq nga axhendat klienteliste të kryebashkiakut”, u shpreh ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Ai foli dhe mbi mundësinë për kandidimin në Bashkinë e Tiranës.
Basha u shpreh se momentalisht është i angazhuar në detyrimet që iu atribuan nga zgjedhjet e 28 qershorit, si deputet i qarkut i Elbasanit dhe më vonë si ministër i Brendshëm, ku efiçenca kryesore i takon liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, ministri i Brendshëm la të hapur si mundësi, marrjen e një angazhimi të tillë nga Partia Demokratike, në momentin e duhur.
“Angazhimi im është të përfundoj mandatin si deputet i qarkut të Elbasanit dhe si ministër i Brendshëm. Jam i angazhuar për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Kam një angazhim shumë voluminoz pune. Megjithatë, është herët për t’ju përgjigjur kësaj pyetje. Në momentin që do të kem një angazhim nga PD, për zgjedhjet lokale, atëherë do të të kem edhe një përgjigje specifike”, deklaroi më tej, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Duke u ndalur te procesi i liberalizimit të vizave, Basha konfirmoi se Shqipëria ka shënuar progres të qartë në këtë kuadër. Sipas ministrit, është shënuar një përparim i prekshëm porsa i takon realizimit të kritereve të udhërrëfyesit për vizat.
Basha përmendi se kushti kryesor për vizat, siç janë pasaportat biometrike është i plotësuar, pasi janë prodhuar mbi 500 mijë të tilla. Siguria e kufijve, lufta kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të bimëve narkotike, është një tjetër garanci për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë.