E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, mazhoranca e gatshme për ngritjen e komisionit bipartizan

Shumica parlamentare shprehet se duhet të nisë menjëherë nga puna, komisioni i përbashkët me mazhorancën, për hartimin e kodit të ri zgjedhor. Me afrimin e zgjedhjeve vendore, vitin e ardhshëm, palët politike nuk kanë kohë të mjaftueshme, për neglizhencë apo anashkalim të një dokumenti të rëndësishëm për procesin elektoral, siç është Kodi Zgjedhor. Në kushtet kur opozita vazhdon të kacavirret me pretendime të pabaza për zgjedhjet e kaluara parlamentare, mazhoranca ka nisur nga puna përgatitjet për reformën zgjedhore. Deputeti demokrat dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Eduart Halimi, deklaroi sot se e vetmja mënyrë për të përmirësuar kodin, është një komision i përbashkët me opozitën. Ai vuri në dukje se përmirësimet duhet të përqendrohen në ato pika, ku edhe OSBE/ODIHR janë shprehur të rezervuara. “E vetmja mënyrë për të përmirësuar kodin, është një komision i përbashkët, për përmirësimin e Kodit. PS, duhet të jetë më kërkuese, për të ngritur zërin në përmirësimin e Kodit Zgjedhor, se është palë humbëse. Ne duhet të bëjmë ato përmirësime, të cilat janë të domosdoshme, për të përmirësuar kodin, për të patur zgjedhje të standardeve evropiane. PS duhet të vijë dhe të bëhet gati e gjithë paketa, për t’u kaluar në parlament, ku kërkohen 84 vota”, u shpreh deputeti demokrat, Eduart Halimi. Më herët edhe kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë dhënë mesazhin se mazhoranca është e gatshme të miratojë çdo propozim të opozitës, qoftë edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, mjafton që pakica parlamentare të ketë një platformë të qartë për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›