Europa mirëpret projektin “Berisha” për integrimin

Kryeministri Berisha merr përkrahjen e Presidentit të BE-së Van Rompuy dhe të presidentit të Komisionit Evropian Barroso për akordimin sa më të shpejtë të statusit të vendit-kandidat. Lidershipi evropian vlerëson “ambicien dhe vizionin politik” të mazhorancës shqiptare për t’u rikthyer në gjirin e familjes perëndimore, në të cilën ata janë bashkëthemelues
Në vijim të vizitës në Bruksel, Kryeministri Berisha zhvilloi një një takim me Presidentin e Bashkimit Europian Herman Van Rompuy.
Presidenti Van Rompuy vlerësoi se, “Kryeministri Berisha përfaqëson një vend që e ka bërë në mënyrë shumë të qartë ambicien dhe vizionin e tij politik”.
Ndërsa Kryeministri Berisha, siguroi Presidentin e BE-së Van Rompuy, se qeveria qe ai drejton dhe ai vetë, do të bëjnë më të mirën, do të ndërmarrin çdo reformë, do të miratojnë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të eci drejt integrimit në BE.
Kryeministri Sali Berisha
Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Van Rompuy, në një prononcim për mediat, shprehën kënaqësinë e këtij takimi si një moment historik për Shqipërinë, me dorëzimin e librit të përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian, pas aplikimit për t’u bashkuar me BE-në.
“Sapo përfunduam një takim shumë të rëndësishëm me Presidentin e BE-së, shkëlqesinë e tij, Van Rompuy, një mik i vjetër i Shqipërisë, shqiptarëve dhe rajonit”, u shpreh Kryeministri në fillim të deklaratës së tij para gazetarëve në Bruksel.
Më pas, Kryeministri Berisha, bëri ët ditur se kishte njohur Presidentin e BE-së Van Rompuy, me përpjekjet e Shqipërisë për integrim, si edhe me reformat për përmbushjen e këtij qëllimi kryesor.
“Pata kënaqësinë e madhe të diskutoj dhe t’i prezantoj Presidentit Van Rrompuy gjithë përpjekjet e Shqipërisë për t’u afruar më shumë me BE-në. Erdha këtu në një moment shumë të rëndësishëm për të sjelle librin e përgjigjeve të Pyetësorit të Shqipërisë nga Komisionit Europian. Gjithashtu, e informova Presidentin për të gjitha reformat, përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, reformat ekonomike, duke përfshirë situatën politike në vendin tim”, vijoi më tej Kryeministri Berisha.
Në mënyrë të përsëritur, Berisha siguroi Presidentin Van Rompuy, se ai dhe qeveria e tij, do të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën, duke paralajmëruar edhe lëshime në kuadrin e reformës zgjedhore.
“E sigurova Presidentin se qeveria ime dhe unë vetë do të bëjmë më të mirën, do të ndërmarrim çdo reformë, do të miratojmë çdo ligj, në mënyrë që Shqipëria të eci drejt integrimit në BE. Dhe gjithashtu do të bëjmë çdo përpjekje për të punuar së bashku me opozitën shqiptare. Jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha lëshimet në kuadrin e reformës zgjedhore”, deklaroi Berisha.
Në fund të deklarimit të tij, Kryeministri Sali Berisha, bëri të ditur se Presidenti i BE-së, Van Rompuy, kishte pranuar dhe kishte premtuar se së shpejti do të bëjë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Van Rompuy
Duke i uruar mirëseardhjen në ndërtesën e Këshillit të Bashkimit Europian, Presidenti i BE-së Van Rompuy, që në fillimin e deklratës së tij, vlerësoi punën e Kryeministri dhe qeverisë shqiptare në përmbushjen e ambicieve të integruese, ndërsa ripërsëriti angazhimin për perspektivën e plotë integruese, të Ballkanit Perëndimor, pas dorëzimit të pyetësorit të BE-së nga ana e Shqipërisë.
“Kryeministri Berisha përfaqëson një vend që e ka bërë në mënyrë shumë të qartë vizionin dh ambicien e tij politike. Do të doja ta përdorja këtë mundësi gjithashtu të ripërsërisja angazhimin tim të fortë për perspektivën e integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri më informoi për dorëzimin pranë Komisionit të përgjigjeve të Shqipërisë të Pyetësorit, pas aplikimit për t’u bashkuar me BE-në. Ky është një dokument historikë për vendin tuaj”.
Presidenti Van Rompuy u ndal edhe në komentet për gjendjen e brendshme të politikës shqiptare, duke i vlerësuar zgjedhjet e vitit të kaluar si një test i rëndësishëm i progresit ët Shqipërisë drejt BE-së.
“Ne diskutuam zhvillimet e brendshme politike të Shqipërisë dhe i konfirmova Kryeministrit se Bashkimi Europian po i ndjek këto zhvillime me interes dhe vëmendje të madhe. Vitin e kaluar, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Këto zgjedhje ishin një test vendimtar i demokracisë në progresin e Shqipërisë drejt gatishmërisë për anëtarësim në BE”.
Presidenti i BE-së, u ndal edhe në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, duke shprehur sigurinë e një vlerësimi të plotë dhe objektiv të këtij procesi, në raport me Shqipërinë
Në fund të deklaratës së tij, Presidenti Van Rompuy, konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri.
“Më lejoni t’i uroj vendit tuaj suksese të vazhdueshme, ndërsa ai ecën përgjatë rrugës së tij drejt Bashkimit Europian dhe i thash Kryeministrit se për herë të parë në jetën time, tashmë 62 vjeç, do të bëj një tur të kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor dhe do të vizitoj vendin tuaj të dashur dhe ju do të jeni aq i sjellshëm që të më prisni”, përfundoi Presidenti Van Rompuy.