E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Qeveria, mbështetje zhvillimit të Tiranës. Berisha: Në dy vitet e ardhshme do të asfaltojmë çdo rrugë të kryeqytetit

10-06-2013 / Gazeta 55

Përfundon rikonstruksioni i bulevardit “Petro Nini Luarasi”

Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha: “Me mbështetjen e qeverisë do të nisim rikualifikimin urban të gjithë këtij blloku, me vlerë 4.2 milionë dollarë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe kryeministri Sali Berisha kanë qenë të pranishëm në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e bulevardit "Petro Nini Luarasi”, në njësinë bashkiake nr.2, një investim prej 63,7 milionë lekësh, i financuar nga Bashkia e Tiranës.

Ndonëse  kjo arterie ka rëndësi në transportin e njësisë bashkiake nr.2 por edhe të gjithë qytetit të Tiranës, pasi përgjatë saj vendoset Tregu Elektrik si edhe për mbi 15 mijë banorët që jetojnë përgjatë saj, prej vitesh ishte lënë në harresë, duke u kthyer në një rrugë tejet të amortizuar e madje ku nuk ishte hartuar qoftë edhe një projekt për rikonstruksionin e saj.

Për këtë arsye si edhe për shkak të kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, Bashkia e Tiranës e futi ndër prioritet e para të saj.  Rruga ka sot të gjithë shtresat e nevojshme të inxhinierisë nëntokësore, ujësjellës-kanalizimeve, me riparimet e nevojshme në rrjetin ekzistues dhe shtrimin e rrjetit tjetër, kabllot e telefonisë dhe internetit, ndriçimin me mbi 50 shtylla të reja dhe riparimin e ndriçimit aktual. Po ashtu, janë mbjellë mbi 150 fidanë të rinj pemësh.

Kryebashkiaku Basha u ka bërë me dije qytetarëve se me mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Berisha, shumë shpejt nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut.
 
“Sot, me përfundimin e punimeve, dua t’u siguroj edhe njëherë se besimi që ju keni si qytetarë të Tiranës, tek Bashkia e Tiranës, për t’u përkushtuar ndaj shërbimit dhe punës për qytetarët, larg frymës së konfliktit politik, larg luftës politike që i kushtoi banorëve të kësaj zone plot 11 vite rrugë të pashtruara, kushte të papërmirësuara, do të jetë një besim që do të shpërblehet, pasi rruga, bulevardi “Petro Nini Luarasi” është vetëm fillimi i punës sonë. Në partneritet me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ne do të bëjmë të mundur shumë shpejt nisjen e rikualifikimit urban të gjithë këtij blloku, me një vlerë prej 4.2 milionë dollarësh, gjysma e fondit e parashikuar si mbështetje nga qeveria e Kryeministrit Berisha” - u shpreh z. Basha.
 
Kryeministri Sali Berisha i ka garantuar banorët e njësisë bashkiake nr.2 dhe gjithë Tiranës se qeveria e drejtuar prej tij do të mbështesë me fonde Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që në dy vitet e ardhshme, të mos ketë rrugë të pashtruara në Tiranë.
 
“Për qytetarët e Tiranës të cilët me votën e tyre në 2011 i prenë faturën për në autobusin mavi ish - kryetarit, u them se çelet një kapitull i ri për Tiranën e tyre, për Tiranën e mbarë shqiptarëve, pasi siç e dini në 11 vite u punua vetëm në tre akset dhe ne nuk mohojmë, nihilizmi nuk është kultura jonë, nuk është morali ynë, u punua në tre akse dhe u injorua pothuaj gjithçka tjetër, aty ku ishin 80 %  e banorëve. Ndihesha i turpëruar sa herë që lexoja shtypin e huaj, apo e dija dhe vetë se po të dalësh jashtë qendrës së Tiranës zbret në baltë dhe në baltë të pafund, zbret në rrugë të rrënuara dhe kjo ishte e vërtetë. E vërteta është se inventari i rrugëve të paasfaltuara, shesheve, rrugicave është mbi 250 kilometra, por e vërteta është që sado të kushtojnë, ne do i asfaltojmë ato brenda dy viteve që vijnë” – deklaroi kryeministri Berisha .
 
Kryeministri Berisha e ka konsideruar fyerje ndaj shqiptarëve qëndrimin e kryesocialistit Rama ndaj simbolit të demokracisë, dy gishtave, të vendosur sot në sheshin e Kavajës.
 
“Fyerja që shoferi i autobusit u bëri demokratëve të Shqipërisë dhe të gjithë atyre që me dy gishta lart, në mënyrën më të qytetëruar shembën diktaturën e etërve të tij, diktaturën më mizore në Evropë, ftoj të gjithë demokratët, të gjithë qytetarët  që këto 10 ditë të përshëndesin njëri-tjetrin sa më shumë me dy gishtat lart, jo vetëm se këto janë simboli i të gjithë asaj çka qytetarët e Tiranës, Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë arritën kundër një regjimi barbar, por kjo është buketa më e shkëlqyer e fitores së 23 qershorit” – u shpreh kryeministri Berisha.
 
Fjala e plotë e kreut të Bashkisë Lulzim Basha:
 
“Të dashur bashkëqytetarë të njësisë bashkiake nr.2, këtu në zemër të kryeqytetit, i nderuar z. Kryeministër!
 
Për mua është një kënaqësi e veçantë, të rikthehem këtu në këtë rrugë, pas një investimi të premtuar, të buxhetuar, të konsultuar me ju, banorë të kësaj zone, për bulevardin “Petro Nini Luarasi” i cili prej dhjetëra vitesh dergjej në kushte të papranueshme, si për zonën ku shtrihet ashtu edhe për shërbimin që u bën mbi 15 mijë banorëve të kësaj zone dhe mbi 45 mijë qytetarëve të tjerë që e përshkojnë atë në mënyrë të përditshme, si një arterie kryesore e kryeqytetit dhe një ndër rrugët kryesore për një nga tregjet e qytetit.
 
Sot, me përfundimin e punimeve, dua t’u siguroj edhe njëherë se besimi që ju keni si qytetarë të Tiranës, tek Bashkia e Tiranës, për t’u përkushtuar ndaj shërbimit dhe punës për qytetarët, larg frymës së konfliktit politik, larg luftës politike që i kushtoi banorëve të kësaj zone plot 11 vite rrugë të pashtruara, kushte të papërmirësuara, do të jetë një besim që do të shpërblehet, pasi rruga, bulevardi “Petro Nini Luarasi” është vetëm fillimi i punës sonë. Në partneritet me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ne do të bëjmë të mundur shumë shpejt nisjen e rikualifikimit urban të gjithë këtij blloku, me një vlerë prej 4.2 milionë dollarësh, gjysma e fondit e parashikuar si mbështetje nga qeveria e Kryeministrit Berisha.
 
Duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan përfundimin e investimit në një kohë kaq të shkurtër, duke u uruar banorëve të kësaj zone dhe gjithë atyre që e përdorin këtë rrugë në mënyrë të përditshme, që të gëzojnë kushtet e reja në të cilat ndodhet kjo arterie e rëndësishme e kryeqytetit, ju kërkoj që përsëri me besimin tuaj, me vendimin tuaj të zgjuar si qytetarë, t’i jepni vetes suaj, t’i jepni bashkisë suaj mundësinë, për të vijuar me projektet e tjera të mëdha që e presin këtë zonë dhe mbarë Tiranën”

Fjala  e plotë e kreut të qeverisë Sali Berisha:

“Ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time së bashku me ju për këtë bulevard të mrekullueshëm, të rindërtuar në themele dhe që  u paraqet ju siç jeni, qytetarë të një kryeqyteti që ndërton çdo ditë një të ardhme më të mirë për banorët tij. Për qytetarët e Tiranës të cilët me votën e tyre në 2011 i prenë faturën për në autobusin mavi ish - kryetarit, u them se çelet një kapitull i ri për Tiranën e tyre, për Tiranën e mbarë shqiptarëve, pasi siç e dini në 11 vite u punua vetëm në tre akset dhe ne nuk mohojmë, nihilizmi nuk është kultura jonë, nuk është morali ynë, u punua në tre akse dhe u injorua pothuaj gjithçka tjetër aty ku ishin 80 %  e banorëve.

Ndihesha i turpëruar sa herë që lexoja shtypin e huaj, apo e dija dhe vetë  se po të dalësh jashtë qendrës së Tiranës zbret në baltë dhe në baltë të pafund, zbret në rrugë të rrënuara dhe kjo ishte e vërtetë. E vërteta është se inventari i rrugëve të paasfaltuara, shesheve, rrugicave është mbi 250 kilometra, por e vërteta është që sado të kushtojnë, ne do i asfaltojmë ato brenda dy viteve që vijnë.

Ne po bëjmë gjithçka që fshatrave tona më të largëta t’u japim infrastrukturën e kryeqytetit, por kur kryeqyteti ka rrugë me baltë kjo është e papranueshme sigurisht, sepse për ne standardi i qytetit është standardi i infrastrukturës moderne, ndaj dhe jam këtu për tu angazhuar para jush dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, se investime të mëdha do të bëhen këto vite për Tiranën e ëndrrave tuaja, për Tiranën siç e meritoni.

Zonja dhe zotërinj,

Po bëhet një fushatë elektorale e qytetëruar, po bëhet një fushatë elektorale në të cilën ne po flasim me vepra, një fushatë në të cilën ne po dëshmojmë zhvillimin, në të cilën ne po shpalosim në mënyrën më konkrete, alternativën tonë për zhvillimin e mëtejshëm, për infrastrukturën moderne, për pensionet, punësimin dhe integrimin.

Ka një fushatë tjetër e cila bazohet e tëra në sharje, në shpifje, trillime. Ju dhashë një përgjigje në Kavajë, por tani më duhet t’u jap një përgjigje për të gjithë Shqipërinë, fyerja që shoferi i autobusit u bëri demokratëve të Shqipërisë dhe të gjithë atyre që me dy gishta lart, në mënyrën më të qytetëruar shembën diktaturën e etërve të tij, diktaturën më mizore në Evropë. Ftoj të gjithë demokratët, të gjithë qytetarët që këto 10 ditë të përshëndesin njëri-tjetrin sa më shumë me dy gishtat lart, jo vetëm se këto janë simboli i të gjithë asaj çka qytetarët e Tiranës, Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë arritën kundër një regjimi barbar, por kjo është buketa më e shkëlqyer e fitores së 23 qershorit. Fitore, fitore, fitore!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›