E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rama na provokoi sërish, nuk do ketë paqe për premtimet e bëra

TIRANË- “Rama sot mori përgjigje të qytetëruar, nesër dhe pasnesër cdo akt provokimi do të ketë përgjigjie proporcionale në sallën e Kuvendit, në cdo shesh në cdo rrugë...”

Është ky vendimi i mbledhjes urgjente dhe me dyer të mbyllura i grupit parlamentar të PD-së, pas tensionit të krijuar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ku kryeministri Edi  Rama prezantoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Vendimi i unifikuar i opozitës dhe aleatëve të saj, u komunikua në një konferencë për shtyp nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili teksa siguroi se opozita nuk do të bojkotojë, paralajmëroi një kërkesë-llogarie të fortë nga ana e demokratëve në seancën plenare të së shtunës ku pritet të diskutohet programi qeverisës i socialistëve.

“Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 22 vjecare të historisë demokratike. Ndërkohë që pritej që Rama nga foltorja e Parlamentit ti drejtohej pritshmërisë së qytetarëve, për të detajuar programin me të cilën erdhi në pushtet, në mënyrë të paprecedentë u përdor foltorja për të lancuar një gjuhë urrejtje dhe mllefi ndaj opozitës shqiptare. Kjo mendësi e vjetër që ngriti krye me gojën e kryesocialistit nuk është akt i izoluar, por vjen pas vendimit të djeshëm të mohimit të transparencës. Rilindja e gjuhës së mllefit dhe urrejtjes ishte e vetmja alibi e Ramës për ti ikur programit, objektivave dhe shpjegimit të rrugës si do arrihet deri aty. Grupi parlamentar i PD dhe aleatët e saj refuzon këtë gjuhë urrejtje, por në asnjë mënyrë nuk duhet të merret ky qëndrim si bojkot, nëse ky ishte qëllimi i fshehur i Ramës sot, nuk ja ka arritur. Sot Rama dështoi në paraqitjen e programit qeverisës dhe në transparencën dhe llogaridhënien e tij të parë më të cilën mori votat dhe risolli gjuhën e urrejtjes akuzave edhe përbaltjen”, theksoi Basha teksa ka paralajmëruar mazhorancën e re se nuk do të ketë paqe pa përmbushur premtimet që i ka bërë shqiptarëve. 

Basha siguroi qytetarët se PD mbetet e përkushtuar ndaj kauzës së tyre për të dëgjuar llogaridhënien nga të zgjedhurit e tyre. "Rama zgjodhi të provokonte opozitën shqiptare dhe ne u përgjigjëm duke refuzuar gjuhën e urrejtjes. Nuk do ketë paqe për premtimet e bëra.", ritheksoi Basha. 

Grupi parlamentar i PD-së mbledhje urgjente pas largimit nga Kuvendi
Ora 19:55 Grupi parlamentar i PD-së është mbledhur në një mbledhje urgjente dhe jashtë radhës pas tensionit të zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi deputetët opozitarë bojkotuan prezantimin e programit qeverisës nga Rama. Pas mbledhjes e dyta brenda ditës priten vendime me rëndësi për pozicionimin e opozitës. 
(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera PD: Sot le të prezantohet programi, por debati pas 2 ditësh. Drafti të na dorëzohet ligjërisht

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›