Basha: Rama po bllokon numërimin e bastioneve të Partisë Demokratike

Kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka arritur të ngushtojë ndjeshëm diferencën e votave me rivalin e tij direkt për bashkinë e Tiranës, Edi Rama. Ky i fundit kërkon një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit, por afrimi i frikshëm i z.Basha, duket se ka zbehur edhe entuziazmin e disa orëve më parë në selinë rozë. Kandidati demokrat ka avancuar në mënyrë të shkëlqyer dje pasdite në disa KZAZ të njësive bashkiake në kryeqytet. Kësisoj, njësitë bashkiake nr. 8 dhe nr. 7, pa harruar edhe ato nr. 2 dhe nr. 11, Lulzim Basha është në epërsi të theksuar votash, aq sa komisionerët e PS, janë detyruar që nga paniku të braktisin procesin e numërimit. Janë këto njësi bashkiake që kanë votuar pasivisht kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i cili vetëm gjatë pak orëve të pasdites së djeshme ka rikuperuar plot 1700 vota, ndërsa kjo shifër mund të tejkalohet në 3000 vota gjatë ditës së sotme. Një rezultat specifik për fitoren e Bashës në bashkinë e Tiranës mund të kishin që në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, por bllokimi i procesit në mënyrë arbitrare nga ana e komisionerëve socialistë në KZAZ, të cilët bllokuan disa herë numërimin me qëllim zvarritjen e nxjerrjes së rezultatit, bën që të presim orët e para të ditës së sotme, kur edhe të ndodhë përmbysja e madhe. Sigurisht, sjelljet e pahijshme të komisionerëve socialistë, janë rasti më flagrant i krizës së lidershipit të opozitës dhe njëherazi kandidatit për një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit, Edi Rama. Është qartësisht e kuptueshme se Lulzim Basha vazhdon avancimin drejt kreut. Dhe kjo do të ndodhë brenda pak orësh të ditës së sotme.
Përmbledhja e kronikës së djeshme
Ngushtohet ndjeshëm rezultati mes Bashës dhe Ramës - Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës është duke ngushtuar diferencën e votave me rivalin e tij, Edi Rama. Në njësitë bashkiake nr.11, nr.3 dhe nr.4 kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, është në avantazh prej 800 votash, duke rikuperuar kështu bindshëm diferencën prej 1500 votash me rivalin e tij Rama, e cila u vërejt pas hapjes së disa kutive te njësia bashkiake nr.5 në kryeqytet, një bastion kjo i njohu i të majtëve. KZAZ-të nr. 51, 52, 53 dhe 54 në kryeqytet nxjerrin në avantazh kandidatin demokrat Basha, çka pritet të ndikojë ndjeshëm në përmbysjen e rezultatit.
- Në Tiranë kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha numëron 24 998 vota, kundrejt 25 719 vota të kandidatit socialist Edi Rama, si dhe Hysni Milloshi me 257 vota. Gjithsej duhen numëruar 485 kuti. Procesi do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme.
- Në bashkinë Kamëz janë numëruar 13 kuti nga 52. Rakip Suli i PS ka 3782 ndërsa kandidati PD, Xhelal Mziu ka 4247 vota.
Mbi KZAZ-të
Lulzim Basha vazhdon të rritet në vota në thuajse gjysmën e KZAZ-ve të Tiranës, duke fituar mjaftueshëm edhe në zonat e njohura si bastione të së majtës. Në KZAZ 48 në njësinë nr 4 të Tiranës e cila është instaluar në shkollën “Bajram Curri” , kur janë numëruar 15 kuti votimi, ( rreth orës 15:00) në këtë njësi është në avantazh kandidati i PD-së Lulzim Basha me 70 vota plus. Ndërkohë që kanë mbetur pa u numëruar dhe 29 kuti të tjera. Basha ka marrë 3470 vota, ndërsa Rama 3400 vota.
- KZAZ nr 52, Lulzim Basha, kryeson ndaj rivalit të tij socialist, Edi Rama. Basha ka fituar 1199 vota, ndërsa Rama vetëm 795. vihet re një rritje e shifrave të votave drejt kandidatit demokrat Lulzim Basha
- Në KZAZ nr. 47 në shkollën “Hasan Prishtina” ka nisur numërimi në orën 12:00. Ndërkohë që në KZAZ nr 54 e instaluar në shkollën “Avni Rustemi” në njësinë nr 10, numërimi ka filluar gjatë orëve të pasdites. Një rezultat konkret parashikohet gjatë orëve të para të ditës së sotme.
- KZAZ nr. 53, e njësisë nr 9, pas një ndërprerje disa orëshe për shkak të braktisjes së KZAZ-së nga komisionerët socialistë, rinumërimi ka filluar në orën 16:00. Basha kryeson në 3 prej tyre.
- Në KZAZ nr. 47 të njësisë numër 3, është bllokuar numërimi për shkak të mungesë së diplomës së një komisioneri. Ndërsa në KZAZ 55, 58 e 59 ndërprerja është bërë për shkak të lodhjes së komisionerëve.
- Probleme ka edhe në KZAZ-në nr 50 në njësinë bashkiake nr.6, atje ku përsëri janë komisionerët socialistë ata që braktisin procesin e numërimit.