Reagimi zyrtar/Aldo Bumçi: Përmbyset rezultati në Tiranë, Lulzim Basha është fitues

Kreu i Partisë Demokratike për degën e Tiranës, Aldo Bumçi, u shpreh dje se në Tiranë vërehet një prirje kryesuese e kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha. Bumçi, nga selia e Partisë Demokratike, bëri publike disa nga të dhënat mbi procesin e numërimit të votave. “Nga analiza e të dhënave të deritanishme në kutitë e numëruara, jemi optimistë nga prirja që shikojmë. Së pari , ¾ e kutive të numëruara deri tani kanë qënë zona të fituara nga Partia Socialiste në vitin 2009, pra askush nuk duhet të krijojë një ide të gabuar se ato përfaqësojnë trendin e votimit në të gjithë Tiranën. Së dyti, dëshiroj të vë në dukje se në një numër të konsiderueshëm të këtyre qendrave të fituara në vitin 2009 nga Partia Socialiste, sot kandidati i “Aleanca për Qytetarin” z.Lulzim Basha ka arritur të përmbysë rezultatin duke i fituar ato. Së treti, në terren deri në masën 50% është fituar edhe në pjesën tjetër të këtyre qendrave. Të gjitha këto të dhëna na çojnë në pritshmërinë se kjo prirje pozitive, do të vazhdojë. Ne jemi optimistë për rezultatin përfundimtar. Megjithatë nisur nga fakti se vetëm 15% e kutive janë numëruar Partia Demokratike ripërsërit thirrjen drejtuar të gjithë numëruesve të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me përkushtim dhe në përputhje me ligjin duke garantuar kështu numërimin e saktë të çdo vote të hedhur nga qytetarët e Tiranës” - theksoi z. Bumçi.
Jozefina Topalli: “Aleanca për Qytetarin”, rezultat spektakolar, kryeson në të gjithë vendin/N-kryetarja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli në një konferencë për shtyp të bërë përpara mediave, në selinë e PD shprehu mbështetjen për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e procesit zgjedhor. Ajo ftoi kryetarin e opozitës, të deklarohet se do të pranojë rezultatin për këtë proces, duke shënuar një risi të historisë zgjedhore. “Jam sot këtu për të përgëzuar komisionerët dhe numëruesit për detyrën e tyre tejet të rëndësishme. I ftoj të vazhdojnë me përkushtim numërimin e çdo vote dhe zbatimin e plotë të ligjit, si deri më tani. Ky proces ende nuk ka përfunduar, prandaj ne jemi të vendosur, ashtu siç ju kemi premtuar, të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga Komisionet Zonale të Qeverisjes Vendore, si dhe certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rrafsh kombëtar koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. Numëruesit dhe komisionerët janë heronjtë e ditës. Gjithë Shqipëria i ka sytë tek ata. Shqiptarët dje kanë votuar për administratorët lokale, në paqe, qetësi dhe rregull, si Europianë nga Tropoja deri në Delvine. Procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet, me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji. Ftoj z. Rama, të deklarohet se do të njohë rezultatin, në çdo bashki dhe komunë” - u shpreh kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se, pikërisht kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Sipas saj, administratorët lokalë duhet të kurorëzohen ashtu siç u votuan dje nga votuesit e tyre në bashki dhe komuna: me dinjitet evropian.
Lezha feston fitoren e kandidatit të PD/LSI, Viktor Tusha/Lezha ka festuar fitoren e Viktor Tushës menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit. Tusha i cili kandidoi nën siglën e Partisë Demokratike, fitoi me 303 vota plus ndaj kandidatit të Partisë Socialiste, Gjok Jaku. Gara ishte e parashikuar e fortë dhe është ndjekur me vëmendje nga votuesit në Lezhë. Viktor Tusha garoi për një tjetër mandat. Fitues në 2007, përballë tij ishte një kandidat i fortë i PS-së ish-deputeti Gjok Jaku, i cili më parë ka drejtuar bashkinë e Lezhës.