E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Rama të kërkojë ndjesë, që e la qytetin 11 vjet pa plan – Tirana e refuzoi gjuhën e konfliktit dhe do ta refuzojë sa herë të ketë zgjedhje

28-12-2012 / Gazeta 55

Tiranë, në fund të 2013, “Ahmet Gashi” do të jetë një shkollë tërësisht e re. Kryebashkiaku: Shkolla e re i jep fund mësimit me turne
 
Në fund të vitit 2013, 1000 nxënësit e Laprakës do të kenë një shkollë të re, duke i dhënë fund mësimit në kushte të papranueshme dhe me turne. Shkolla “Ahmet Gashi”, e ndërtuar në vitin 1960 do të ndërtohet nga e para. Sot, ka nisur puna për shembjen e saj, duke i hapur rrugën ndërtimit të shkollës së re. Kryebashkiaku Lulzim Basha, Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, njëherësh deputet i zonës, Aldo Bumçi kanë qenë të pranishëm, në nisjen e punës, për t’i dhënë Laprakës një shkollë të re.   
“Shkolla e re do te kete  25 klasa, 6 laboratorë dhe dy klasa pune si dhe do të akomodojë një kapacitet prej 1000 nxënësish, duke përmbushur kështu një nevojë të madhe të komunitetit të zonës por duke hequr një nga hallet e mëdha të prindërve që ka qenë mësimi me dy turne në këtë shkollë. Po kështu, do të ndërtohet një palestër e parametrave modernë si dhe do të bëhet rikualifikimi i të gjithë ambienteve rrethuese të shkollës, sipas një projekti model i cili jo vetëm respekton në mënyrë rigoroze standardet e Ministrisë së Arsimit por nga ana arkitekturore përfaqëson një hap më tej, në ndërtimin e shkollave në kryeqytet, një hap drejt një standardi qartësisht evropian, jo vetëm sa i përket estetikës por çka është më e rëndësishme sa i përket standardeve, sistemit të ngrohjes, ndriçimit me efiçencë dhe shpenzime të kontrolluara si dhe ambienteve të bollshme, qarkullimit të ajrit, pra të gjithë parametrave modernë dhe evropianë, që do të gëzojë kjo shkollë.  . Pra, më vjen mirë që një shkollë e ndërtuar në vitet ’60, në fakt është shkolla ku nëna ime ka filluar të japë mësim për herë të parë si mësuese, në vitin 1963. Sot, i ka ardhur dita t’i lërë vendin një projekti që i përgjigjet nevojave dhe vizionit të Tiranës së shekullit të 21-të”- u shpreh z. Basha

Me një investim prej  rreth 225 milionë lekësh, shkolla do të jetë gati në muajin nëntor të vitit 2013. Sipas Kreut të Bashkisë, z. Basha, ky është fillimi i ndërtimit dhe rindërtimit të një sërë shkollash në Tiranë.
      
“Dua të falënderoj me këtë rast, të gjithë stafin që ka punuar për përgatitjen në kohë rekord të projektit. Natyrisht, projekti do të financohet tërësisht nga burimet e Bashkisë së Tiranës dhe një kontribut i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, pra nuk do i biem në qafë Ministrit së Arsimit për fonde shtesë, sikundër ne po vazhdojmë projektet për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave anembanë qytetit dhe presim që vitin e ardhshëm të miratohet edhe një kredi prej 15 milionë eurosh nga një organizatë partnere OFID, që do të bëjë të mundur realizimin e planit tonë, që nga njëra anë është ambicioz, në raport me të kaluarën por nga ana tjetër një domosdoshmëri, duke pasur parasysh ritmin e ulët të ndërtimit të shkollave në Tiranë gjatë dekadës së fundit”- theksoi Kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është pyetur edhe për qëndrimin e ish - kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, lidhur me planin urbanistik të Tiranës, i cili u miratua më 24 dhjetor, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Z. Basha tha se  ish - Kryebashkiaku duhet të kërkojë ndjesë, që e la Tiranën 11 vjet, pa plan.

“Së pari, mendoj se para se të flasë për planin urbanistik, i cili pas 23 vitesh i ofrohet qytetarëve të Tiranës, z. Rama, në pozitat e ish-kryetarit të Bashkisë duhet të shpjegojë se çfarë e pengoi ose çfarë nuk e motivoi, që ta bënte këtë plan në 11 vite. Së dyti, mendoj se bashkë me shpjegimin, çfarëdo të jetë justifikimi, do të ishte e arsyeshme të kërkonte ndjesë për mungesën e planit, që i ka sjellë kaq shumë dëme qytetit dhe veçanërisht në zhvillimin pa planifikim dhe në trajtimin e pabarabartë të pronës së qytetarëve. Së treti, shpreh keqardhjen që ka zgjedhur gjuhën e kërcënimit, në veçanti për komunitetet autoktone dhe komunitetet e vjetra që përfitojnë nga ky çlirim i planit, nga paragjykimet apo ato instrumente që u përdorën për të “ngrirë” zhvillimin e pronës së tyre. Ndërkohë që prona të tjera u zhvilluan, pronat e tyre u “ngrinë” me justifikime të paqëndrueshme, zona monumentale, ndërkohë që ishin prej kohësh zona në nevojë të madhe për zhvillim dhe së katërti, jam i bindur se qytetarët e Tiranës e kanë refuzuar një herë gjuhën e konfliktit politik, gjuhën e kërcënimit dhe çdo zgjedhje individuale apo politike e z. Rama, për të rikthyer kërcënimet ndaj banorëve të Tiranës, jam i sigurt se do të marrë përgjigje të njëjtë, sa herë që të ketë zgjedhje”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›