E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Çmimet nuk janë rritur

28-12-2012 / Gazeta 55

Task - forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe sot inspektimet në tregjet e kryeqytetit, për t’i prerë rrugën abuzimit me çmimet. Sot, task - forcës në tregun ushqimor tek “Qyteti i Nxënësve” i është bashkuar edhe zv/Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Petrit Vasili.

Z. Vasili tha se situata vazhdon të mbetet në parametra normalë, madje shumë artikuj të shportës kanë pësuar ulje të çmimeve. Ndërkohë, z. Vasili bëri të ditur  se do të vazhdojnë monitorime të rrepta, deri në ditën e fundit të festave.  “Deri tani, tregtarët janë treguar bashkëpunues” - tha Vasili. “Sot, verifikuam një tjetër treg shumë të rëndësishëm, një nga tregjet më të rëndësishme të Tiranës, në mënyrë të veçantë për artikujt që përbëjnë edhe bazën e artikujve themelorë të një familjeje, atë që ne kemi quajtur tradicionalisht “artikujt e shportës”, si miell, vaj, sheqer, oriz etj dhe konstatojmë me kënaqësi që çmimet janë nën kontroll të plotë, madje ashtu sikurse ju patët mundësi të ndiqni vetë, në mënyrë spontane, disa artikuj të rëndësishëm, në mënyrë të veçantë sheqeri, konsum i cili njihet tashmë apo vaji, mielli tashmë kanë pësuar ulje. Situata paraqitet në kontroll të plotë, shumë pozitive dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim, po me të njëjtin intensitet deri në fund. Gjithashtu, edhe për tregjet e tjera, tregu tjetër i rëndësishëm tek “Uzina Dinamo”, i cili tregton me shumicë në sasira shumë të mëdha artikuj vendi, artikuj kryesorë bujqësorë, çmimet vazhdojnë që të jenë pa asnjë ndryshim dhe kjo është një gjë shumë pozitive dhe u duhet komunikuar të gjithë qytetarëve shqiptarë”.
Sa i përket luhatjes së çmimeve për disa artikuj importi, zv/kryetari Vasili tha se në bashkëpunim me struktura të tjera të shtetit, po merren masa për të gjithë abuzuesit.
“Kemi ndjekur me vëmendje disa luhatje të disa artikujve të importit, kryesisht artikuj të tillë si portokalle, mollë etj. Ndjekja nga inspektorët tanë ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë ditës. Kryesisht nga  verifikimet tona, vihet re një lëvizje nga 10-15-20%, jo më shumë se kaq, megjithatë kemi ndjekur dhe verifikuar dhe për historitë e origjinës dhe kemi nën vëzhgim të fortë dhe këtë rritje çmimesh. Pra, këto riluhatje do të rezultojnë më të mëdha se kaq, ne nuk do të hezitojmë të ngremë tregje alternative, ballë për ballë këtyre tregjeve” – u shpreh z. Vasili.
Po kështu, Vasili ka theksuar vendosmërinë për monitorimin e tregtimit të lëndëve plasëse dhe djegëse të rrezikshme. Kontrollet e vazhdueshme kanë ndërgjegjësuar edhe tregtarët që të mos i tregtojnë ato, pasi do të përballen me vendosmërinë për t’i hequr nga tregu.
“Ju konstatoni në mënyrë të drejtpërdrejtë, që situata është pakrahasimisht e ndryshme, nuk tregtohen aspak fishekzjarrë që paraqesin rrezikshmëri për mjedisin shoqëror, por edhe për shëndetin e njerëzve. Para dy vjetësh ne nuk do mund të zhvillonim një intervistë të qetë këtu, por edhe në të gjithë Tiranën, si rrjedhojë e përdorimit abuziv të tyre edhe në ambiente publike dhe njëkohësisht këtë problem shumë të rëndësishëm do të vazhdojmë ta ndjekim në mënyrë këmbëngulëse dhe të suksesshme, si deri më sot” - theksoi z. Vasili.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›