Basha: Shqipëria, reforma për të hyrë në NATO

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, deklaroi sot në Bruksel se "Shqipëria është gati të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga privilegji i të qenit anëtar i Aleancës më të suksesshme në histori".I pranishëm në takimin vjetor të Ministrave të Jashtëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku për herë të parë janë ftuar të marrin pjesë Shqipëria dhe Kroacia, dy vendet që u ftuan të bëhen anëtare të Aleancës në Samitin e Bukureshtit në prill të këtij viti. Ministri Basha gjatë fjalës së tij i shprehu mirënjohjen e thellë Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë procesit të suksesshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Jashtme Basha siguroi kolegët euroatlantikë se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të konsoliduar dhe për të çuar më tej reformat dhe standardet e arritura në rrugën e saj të integrimit në NATO.Ai falenderoi vendet që e kanë ratifikuar tashmë protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe angazhimin e shprehur nga vendet e tjera për ta përmbyllur këtë proces sa më shpejt. Basha vuri në dukje se procesi i zgjerimit të NATO-s ka zgjeruar zonën e sigurisë dhe të stabilitetit në Evropën Juglindore. Ai shprehu bindjen se kapërcimi i çështjeve të mbetura pezull do t'i shërbejë integrimit të shpejtë të Maqedonisë në Aleancë. Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, Ministri Basha rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të shtrirjes së misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në zbatim të Planit Ahtisaari. "Zbatimi pa asnjë cënim i Planit Ahtisaari është garancia më e mirë dhe një domosdoshmëri për sigurinë, stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë", theksoi Ministri Basha. Basha përsëriti mbështetjen plotë të Shqipërisë për perspektivën euroatlantike të vendeve të tjera të rajonit duke përshëndetur Dialogun e Intensifikuar të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës me Aleancën si një hap në drejtimin e duhur.Ministri Basha u takua dhe bisedoi gjatë punimeve të sesionit me Sekretaren e Shtetit Amerikan Condoleezza Rice, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Scheffer, ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Italisë, Francës, Greqisë, Spanjës etj. Koleget euroatlantike i rikonfirmuan Ministrit Basha mbështetjen e plotë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë para Samitit të Strasburgut. Gjatë ditës së sotme Ministri Basha mori pjesë në një drekë të Ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe vendeve të Mesdheut Jugor, në kuadër të dialogut mesdhetar të NATO-s. Bashkëpunimi i vendeve në kuadër të këtij dialogu për çështje si procesi i paqes në lindjen e mesme, lufta kundër terrorizmit dhe pirateria ishin çështjet kryesore të diskutuara gjatë kësaj darke.