Basha: Shqipëria vitin tjetër në NATO

Mbështetja që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në qarqet diplomatike ka vazhduar edhe me debatin më të fundit për planin prej 6- pikash të sekretarit te përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Kështu gjatë një takimi që shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha ka zhvilluar me sekretarin e pergjithshëm të NATO-s Scheffer, i ka përcjellë atij qëndrimin e qeverisë shqiptare pro vendosjes sa më të shpejtë të misionit të EULEX-it në të gjithë territorin e vendit, në përputhje me kushtetutën e ligjet e Kosovës, dhe siç parashikon paketa Ahtisari. Për me tepër Ministri i Jashtem Lulzim Basha i ka deklaruar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, se Shqipëria do të kontribuojë në fondin për krijimin e forcës së sigurisë së Kosovës me një shumë prej 100 mijë euro. Ndërkaq pjesë e takimit mes shefit të diplomacisë shqiptare dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer ka qenë edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, në samitin e ardhshëm në Strasburg do të arrihet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit u diskutuan dhe çështje të tjera të rëndësishme që preokupojnë aleancën, si dhe parapërgatitjet për mbledhjen e ministerialit të ministrave të jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe NATO-s, që mbahet muajin e ardhshëm në Bruksel.