E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Si do të bëhet hipotekimi i ndërtimeve

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në një intervistë para zgjedhjeve të 8 majit në “Zonë e Lirë”, shpjegoi se si do të zgjidhej çështja e hipotekimit të banesave në ndërtimet e reja në kryeqytet.

Ju keni thënë se 90% e të pahipotekuarve nuk kanë probleme me pronësinë?

Konstatojmë se 90% janë raste kur nuk ka asnjë problem, por bashkia nuk e jep lejen e shfrytëzimit. Ka dhe raste që është lejuar devijimi i projektit po nga bashkia. Ka raste qesharake, si për shembull mund të jenë 20 centimetra të një muri, për të cilat bashkia nuk ka reaguar në kohë. Ky është një problem që ka bllokuar një kapital të madh, që shkon të paktën 700-800 milionë euro.

Po kur ndërtuesi nuk ka lekë të paguajë për momentin dhe leja e shfrytëzimit është marrë, si do të veprohet?

Baza fiskale te Hipoteka nuk mund të pengohet më nga pagesa, sepse amnistia apo falja fiskale që u miratua, kap edhe këto gjoba. Pra këto gjoba janë falur dhe nuk janë më pengesë. Paradoksi qëndron se edhe nëse gjobat janë falur nëpërmjet amnistisë, kjo nuk ka asnjë vlerë kur nuk ke lejen e shfrytëzimit.

Si do të bëhet konkretisht, si do të ndërhyni, te banori apo do të kaloni serish nga ndërtuesi?

Ka dy mënyra. E para, bashkia një për një, por me një sistem të shpejtë, në një kohë fare të shkurtër, të shqyrtojë të gjitha rastet. Të zhbllokojë të gjitha rastet që nuk kanë asnjë problem ligjor apo gjyqësor, për të marrë hipotekat. Do të analizohet pse ka ndodhur ky bllokim. Duhet të hartohen disa akte nënligjore, që të mos ndodhë më ky problem. Kjo është përgjegjësia që ka bashkia ndaj qytetarëve. Me këtë do të merrem, por dhe shumë gjëra të tjera, ku bashkia ka qenë një "mur memec" për qytetarët. Sepse bashkia ekziston për t'i shërbyer qytetarit. Bashkia ka qenë një memece ndaj qytetarit. Ç'kuptim ka që të financojmë një bashki, në rast se nuk është në shërbim të qytetarit. Do të rishikohen me shpejtësi të gjitha lejet e ndërtimit. Do të mënjanohet menjëherë problemi i atyre që nuk kanë devijuar nga projekti. Do të jepet leje ndërtimi e kushtëzuar për ato pjesë që nuk janë në përputhje me projektin. Sigurisht, kur këto ndërtime nuk kanë cenuar sigurinë e projektit dhe nëse nuk kanë cenuar pronë apo interesa private. Për pjesën tjetër do të jepet leje-shfrytëzimi e kushtëzuar, deri sa ndërtuesit të paguajnë detyrimet e tyre. Po kështu, ekipi im po diskuton aktualisht dhe me mysafiren e madhe në qytetin tonë, se qeveria është mysafire në Tiranë. Kjo mund të bëhet me një ligj te veçantë që mund të kursejë kohë, që do të thotë se ky proces mund zgjidhet edhe me një ligj të ri. Ligji i 1998 parashikon të gjitha hapat, ku etapa e fundit janë ato të kolaudimit, që kanë mbajtur peng hipotekat gjithë këtë kohë. Me këto ndërhyrje, brenda një kohe të caktuar, i gjithë problemi zgjidhet pa pasur nevojë të kalojë në analet e bashkisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›