E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera rrit importin e mallrave të luksit

03/08/2011  Sipas INSTAT-it, shqiptarët po konsumojnë 32,1 për qind më shumë mallra me akcizë, ku përfshihen karburantet, pijet alkoolike, cigaret, kafja dhe birra

Stina e verës po shoqërohet me një konsum më të madh të mallrave të luksit. Instituti i Statistikave ka konstatuar se është rritur ndjeshëm konsumi i karburanteve, pijeve alkoolike, cigareve, kafes dhe birrës. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it, gjatë muajit qershor importi i mallrave me akcizë arriti në 7,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 32,1 për qind kundrejt majit. Importi i mallrave të luksit zë 16,1 për qind të importeve që realizohen. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara me 76 për qind e zënë nënproduktet e naftës.

Rritja e importit të mallrave me akcizë, që rrjedhimisht tregon edhe për shtim të konsumit të tyre, ndodh çdo vit gjatë muajve të verës. Kjo jo vetëm se mbeten ndër produktet e preferuara në këtë periudhë të vitit, por dhe për shkak të kthimit të një pjese të emigrantëve në atdhe për pushime dhe turistëve, të cilët rritin kërkesën. Eksperienca e deritanishme ka treguar se importi i mallrave me akcizë pëson rritje deri në fund të gushtit, për t’u reduktuar më pas me përfundimin e sezonit veror.

Gjatë verës rritje e çmimit të mallrave të luksit

Rritja e konsumit të mallrave të luksit është shoqëruar me shtrenjtim të tyre. Për shkak të kërkesës së lartë për këto produkte, veçanërisht gjatë verës, çmimet e tyre pësojnë rritje. Kjo kryesisht në zonat bregdetare, ku çmimi i paketave të cigareve, i karburanteve etj. varion nga 3 deri në 5 lekë më shumë se në qytetet e tjera. Shtrenjtimi i këtyre produkteve ndikon direkt në buxhetet familjare, duke pasur parasysh se përbën një pjesë të shpenzimeve të përditshme. Aktualisht në pikat e shitjes me pakicë nafta shitet me 172 lekë për litër, ndërsa benzina me 174 lekë për litër. Ndërkohë në zonat bregdetare çmimet janë më të larta. Gjatë muajve të verës rritje pëson edhe çmimi i pijeve alkoolike. Kjo si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të këtyre produkteve jo vetëm nga të rinjtë, por dhe turistët e shumtë dhe emigrantët që kthehen për të kaluar pushimet në atdhe.

Bilanci tregtar

Reduktohen humbjet në tregtinë e jashtme

Gjatë muajit qershor bilanci tregtar i vendit është përmirësuar. Kjo pasi deficiti tregtar është reduktuar. Nga të dhënat e Institutit të Statistikave rezulton se në qershor u eksportuan 16,5 miliardë lekë mallra, me rritje 2,1 për qind në krahasim me majin dhe rritje me 0,2 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkaq u importuan 46,6 miliardë lekë mallra, me rritje 0,7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm dhe rritje 14,1 për qind kundrejt qershorit të vitit të kaluar. Deficiti tregtar i këtij muaji është 30,07 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0,1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 23,5 për qind krahasuar me qershor 2010.

Tregtia me vendet e BE-së është 67,7 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 56,2 për qind dhe importi 33,4 për qind, ndërsa me Greqinë eksporti është 6,2 për qind dhe importi 10,5 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin: Gjermani, Greqi, Kosovë, Maqedoni, Turqi etj.; për importin: Greqi, Itali, Kinë, Maqedoni, SHBA etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon se eksporti i grupit “ushqime, pije, duhan” u rrit 29,2 për qind, “tekstile dhe këpucë” u rrit 7,9 për qind, “materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 7,7 për qind etj. Eksporti i grupit “lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 20 për qind etj.

Importi i grupit “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 20,7 për qind, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 8 për qind, “prodhime druri dhe letre” u rrit 5,4 për qind, importi i grupit “materiale ndërtimi dhe metale” u ul 19,4 për qind etj.

Investimet e huaja zëvendësuese për paratë e emigrantëve

Ekspertët e vlerësojnë një sinjal pozitiv për ekonominë shqiptare rritjen e fluksit të investimeve të huaja direke, të evindetuar në raportin botëror të investimeve të huaja për vitin 2011, që u prezantua dy ditë më parë nga zyra e PNUD-it në Tiranë. Sipas ekspertit Ardian Civici, ky fluks të ardhurash nga investimet zëvendëson burimet tradicionale, që po shënojnë rënie, si remitancat, privatizimet etj.

“Ky është një lajm i mirë për ekonominë dhe zhvillimin në Shqipëri. Ky lajm është i rëndësishëm sepse në rajonin e Europës Juglindore Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet më atraktive për sa u përket investimeve të huaja direkte, ndërkohë që shumë vende të tjera, që deri para disa vjetësh kanë qenë para nesh në këtë fushë, tani kanë mbetur pas. Duhet theksuar se zëvendësimi i disa faktorëve që kanë ndikuar deri tani në mënyrë konstante në rritjen ekonomike të vendit, siç janë remitancat apo të ardhurat nga privatizimet etj., duhet të zëvendësohen nga investimet e huaja direkte, që në thelbin e tyre përmbajnë elemente të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomiko-social të vendit. Kjo vazhdimësi e rritjes së investimeve përbën një trend shumë pozitiv për një rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare”, - shprehet Civici.

Ai përmend gjithashtu edhe faktorët që kanë sjellë këtë rritje investimesh në Shqipëri. Investitorët e huaj janë të tërhequr nga stabiliteti makroekonomik që gëzon vendi, pozicioni gjeografik dhe nga projektet e qarta të zhvillimit ekonomik. Investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë vitit 2010 kapën shifrën 1 miliard e 97 milionë dollarë. Kjo shifër na rendit të dytët në rajon për fluksin më të lartë të investimeve të huaja direkte pas Serbisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›