E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Të bashkojmë energjitë për ta çuar Tiranën përpara

25-05-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha, kandidati fitues i garës së kryeqytetit, flet pas vendimit të KQZ-së, duke shprehur entuziazmin për të nisur sa më shpejt punën për realizimin e projekteve, që do ta nxjerrin Tiranën nga ngërçi ekonomik. Megjithatë, ai rikonfirmon vullnetin për të pritur përfundimin e procesit të animimit dhe certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, para se të rinovojë apelin për bashkimin e energjive për zhvillimin e metropolit të të gjithë shqiptarëve

Pas shpalljes së rezultatit për Tiranën nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lulzim Basha iu drejtua me një mesazh të gjithë kryeqytetasve, nëpërmjet mediave. Duke iu referuar sërish zyrtarizmit të plotë të të gjithë procesit zgjedhor në kryeqytet, Basha falënderoi qytetarët për vlerësimin dhe i ftoi ata të bashkohen në misionin e tij për Tiranën ndryshe.
Kandidati i mazhorancës për kryetar të bashkisë së Tiranës, e cilësoi dje përfundimin e procesit të zgjedhjeve “një fitore të vërtetë për demokracinë”.
“Mbrëmë (parmbrëmë), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha Basha, duke vepruar si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën mori vendimin përfundimtar për të garantuar që çdo votë është numëruar dhe zëri i çdo qytetari është dëgjuar.  Gjatë gjithë këtij procesi u mbrojt me rigorozitet integriteti i votës, dhe çdo kuti ku ndodheshin këto vota dhe që kishin vulat dhe kodet unike, u hapën, votat u vlerësuan, dhe numërimi i tyre u krye drejtpërsëdrejti në televizion para syve tuaj. Mbi 250 mijë qytetarë votuan në këto zgjedhje, më shumë se ndonjëherë më parë në historinë e Tiranës. Është një e drejtë themelore, e mishëruar në Kushtetutën tonë, në kushtetutën Europiane të të drejtave të Njeriut,  është një e drejtë universale e gjithë njerëzve të lirë, që çdo votë të numërohet. Dhe tani, çdo votë është numëruar, dhe zëri i çdo qytetari ka pasur shansin të dëgjohet. Kjo është një fitore e vërtetë, fitore e demokracisë”, u shpreh Basha.
Në deklaratën për mediat, Lulzim Basha tha se, “kjo ishte një garë e ngushtë por sidoqoftë këto janë zgjedhjet me të cilat Tirana mund të ndihet vërtetë krenare”.
Duke vlerësuar se i gjithë proces i votimit dhe i numërimit në këto zgjedhje ishte i drejtë, transparent dhe i saktë, kandidati për kryebashkiak i mazhorancës tha se, “është më e lehtë për demokracinë të funksionojë kur kemi rezultate zgjedhore të thella por demokracia vihet në provë kur rezultati është i ngushtë. Ne nënshtruam emocionet tona dhe pritëm qetësisht që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej. Qytetarët janë të entuziazmuar për të ardhmen e qytetit tonë, për një politikë të një lloji të ri dhe një qeverisje vendore të një lloji tjetër. Qytetarët gjithashtu e kanë vlerësuar respektin institucional që ne kemi dëshmuar dhe mënyrën se si reaguam gjatë gjithë procesit pas-zgjedhor. Unë besoj se ne ndryshuam mënyrën se si funksionon politika, ndryshuam perceptimin e asaj se çfarë do të thotë të jesh zyrtar i zgjedhur. E gjithë kjo u arrit duke ju ndjerë, duke ju vendosur - siç e meritoni - ju të parët. Për ne, mbi të gjitha qëndronte detyrimi i të numëruarit të çdo vote, edhe të votave kundër nesh, në mënyrë që çdo zë të dëgjohej”.
Më tej Basha tha se, “rezultati i shpallur tregoi se 81 bashkëqytetarë më shumë votuan për mua, por unë do të pres deri në përfundimin e procesit”.
Sipas tij, procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim të plotë tek institucionet dhe shteti ligjor.     
“Por unë do të pres deri në përfundimin e plotë të procesit. Procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim te plotë tek institucionet. Dhe pasi të jenë shqyrtuar të gjitha kërkesat nga të gjitha palët, do të kryhet certifikimi përfundimtar i rezultatit. Më pas, ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta çuar Tiranën përpara, shumë përpara, ashtu siç ajo e meriton”, nënvizoi Basha.
Ai vuri në dukje se interesi  madhor i këtyre zgjedhjeve është më i madh se çështja se kush fiton apo humbet.
“Siç gjithkush e di, guri themeltar i demokracisë qëndron në faktin se, nuk vendos as unë, as Edi Rama se kush fitoi apo humbi;  sepse e përsëris, ju jeni të parët dhe e gjithë kjo varet nga ju. Kjo ishte një garë shumë e ngushtë dhe një garë e ngushtë të përball pashmangshmërisht me sfida, por sfidat në vetvete sjellin mundësi të reja. Interesi madhor i këtyre zgjedhjeve është më i madh se çështja kush fiton apo humbet. Në këtë moment emocionesh të forta të të dyja palëve, ju ftoj për një refleksion të qetë, për sa më shumë qetësi dhe respekt ndaj institucioneve, shtetit ligjor sepse kjo është më e mira që mund të bëjmë së bashku për qytetin tonë”, përfundoi kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›