Basha: Telefonata me Topin më 21 Janar, pas këshillës së ambasadorit për Ushtrinë
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka dëshmuar para Komisionit hetimor skenarët e PS-së për marrjen me forcë të Kryeministrisë, ose shkaktimin e paevitueshëm të viktimave. “Komunikimi me Topin, pas këshillës së një ambasadori për nxjerrjen e Forcave të Armatosura në mbrojtje të Kryeministrisë. Hetimi, prokurori ka futur në xhep predhat e dala nga trupat e viktimave”
Tiranë Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka dëshmuar dje përpara Komisionit hetimor parlamentar se Partia Socialiste kishte disa skenarë për demonstratën e 21 Janarit: marrjen me forcë të Këshillit të Ministrave, ose në të kundërt shkaktimin e paevitueshëm të viktimave. Ai ka treguar se si ishte informuar për tri viktimat, ndërsa ka zbardhur më tej komunikimet me Prokuroren e Përgjithshme për 6 urdhër-ndalimet ndaj zinxhirit komandues të Gardës. I pyetur nga anëtarët e Komisionit hetimor, Basha ka shpjeguar edhe komunikimin e vetëm me presidentin e Republikës, Bamir Topi, gjatë kohës së demonstratës, pas sugjerimit të një ambasadori për futjen e Forcave të Armatosura në mbrojtje të Kryeministrisë. “Më ka marrë në telefon Presidenti i Republikës, e kam informuar për situatën jashtëzakonisht të rëndë, e kam informuar se nga momenti në moment prisja që të thyhej perimetri i sigurisë së Kryeministrisë dhe e kam informuar se ambasadori në fjalë më sugjeroi, më këshilloi apo pyeti, nëse në këtë moment mund të kishte ndonjë forcë tjetër që të siguronte që perimetri të mos thyhej. Presidenti m’u përgjigj që ka një kuadër institucional që duhet të ndiqet”, - tha ministri i Brendshëm. Gjatë dëshmisë së tij, Basha ka komentuar edhe hetimin e deritanishëm të Prokurorisë, duke pohuar se prokurorët kishin futur në xhep predhat që shkaktuan viktimat, ndërsa rrobat e tyre i kishin futur në kasafortë.
Ndonëse ishte njoftuar një tubim nga një forcë politike, Partia Socialiste, ndonëse ky tubim kishte marrë përmasa kombëtare, i angazhuar dhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, masa e njerëzve sapo u vendos përpara rreshtimit të forcave të Rendit, nuk u angazhua në asnjë parullë politike; nuk pati asnjë fjalim, por menjëherë nisi dhe mesazhi i vetëm i 21 Janarit, dhuna. Menjëherë pas mbërritjes përpara kordonit policor, pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë provokim, elementët kriminalë, të gjendur dhe të grumbulluar aty përpara, nisën goditjen e forcave të Rendit. Në fillim me çadra, hunj, mjete të tjera të forta, që i mbanin në duar dhe pastaj dhuna u përshkallëzua. Vetëm pak minuta pas nisjes së goditjes me mjetet e forta që i kishin sjellë, nisën të lëvizin pllakat e bulevardit dhe të godasin me furi mbi rreshtat e punonjësve të Rendit, çka kërkoi menjëherë edhe nisjen e planit të masave, që konsistonte në ato momente largimin e policisë së Rendit, të veshur vetëm me uniformën e ditës dhe daljen e forcave të veshura me mjete mbrojtëse. Dhuna u përshkallëzua hap pas hapi. Në valën e parë të dhunës mbetën të plagosur dhjetëra e dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit, duke përfshirë dhe drejtues të lartë të saj. Për pesë orë, selia e Këshillit të Ministrave u mbajt e rrethuar nga qindra huliganë e banditë të pajisur jo vetëm me mjete të forta tashmë, por siç është evidentuar, jo vetëm nga veprimtaria e Policisë por dhe nga mediat, të armatosur me lëndë plasëse, bomba molotov, armë zjarri si dhe mjete të tjera goditëse. Nga informacionet paraprake dhe analiza që vazhdon t’i bëhet ngjarjes nga Policia e Shtetit, u identifikuan 10 deri në 15 grupe pesëvetëshe, të cilët, sipas analizës paraprake, rezultojnë të mirëorganizuar, të trajnuar, në raste të veçanta të droguar me drogë sintetike dhe me detyra specifike, të cilat jepeshin me linja të qarta komande, kontrolli dhe komunikimi në sheshin përballë selisë së Këshillit të Ministrave dhe nga çka rezulton të jetë qendra e kontrollit të veprimit apo shtabi i sulmit, i cili vepronte në ndërtesën përballë selisë së Këshillit të Ministrave, e njohur ndryshe dhe si “Dy kullat”. Në mesin e turmës spikasin një grup personash me precedentë penalë, të armatosur me armë zjarri dhe lëndë plasëse, persona të dënuar më parë për veprime të dhunshme, duke përfshirë dhe krime të kryera me armë zjarri në periudhën 1997-2011. Dua të ndalem në natyrën e paramenduar të dhunës së ushtruar në datën 21 Janar. Dua të ndalem në thirrjet e bëra veçanërisht 10 ditët përpara dhunës së 21 Janarit. Thirrje të drejtuara nga personat politikë më të lartë të subjektit Partia Socialiste dhe aleatëve të saj. Thirrje për t’u ngritur mbi rendin kushtetues, thirrje që kryeministri Berisha duhet të pranojë një zgjidhje politike, ose do të ecë mbi të vdekur. “Do ta shihni se çfarë do ju bëjmë më datë 21” – thirrje këto të bëra nga platformat e Parlamentit Shqiptar, por edhe nga informacionet e mbledhura nga Policia, përpara datës 21 Janar, ku persona me pozita të veçanta në linjat e komunikimit midis udhëheqjes së kësaj përpjekjeje të dhunshme për të marrë institucionet e vendit dhe ushtarëve, banditëve që ekzekutuan këtë përpjekje të dhunshme në datën 21 Janar, janë shprehur se më 21 do të djegim Këshillin e Ministrave, se më 21 do të marrë fund Kryeministri.
Policia e Shtetit në mënyrë operative mblodhi dhe grumbulloi informacione të shumta, të cilat sugjeronin se në datën 21 Janar do të kishte skenarë të ndryshëm, të cilët të gjithë konvergonin në një pikë të vetme: provokimin e forcave të Rendit dhe justifikimin e dhunës mbi ta dhe mbi institucionin që ata mbronin. Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e selisë së Këshillit të Ministrave, pas nxjerrjes jashtë loje të efektivave të Rendit dhe të Gardës së Republikës dhe objekti dytësor, në pamundësi të marrjes së selisë së Këshillit të Ministrave me forcë, ishte shkaktimi i paevitueshëm i viktimave dhe përdorimi i tyre si kazus për të vazhduar përshkallëzimin e dhunës dhe veprimeve kriminale. Me qëllim shkaktimin në vend të një gjendjeje anarkie, për të justifikuar rrëzimin e kësaj qeverie të zgjedhur, zëvendësimin e saj me një tjetër, kombinuar kjo me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Fakti se pas ndalimit të dhjetëra e dhjetëra të ndaluarve u janë gjetur shuma të konsiderueshme në xhepa, në vlerë 20 mijë lekë, kryesisht në prerje Euro, vërteton se grupi që mori pjesë në goditjen e selisë së Këshillit të Ministrave ishte një grup i paguar.
Urdhër-ndalimet për Gardën
Në orën 01:30, kryetari i PS-së, Edi Rama, mbajti një konferencë për shtyp, ku kërkoi që të nesërmen të protestohej kundër horrave të Gardës. Drejtori i Përgjithshëm më informoi se në dhomën Operative të Policisë së Shtetit, në orën 06:15 minuta, e kanë informuar se Dhoma Operative e Policisë së Shtetit disponon 6 urdhër-ndalime të Prokurorisë për punonjës të Gardës së Republikës. Në orën 06:30 minuta, më njoftoi se urdhër-ndalimet ishin për komandantin e Gardës dhe 5 komandantët operativë të 5 Njësive të Gardës, pra për të gjithë zinxhirin komandues operativ të Gardës së Republikës. Eliminimi i Komandës operative të Gardës do të thoshte dhe do të thotë, jo vetëm në atë situatë, demoralizim i plotë i të gjithë efektivit dhe është një sinjal i qartë që u çohet punonjësve të Gardës dhe të Policisë. Prita orën 08:00 të mëngjesit dhe pak minuta pas kësaj ore, komunikoj në linjë telefonike me Kryeprokuroren. I shpjegova situatën, shqetësimin tim dhe i thashë që kjo është një situatë potencialisht eksplozive, e cila mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës, duke nxjerrë jashtë funksionit pjesë të tëra të Gardës së Republikës dhe duke lëshuar sinjale demoralizuese për efektivët e Policisë së Shtetit. I kërkova sqarime, duke i thënë se në asnjë skenë tjetër nën hetim, nuk ka pasur kaq shumë kamera, duke i thënë se hetimi balistik kishte të gjitha gjasat të përfundonte me sukses, armët e përdorur nga Garda ishin të gjitha në funksion të Prokurorisë, të gjithë urdhrat e dhënë në operacion, si nga Garda dhe nga Policia, janë të regjistruar në Qendrat Operative të tyre dhe se ishte e pajustifikuar dhe e dëmshme që e gjithë komanda operative të ndalohej. Prokurorja e Përgjithshme më informoi se do të merrte kontakt me prokurorët e çështjes dhe do të lidheshim përsëri. 50 minuta më vonë, më mori në telefon dhe në një bisedë relativisht të shkurtër më komunikoi se duhet të pyeteshin, secili prej tyre. I thashë që secili prej tyre është në dispozicion të pyetet, por ndalimi i tyre në këtë situatë, kur ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhi, sepse është paralajmëruar një demonstratë tjetër, është absolutisht i dëmshëm për veprimtarinë e Gardës dhe në dukje i panevojshëm, sepse të gjithë komandantët ishin dhe vazhdojnë të jenë në krye të detyrës. I thashë se rreziku i arratisjes së tyre, siç shkruhej në shkresën që i ishte dërguar Policisë së Shtetit, faktikisht nuk mund të mbivlerësohej në një situatë të tillë. Pas kësaj informova Kryeministrin e vendit dhe kërkova një takim me Presidentin e Republikës, të cilin e vura në dijeni mbi këtë çështje, por dhe mbi çështjen tjetër të mosardhjes së informacionit nga Shërbimi Informativ mbi ngjarjet e një dite më parë. Rreth orës 12:00, i mbetur pa asnjë përgjigje për këtë kërkesë, u detyrova të kontaktoj 4 ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik të shteteve anëtare të NATO-s dhe t’i informoj ata mbi situatën, si dhe t’u kërkoj mendimin e tyre mbi këtë çështje. Në mënyrë unanime dhe me konsensues të plotë, më thanë se kërkesa vetëm disa orë pas ngjarjes dhe disa orë pas deklaratës së Edi Ramës për një protestë kundër horrave të Gardës, duket të paktën e nxituar dhe se ndajnë plotësisht shqetësimin mbi efektin që kjo do të kishte mbi strukturat e Gardës dhe forcave të Rendit dhe përfundimisht mbi efektin që kjo situatë do të kishte mbi sigurinë e Rendit në vend. Pas disa përpjekjesh dhe pas vendimit të qeverisë të SHBA-ve për të ndihmuar fillimisht me ekspertë dhe më pas me prokurorë hetimin e plotë të 21 Janarit, u kërkua mundësia e një rrugë-daljeje përsa i përket marrjes në pyetje të 6 komandantëve operativë të Gardës, mundësi për të cilën ne ramë dakord menjëherë. U ra dakord dhe me ndërmjetësimin e një vendi partner në NATO, që të 6 komandantët të pyeteshin dhe të riktheheshin në detyrat e tyre. Pavarësisht paraqitjes së 6 komandantëve dhe qëndrimit të tyre mbi 5 orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, pala tjetër refuzoi të marrë deklaratat me shkrim dhe insistoi në ndalimin e pjesshëm. Kjo ndodhi një natë përpara protestës së njoftuar të 28 Janarit.
Në ngjarjen e datës 21 Janar dhe gjatë sulmit 5-orësh mbi Kryeministrinë humbën jetën 3 demonstrues. Ju personalisht apo drejtues të tjerë të policisë, a keni pasur dijeni për viktimat nga ora 13:30 deri në orën 18:30? Në çfarë ore jeni informuar për viktimat? Informacionin e parë e kam marrë rreth orës 17:00 nga drejtori i Policisë së Tiranës. Ai më informoi se në spital kishte një viktimë. E pyeta nëse kishte dijeni për identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes së tij. Ky informacion nuk më ka ardhur deri 30 minuta më vonë. Kjo për arsye se deri në atë çast nuk disponohej ky informacion dhe u dërguan efektiva të policisë për të verifikuar. Së dyti, komunikimi nuk ka qenë normal, për shkak të teknikës dhe mbingarkesës së celularëve. Pra, në atë moment jam informuar vetëm për një viktimë, më pas kam pasur informacione për pesë viktima dhe jam informuar vetëm rreth orës 18:30 për tri viktima me armë zjarri dhe një të plagosur në gjendje të rëndë. Po kështu, jam informuar nga drejtues së lartë të policisë se i kanë kërkuar Prokurorisë të nisë hetimin dhe se policia nuk do të merrte pjesë në hetim, përveçse do ta mbështeste atë nëpërmjet ekspertëve. Po atë natë, Kryeministri i ka bërë thirrje Prokurorisë të zbardhë rrethanat e vdekjes së tri viktimave.
Zoti ministër, nga informacionet që kanë dhënë media të ndryshme, në datën 21 janar, pjesëmarrës në demonstratë kanë qenë edhe policë të policisë bashkiake Tiranë. Duke patur parasysh se policia bashkiake është e pajisur me armë zjarri, dua të di reagimin e institucionit tuaj ndaj këtij veprimi të policisë bashkiake.
Policia bashkiake e Tiranës dhe pjesëtarë të policive të bashkive të qeverisura nga PS-ja kanë qenë të pranishëm më 21 Janar, janë evidentuar aty dhe kjo do të mjaftonte të hynte në veprim ligji, që ua ndalon atyre të jenë të pranishëm Ata e kanë të ndaluar të jenë të pranishëm në aktivitete politike, por, sipas tyre, ky nuk ishte një aktivitet politik. Pra, nëse do vazhdojmë t’i qëndrojmë logjikës së absurdit, ata nuk ishin për të mbështetur një aktivitet politik, por një përpjekje të dhunshme, për të rrëzuar një institucion. Vazhdon evidentimi i çdo pjesëtari të këtyre policive, për t’i vënë përpara përgjegjësisë penale, ndërkohë, nga ana organizative, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka revokuar lejet e armëve për një numër policish bashkiake, duke filluar me atë të Tiranës.
Dhuna në demonstratë ishte paralajmëruar, u trokit edhe në dyert e qytetarëve, u paralajmërua edhe nga Edi Rama në media të ndryshme. Demonstruesit nuk hodhën asnjë parullë politike, por për 5 orë rresht u rrethua Kryeministria, u sulmua me të gjitha mjetet e mundshme. Si ka mundësi që gjithë kjo dhunë dhe, në këndvështrimin tuaj, Prokuroria e shtetit nuk ka hapur çështje penale për kryengritje të armatosur?
Si ministër, ju garantoj se policia ka bërë referimin në Prokurori për thirrje për përmbysje të rendit kushtetues dhe ka dhënë në evidencë pamje filmike të Edi Ramës dhe të tjerëve, ku evidentohen thirrje për përdorim dhune. Ndërsa në lidhje me faktin pse Prokuroria nuk e hap çështjen, përgjigjja ime është njësoj si pyetja: Përse prokuroria nuk e hap çështjen? Shpresoj që juve t’ju jepet mundësia ta shtroni këtë pyetje.
Më 21 Janar u sulmua Kryeministria për 5 orë. Ju në detyrën e ministrit të Brendshëm, gjatë 5 orëve rrethim, a keni pasur ndërlidhje apo komunikim në lidhje me këtë situatë nga Presidenti i Republikës?
Gjatë rrethimit 5 orësh unë kam pasur komunikim jo vetëm me stafin e Policisë së Shtetit dhe Gardës, por edhe me persona të tjerë. Rreth orës 16:00 kam patur një thirrje telefonike me një prej ambasadorëve, i cili pasi ka kërkuar informacion dhe pasi është informuar se perimetri i jashtëm i godinës ishte thyer për shkak të dhunës së ushtruar ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, më është sugjeruar nëse mund të kisha mbështetje nga ndonjë forcë tjetër, që perimetri të mos thyhej dhe për këtë më është sugjeruar që mund ta bënin Forcat e Armatosura. Kam vënë në dijeni për këtë Kryeministrin, i cili më ka thënë se në këto kushte Forcat e Armatosura nuk mund të hyjnë në veprim, sepse kjo kërkon një kuadër ligjor. Pak më vonë, më ka marrë në telefon Presidenti i Republikës, e kam informuar për situatën jashtëzakonisht të rëndë, e kam informuar se nga momenti në moment prisja që të thyhej perimetri i sigurisë së Kryeministrisë dhe e kam informuar se ambasadori në fjalë më sugjeroi, ose më këshilloi, apo pyeti, nëse në këtë moment mund të kishte ndonjë forcë tjetër që të siguronte që perimetri të mos thyhej. Presidenti m’u përgjigj që ka një kuadër institucional që duhet të ndiqet. Pastaj kam bërë një lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ministri më ka qartësuar se këto forca mund të hyjnë në veprim vetëm në rrethana të caktuara ligjore, të cilat në atë çast nuk ishin deklaruar. Kjo është biseda e vetme që unë kam bërë me Presidentin e Republikës gjatë rrethimit.
A keni marrë mesazh nga Presidenti për këtë situatë? Pra, çfarë përgjigje keni marrë nga Presidenti?
Besoj se e përshkova në tërësi bisedën me Presidentin.
Zoti ministër, mund të na thoni gjenezën e të gjithë informacionit, me atë që konkludoi me atë që pamë më 21 Janar. A keni ju nga informacionet tuaja të dhënë paraprake dhe sa kohë më parë se data 21 i keni pasur këto të dhëna?
Policia ka mbledhur në rrugë operative të dhëna që kanë qenë të detajuara mbi mundësinë reale të përdorimit të dhunës gjatë 21 Janarit. Disa prej të dhënave kanë sugjeruar mbledhje armatimi luftarak, për një sulm të armatosur ndaj selisë së Këshillit të Ministrave. Disa prej të dhënave kanë sugjeruar një protestë të tejzgjatur disaditore, disa të dhëna kanë sugjeruar një listë personash të përgatitur për të sulmuar, përpjekje për të hapur panik, anarki dhe kaos kudo. Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur nga policia e shtetit në qarqe dhe në Tiranë. Ato janë administruar sipas ligjit dhe do t’u vihen në dispozicion. Ministria e Brendshme nuk ka shërbim inteligjent. Ministria ka ShKB-në, që është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit në radhët e policisë. Në veprimtarinë e tij, ShKB përdor metoda të ngjashme me ato të shërbimeve inteligjente. Në kursin e kësaj veprimtarie operative, ka pasur informacione që janë interceptuar nga veprimtaria e ShKB-së.
Çfarë do të kishte ndodhur, në qoftë se nuk do të kishte qëndruar Policia e Shtetit dhe Garda, që i bëri ballë këtij agresioni?
Me afrimin e muzgut, ne morëm informacione se me rënien e errësirës do të përdoreshin armë dhe do të goditej godina me armë zjarri të rënda, kallashnikov. Në ditët në vazhdim, ky informacion është konfirmuar nga burime të ndryshme në rrugë operative. Pra, ishte e qartë për ne se faza e fundit të rrethimit planifikonte goditje me armë. Se çfarë do ndodhte, pasi banditët do merrnin në kontroll selinë e Këshillit të Ministrave, unë këtë nuk mund ta parashikoj. E vetmja gjë që mund të them është se rënia e KM, do të ishte rënia e shtetit. Ju kujtoj këtu se policia ka qenë në gjendje diku rreth verës së këtij viti, të sekuestrojë një sasi të madhe dhe eksplozivësh në qarkun e Lezhës, të cilat ndonëse ishte sasi e madhe, një depo armatimi, ndoshta edhe kjo ishte rastësi, por kudo gjendeshin flamuj dhe simbole të tjera të PS-së. Kjo dhe indicie të tjera na çuan të mendojmë se mund të ketë kontingjente kriminale prej disa muajsh, të cilët mund të përgatiten për t’iu bashkangjitur një aksioni parapolitik të PS-së, në formën e akteve të dhunshme. Këto kanë qenë vetëm indicie dhe bazuar mbi aktivitetin ilegal të këtyre individëve është kërkuar përgjimi parandalues, që në disa raste është refuzuar.
Si e keni konsideruar hetimin e bërë dhe të iniciuar nga Prokuroria?
Përsa i përket hetimit, ju thashë se jam njoftuar me telefon nga policia se Prokuroria ka marrë përsipër hetimin. Nuk ka pasur delegim nga Prokuroria, të asnjë veprimi për policinë kriminale. Ka patur disa veprime, të cilat më vonë janë konsideruar të pajustifikueshme nga oficerë të policisë kriminale. Si për shembull, administrimi i plumbave të viktimave nga prokurorët, të cilët i kanë marrë dhe futur në xhep. Marrja e rrobave dhe kyçja e tyre në një kasafortë speciale vetëm me çelësin e prokurorit.
Më falni, edhe njëherë, zoti ministër, po thoni që prokurorët kanë marrë provat dhe i kanë futur në xhep?
Unë nuk jam burim i këtij informacioni, por më është raportuar nga Policia e Shtetit, persona që janë të gatshëm të japin dëshminë e tyre, me shkrim ose para jush. Më është thënë se prokurorët kanë administruar predhat e gjetura në trupat e viktimave, gjithsej dy predha janë gjetur. Në të dy rastet, predhat janë futur në xhep nga prokurori. Gjithashtu, rrobat që janë shumë të rëndësishme për analizën balistike, janë marrë dhe janë kyçur prej prokurorit. Nuk e paragjykoj, nuk e di, nëse bëhet fjalë për standard profesional, por me aq njohuri sa kam e di që predhat nuk duhet të futen në xhep. Nuk e kuptoj se pse provat nuk i janë nënshtruar ekzaminimit rutinë me trupat e viktimave. Megjithatë, garantoj se ekspertët kriminalistikë të policisë janë dhe do të jenë në dispozicion të plotë të hetimit.