E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikanët e huaj, jo më pastrim parash në Shqipëri

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-02-2011 12:04

Politikanët e huaj, të cilët do të kryejnë transaksione financiare në vendin tonë, do të kontrollohen në mënyrë specifike. Vigjilenca e zgjeruar ndaj këtyre transaksioneve, pjesë e ndryshimeve në ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave, synon që vendi ynë të mos jetë tranzit pastrimi parash.

Të gjithë personat politikë të huaj, jorezidentë në Shqipëri, që do të synojnë të kenë marrëdhënie transaksionesh me institucionet financiare në vendin tonë, do të kontrollohen në një mënyrë specifike, ndryshe nga e zakonshmja. Kjo parashikohet në projektligjin për “Parandalimin e Pastrimit të Parave”. Komisioni Kuvendor i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës projektligjin ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9917 të datës 19.5.2008, Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe financimit të Terrorizmit”. Në këtë mënyrë, kuvendi po miraton prej më shumë se një jave projektligje të rëndësishme pa praninë e opozitës. Projektligjet kalojnë qetësisht dhe pa debate vetëm me votat e shumicës. Ndryshimi që u bë në projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, synon të kontrollojë me vigjilencë të zgjeruar çdo transaksion që bëhet në subjektet financiare të licencuara, nga Banka e Shqipërisë të personave jorezident (të huaj) në vendin tonë, që janë të ekspozuar politikisht si kryetar shteti ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore dhe zyrtarë të rëndësishëm të partive politike. Në subjektet që i nënshtrohen ligjit janë shtuar profesionet e lira në fushën financiare, agjentët e pasurive të paluajtshme dhe agjencitë e këmbimit valutorë. Kështu do të sigurohet që në vend të mos hyjnë para të pista. Personat e mbuluar nga ligji do të raportojnë në një format tjetër nga ai i zakonshmi. Ndryshimet në ligjin në fjalë parashikojnë gjithashtu, se nëqoftëse subjektet e licencuara nga BSH, do të hyjnë në biznes me personat e ekspozuar politikisht, ata duhet të hartojnë dhe zbatojnë sisteme efektive të menaxhimit të riskut, për të përcaktuan nëse një klient ekzistues apo potencial, ose pronari përfitues, është person i ekspozuar politikisht. Në të njëjtën kohë, sipas ndryshimeve në këtë ligj, duhet marrë miratimi i drejtuesve të lartë, për vazhdimin e marrëdhënies së biznesit me personat të përfshirë në politikë. Gjithashtu, ligji parashikon marrjen e masave të ndryshme, për të kuptuar burimin e pasurisë dhe të fondeve të klientëve të pronarëve përfitues, të identifikuar si persona të ekspozuar politikisht. Pjesë e ligjit janë edhe personat e tretë të angazhuar për të kryer transaksione financiare, për llogari të të afërmve. Duke iu referuar ligjit, për klientët ekzistues, subjektet financiare duhet të zbatojnë masat për vigjilencë e duhur (të zakonshme) ndaj klientit, bazuar në prova, fakte dhe rrezikun. Në të njëjtën kohë, nëse subjektet nuk mund të zbatojnë detyrimin e vigjilencës së zgjeruar të përshkruar në ligj, ata nuk duhet të hapin llogari, të fillojnë një marrëdhënie biznesi, apo të kryejnë transaksion dhe gjithashtu duhet të dërgojnë tek autoriteti përgjegjës një raport të veprimtarisë së dyshimtë. Ligji parashikon që librat dhe regjistrat e raporteve, për transaksionet në fjalë, do të ruhen në një afat kohor deri në 5 vjet. Përgjegjëse për analizën e raporteve nga subjektet është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›