Basha: Tirana, mundësia më e mirë për të investuar
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë. Duke shprehur falenderimet dhe mirënjohjen për rolin e madh që ata kanë luajtur në forcimin e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me vendet që ata përfaqësojnë, por edhe për mbështetjen që këto shtete i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese, Basha kërkoi nga konsujt një rol aktiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve që ata përfaqësojnë. “Në terma ekonomike, prezenca juaj ka një vlerë të shtuar. Për një kohë të gjatë, me vendet tuaja kemi pasur marrëdhënie për kërkim ndihme dhe asistence, por ne sot shohim mundësinë që vendet tuaja të shikojnë mundësitë ekonomike për të investuar në Shqipëri. Këto mundësi janë më të mëdha në Tiranë”, - u shpreh Basha, ndërsa i ka njohur konsujt me projektet e Bashkisë së Tiranës.