E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi të miratohet në kohë, jo emocione partiake

Presidenti Bamir Topi

TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi, duke i uruar punë të mbarë Komisionit për Reformën Zgjedhore ka kërkuar nga palët miratimin në kohë të kodit zgjedhor, një punë me standarde evropiane, në të mirë të vendit e që të sjellë zgjedhje të pakontestueshme.

Gjatë një prononcimi për mediat pas vizitës në panairin Klik Ekspo Group, Topi ka vlerësuar si një hap shumë pozitiv mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore. E shikoj si sinjal të mirë se nga deklaratat njerëzit janë në punë dhe ku konkretizohet puna është komisioni. Uroj që ndryshe nga herët e tjera komisioni ti mbyllë punët në kohë, se eksperiencat jo të këndshme nga e kaluara kanë treguar që kodi miratohet ditën e fundit. Duke e miratuar në kohë, palët do e  kenë më të thjeshtë për infrastrukturën, zgjedhjet nuk janë për partitë, por për popullin dhe duhet që ai të njihet me ligjin e të shkojmë në zgjedhje që të mos kontestohen më- tha Topi.

Sipas tij, ky është një moment i mirë i nisjes së punës. I uroj sukses dhe uroj që në themel të kenë jo emocionet dhe pozicionet partiake, por të dalin me kod në standardet evropiane- theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›