Promovimi i Shqipërisë, Berisha takon konsujt e Nderit
TIRANË Takimi me 45 konsujt e Nderit të Shqipërisë ka qenë një mundësi më shumë për kryeministrin Sali Berisha që të kërkojë edhe njëherë promovimin e Shqipërisë, me qëllim klasifikimin e saj si vend i zhvilluar. “Është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj. Shqipëria po adopton një politikë të jashtme paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi, si dhe po punon në rajon për integrimin rajonal, si një proces kyç për të kaluar vështirësitë e së kaluarës. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe po bën më të mirën për të përmbushur të gjitha detyrimet. Prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në performancë”, - tha dje Berisha gjatë takimit. Kreu i ekzekutivit theksoi se vendi ynë ka pasur një trashëgimi të vështirë dhe të hidhur përpara, ndërsa sot gjithçka, sipas tij, po ndryshon si në rrafshin ekonomik, infrastrukturor ashtu edhe turistik. “Ne po punojmë për ta ndryshuar vendin. Shqipëria ka pasur, mendoj, infrastrukturën më të keqe që mund të ekzistonte. Në fillim të vitit 2006, në rrjetin rrugor prej 18000 kilometra rrugë, vetëm 2430 kilometra ishin të shtruara. Pjesa tjetër ishte thuajse njësoj si në mesjetë. Qeveria ime u angazhua në ndërtimin e një rrjeti të ri rrugësh në vend, bazuar në konceptin, ‘shqiptarët nga çdo kënd i vendit të vijnë në Tiranë’, duke kursyer të paktën më shumë se 60 për qind të kohës. E ndoqëm këtë qëllim dhe tani kemi shtruar më shumë se 9000 kilometra rrugë... Vendi ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Turizmi lulëzoi në vend. Në vitin 2004, Shqipërinë e kanë vizituar gjithsej 300 000 turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin e kaluar ishin gjithsej 3.5 milionë. Këtë vit do të ketë pothuajse 4 milionë vizitorë”, - tha ai.