Dita e Çlirimit, Rama dhe Meta shmangin takimin mes tyre
PS dhe LSI kishin caktuar të njëjtin orar për homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve. Për këtë arsye, Rama ka filluar ceremoninë më herët, me qëllim shmangien qoftë edhe të një përballjeje formale me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.
TIRANË Ceremonia solemne e zhvilluar dje tek Varrezat e Dëshmorëve, Ditën e Çlirimit të vendit, për pak sa nuk ka “bashkuar” kryetarin e opozitës, Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Dy drejtuesit e partive të majta që zhvillojnë homazhe çdo 29 Nëntor, kishin parashikuar vendosjen e kurorave me lule në të njëjtin orar, 10:00 e paradites. Kryetari i PS-së, Edi Rama është njoftuar vetëm pak minuta para fillimit zyrtar të ceremonisë për mbërritjen e Metës, ndaj ai është përpjekur që të mbarojë shpejt homazhet duke e nisur ceremoninë më herët nga sa ishte parashikuar. Ai ka zhvilluar homazhe pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, ndërsa ka theksuar më pas për mediat se, çdo kush që përpiqet të vërë dorë mbi këtë ditë të patjetërsueshme në histori, bëhet qesharak dhe njolloset me turp: “Gëzuar Ditën e Çlirimit të vendit, 29 Nëntorin! Ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit mbi të keqen. Ditën që iu kujton të gjithë shqiptarëve se në orët e këqija të historisë, paraardhësit tanë, veteranët e luftës u vendosën në anën e duhur të historisë. Ditën që e bashkon Shqipërinë me forcat e lirisë dhe të demokracisë. Ditën që askush nuk mund ta fshijë as nga kujtesa, as nga librat e historisë. Dhe ditën, që e bën qesharak dhe me turp këdo që përpiqet të vërë dorë mbi të“, - tha Rama, i cili më pas vijoi disa takime spontane me veteranë të luftës. Menjëherë pas largimit të Ramës, një ceremoni tjetër u mbajt nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe pse kanë shmangur me takt qoftë edhe një takim formal mes tyre, Meta dhe Rama kishin të paktën të njëjtin mendim sa i përket Ditës së Çlirimit. Edhe Meta është shprehur se emocionet politike, historia nuk mund t’i tolerojë. “...Ne mendojmë dhe besojmë që datën e atyre që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjeneratat e mëvonshme, aq më tepër partitë politike. Fakti që në mënyrë dërrmuese, shumica e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë zgjedhur 29 nëntorin, tregon më së miri që kjo është Dita e Çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë, sepse nuk i bëjnë mirë as historisë e as politikës. 29 Nëntori është një ditë e madhërishme për popullin dhe për kombin shqiptar”, - tha ai. Duke iu referuar PS-së, (lidhur me festimin e kësaj dite) Meta theksoi se partia që ai drejton, nuk ka komplekse për të vlerësuar të gjithë ata që i kanë bërë nder vetes dhe historisë. “Ne vlerësojmë edhe komunistët shqiptarë, sepse duhet thënë pa frikë dhe pa ndrojtje që peshë kryesore në Luftën e II-të Botërore mbajtën komunistët. Natyrisht që ajo nuk ka qenë një luftë nga populli shqiptar për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Ajo ka qenë një luftë për çlirimin e Shqipërisë, për çlirimin e Atdheut, por në fund të fundit ne duhet të jemi realistë, dhe historia nuk i toleron emocionet e nuk bëhet çdo ditë apo çdo 4 vjet”, - tha ai.