E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kodi të miratohet në kohë, jo emocione partiake

Presidenti Bamir Topi e ka cilësuar si një sinjal pozitiv mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore. Në një prononcim për mediat kreu i shtetit, kërkoi nga palët që ta miratojnë në kohë kodin zgjedhor dhe të zhvillojnë një punë me standarde evropiane, në të mirë të vendit e që të sjellë zgjedhje të pakontestueshme.
 

“E shikoj si sinjal të mirë se nga deklaratat njerëzit janë në punë dhe ku konkretizohet puna është komisioni. Uroj që ndryshe nga herët e tjera komisioni t’i mbyllë punët në kohë, se eksperiencat jo të këndshme nga e kaluara kanë treguar që kodi miratohet ditën e fundit. Duke e miratuar në kohë, palët do e kenë më të thjeshtë për infrastrukturën, zgjedhjet nuk janë për partitë, por për popullin dhe duhet që ai të njihet me ligjin e të shkojmë në zgjedhje që të mos kontestohen më”- tha Topi.

Sipas tij, ky është një moment i mirë i nisjes së punës. I uroj sukses komisionit dhe uroj që në themel të kenë jo emocionet dhe pozicionet partiake, por të dalin me kod në standardet evropiane”- theksoi ai.

Ndërkohë kreu i shtetit ka ngushëlluar edhe familjen e Leka Zogut I për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre. "Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë" ka theksuar Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›