E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Tirana për frymë, më e varfër se Kashari apo Farka

Lulzim Basha

Të bëjmë një shpërndarje të drejtë dhe të barazvlefshme, jo të barabartë, të të ardhurave për qytetarët tanë. Ndaj duhet ndryshuar sistemi fiskal i pushtetit vendor

TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në cilësinë edhe të kryetarit të Shoqatës së Bashkive, ka nënvizuar sot domosdoshmërinë e një reforme fiskale, e cila do të mundësonte reduktimin e informalitetit, një mbledhje më të mirë të të ardhurave dhe shpërndarje të drejtë të tyre.

Në konferencën e organizuar nga Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, me temë: Mbështetje për zhvillimin vendor, zoti Basha theksoi se në shumë njësi të qeverisjes vendore lejohet informaliteti, duke u klasifikuar si biznese të vogla, edhe ato me xhiro më të madhe se sa ajo e përcaktuar për bizneset e vogla, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë në arkën e bashkisë apo komunës. Domosdoshmërinë e reformës fiskale, zoti Basha e ka bazuar edhe në faktin se, ndonëse Tirana mbledh të ardhura më shumë se të gjithë njësitë e tjera vendore të Shqipërisë të marra së bashku, prapë si përqindje për frymë Tirana është disa herë më e varfër se Kashari, Farka apo të tjera njësi vendore rreth e qark Tiranës dhe një gjë e tillë ndodh edhe në bashki të tjera të mëdha.

Është e domosdoshme të rishikojmë edhe njëherë sistemin aktual fiskal të pushtetit vendor, veçanërisht atë të mbledhjes së taksës së biznesit të vogël. Përvojat e Bashkimit Evropian tregojnë se jo çdo lloj decentralizimi funksionon dhe funksionon mirë për pushtetin vendor ndaj unë dua të bëj sot avokatinë publikisht dhe tu kërkoj edhe në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të gjithë partnerëve tanë, aktorëve të pushtetit lokal, komunave, bashkive, qeverisë qendrore, përfaqësuar këtu nga zv/ministri i pushtetit lokal, z.Poni, partnerëve tanë me përvojë në këtë drejtim, ti futemi një reforme thelbësore për të rishikuar mënyrën se si mblidhen dhe shpërndahen të ardhurat për pushtetin vendor, me qëllim të luftojmë informalitetin pavarësisht nëse ndodhet në prag të hendekut 8 milionë, apo përtej hendekut 12 milionë dhe të bëjmë një shpërndarje të drejtë, të drejtë dhe të barazvlefshme, jo të barabartë, të të ardhurave për qytetarët tanë, pavarësisht se ku jetojnë, të jemi në gjendje që ti investojmë këto të ardhura, në raport me numrin e banorëve që përdorin facilitetet për të cilat ne investojmë, të jemi në gjendje të investojmë në mënyrë të barazvlefshme paratë e taksapaguesve për rrugët dhe jo një rrugë që rrihet nga 2000 qytetarë në ditë, të marrë të njëjtin investim si një rrugë që rrihet nga 20 mijë apo 30 a 40 mijë qytetarë në ditë, tha Basha në takim.       /M.A./

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›