E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Transparencë e plotë e zgjedhjeve, të mos fshihen zullumqarët e krimit

23-07-2013 / Gazeta 55

Kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha: “Demokratët po bëjnë historinë – përçuan vlerat themelore të demokracisë”


Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka votuar dje në qendrën e votimit, të ngritur në ambientet e selisë qendrore të PD. Zoti Basha ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë anëtarët dhe militantët e PD, që u angazhuan në një proces të vërtetë dhe historik për zgjedhjen e kryetarit, me parimin “një anëtar - një votë”. “Dua të shpreh një falënderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD, për pjesëmarrjen gjatë gjithë këtyre ditëve dhe javëve të kaluara, në këtë proces të pashoq në historinë e pluralizmit, procesi i parë i vërtetë, jo fals i zgjedhjes së kryetarit të një partie politike dhe në këtë rast i partisë më të madhe në vend, me parimin një anëtar-një votë. Dua t’i falënderoj për shpirtin demokrat, vlerat pozitive të këtij shpirti që lartësohet nga idealet dhe aspiratat e themeluesve tanë, që mori vlera gjatë qëndresës sonë, që merr vlera edhe sot dhe i përçon këto vlera, anembanë shoqërisë shqiptare. Këto vlera i përçon edhe në politikën shqiptare, duke u treguar kundërshtarëve tanë politikë, duke demonstruar para çdo qytetari shqiptar atë që ne dimë të mbrojmë më mirë se kushdo tjetër, vlerat e demokracisë, vlerat e gjithë pjesëmarrjes, gjithë përfshirjes, vlerat e votës dhe të shprehjes me votë nëpërmjet këtij procesi për një çështje kaq të rëndësishme” - theksoi z. Basha.


Basha apelon për transparencë të plotë për zgjedhjet e 23 qershorit/Zoti Basha e ka konsideruar të turpshme, vjedhjen dhe deformimin e votës nga ana e PS, faktuar tashmë nga hapja e kutive të qarkut të Lezhës dhe tentativën e kryesocialistit për të penguar transparencën e plotë të këtij procesi. “Ky është rasti kur krahasojmë edhe njëherë qartazi identitetin tonë, vlerat tona politike, vlerat që rrezatojnë për shoqërinë shqiptare sot, vlerat mbi të cilat ne kemi ndërtuar trashëgiminë tonë politike me antivlerat e turpshme, me diskreditimin që i bëhet sot vendit, nëpërmjet vjedhjes dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, siç provojnë kutitë e Lezhës. Por akoma më keq ne sot hasim tentativën institucionale të kryesocialistit Rama, për të penguar atë që kërkon sot çdo shqiptar, transparencën e plotë, pa kontestuar rezultatet e konfirmuara, në raport me ligjin dhe Kushtetutën. Askush nuk  mund ti mohoje asnjë shqiptari të shikojë në dritën e diellit se si dhe çfarë ka ndodhur, në rrethanat kur faktorë të krimit të organizuar kanë marrë përsipër mëkatin e pashlyeshëm dhe që nuk mund të jetë kurrë i pandërshkueshëm, të deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo është e palejueshme, e patolerueshme në çdo realitet, edhe në realitetet e largëta të vendeve të tranzicionit apo të sapodala nga diktaturat. Kjo është e papranueshme, këtu në mes të Evropës”- tha ai. Sipas zotit Basha, kjo është një çështje që i përket çdo shqiptari  dhe nuk mund të shkelmohet, për të fshehur aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe  ngurrimit të pafalshëm të saj, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë. “Unë personalisht, si anëtar i PD sot, si demokrat, i bëj thirrje PD, anëtarësisë sonë, mbështetësve tanë, të gjithë qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë fort në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm një çështje e PD, është çështje e identitetit tonë si shqiptarë, si qytetarë të lirë, është çështje e identitetit tonë si evropianë. Ne nuk mund të shkelmojmë asnjë nga këto identitete, për të favorizuar apo fshehur zullumqarët e krimit, për të fshehur apo favorizuar aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe kryesocialistit Rama, në raport me një numër jo të vogël qendrash votimi, më datë 23 qershor  dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm të PS, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë” – përfundoi z. Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›