Lulzim Basha, kreu ri i PD-së, Berisha:Basha, historia e suksesit të të riut shqiptar
Lulzim Basha zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike. Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit rezultoi se Basha ka fituar 80.38 përqind të votave të anëtarësisë së PD-së ndërsa vetëm 19.61 % të votave kanë shkuar në favor të kandidatit tjetër Sokol Olldashi.
Menjëherë pas zyrtarizimit të fitores së tij, Basha ka zhvilluar një takim me kreun e qeverisë Sali Berisha në kryeministri.
Kryetari i dorëhequr i PD-së Sali Berisha ka uruar pasuesin e tij, Lulzim Basha për fitoren në këto zgjedhje, duke e vlerësuar atë si një histori suksesi të të riut shqiptar, që i ka bërë shërbime të çmuara PD-së, vendit e kombit.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha ka vlerësuar fitoren e Bashës me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD-së ndërsa ka shtuar se në udhëheqjen e tij, Partia Demokratike do të ketë një fillim të ri të fuqishëm.
Të dashur miq, ju ftoj të urojmë të gjithë së bashku sukseset më të mëdha kryetarit të ri të PD, z.Lulzim Basha, i cili u zgjodh dje me një mbështetje plebishitare nga anëtarësia e PD. Lulzim Basha është historia e suksesit të të riut shqiptar në liri dhe që i ka bërë shërbime të çmuara PD, vendit dhe kombit të tij. Ju ftoj të punojmë fort e me përkushtim nën udhëheqjen e liderit tonë për një fillim të ri e të fuqishëm të PD, vendimtar për fitoren e ardhshme të saj, integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë! shkruan Berisha.
Ndërkohë mësohet se Berisha do të dalë në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike në orën 12:00.
Pollo uron Bashën për fitoren

Më herët ka qënë ministri i inovacionit Genc Pollo i cili përmes Facebook-ut i ka uruar i pari fitoren kreut të ri të Partisë DemokratikeLulzim Basha.
Urime Lul Bashës, kryetar i porsazgjedhur i Partisë Demokratike. Fat të mbarë e sukses të shpejtë ka shkrua Pollo në profilin e tij.
Dje probleme gjatë votimit
Në zgjedhjet e djeshme për lidershipin e ri të Partisë Demokratike votuan më shumë se 41 mijë anëtarë të kësaj force politike ndërsa procesi i votimit u shoqërua me disa probleme, kryesisht me mungesa në lista të anëtarëve të partisë që mbetën pa votuar.
Që në orët e para të votimit në Partinë Demokratike në shumë qytete u shfaq problemi i listave të anëtarëve, ku ishin të shumtë ata që u ankuan për faktin se nuk gjenin emrin. Një pjesë ishin anëtarë të vjetër që deklaruan se ishin në radhët e kësaj partie që në momentet e themelimit, të tjerë ishin të rinjë që ishin përfshirë edhe një vit më parë.