E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në PD, leksion si zhvillohet një garë brendapartiake

23-07-2013 / Gazeta 55

Më shumë se 60 përqind e anëtarëve të Partisë Demokratike kanë marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të opozitës. Procesi i paprecedentë ka ofruar leksion për të gjitha partitë, të cilat në 22 vite pluralizëm s’mundën të ofrojnë asnjë shembull tjetër përveç versioneve karikatureske të Namik Dokles apo Maqo Lakrorit. Votimet kanë treguar shpirtin e pjesëmarrjes opozitare, e cila pritet të jetë shumë aktive në sezonin e ri të politikës

Demokratët me kartë anëtarësie votuan dje në çdo qytet të vendit për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike u thirrën për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”, duke shënuar kësisoj një standard të kënaqshëm të paqortueshëm, dhe padyshim një ushtrim regjenerues të lidershipit opozitar. Votimi nisi në orën 8:00, në mëngjes por nuk u mbyll në orën 19:00 ashtu siç parashikonte orari zyrtar. Për shkak të radhëve të gjata deri në orën 20:00 nuk u mbyllur shumë qendra votimi në rrethe. Kjo është dëshmi e interesit të lartë qytetar për të ushtruar një detyrim të lirisë së ndërgjegjes dhe një akt të vullnetit të plotë të zgjedhjes përmes votës. Anëtarët e Partisë Demokratike votuan në 61 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat po numërohen në kryeqytet. Të dy kandidatët, kryetari aktual i Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi para së gjithash nënvizuan nevojën e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë të anëtarësisë në vendimmarrje dhe kjo u vërtetua në shkuarjen masive të demokratëve në zgjedhjet e brendshme. Padyshim, një sipërmarrje serioze kaq madhështore do të kishte defekte teknike, por kjo nuk ciflos asgjë në dëshminë e vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike për të zgjedhur më votë të lirë, të pakontestueshme, një lideri që do ta çojë në betejën e parë me të gjitha parametrat e duhura për të fituar.  
Padyshim Sali Berisha pas dorëheqjes ka vendosur një standard edhe më të lartë në politikën shqiptare, ku pjesëmarrja e anëtarësisë me kartë anëtarësie në votime ishin një shprehje e një qytetarie dhe shpirti të thellë të qenies  demokrat çka i jep leksion edhe kundërshtarit politik që ka përdorur paranë, forcën dhe krimin për të marrë pushtetin. Dhe kjo garë nuk ishte as si gara e Edi Ramës as si e ajo e Ilir Metës. Nuk mund të harrohen akrobacinë e Edi Ramës në ndryshimit brenda ditës të nenit të statusit që i jepte atij të drejtën e kandidimit dhe piruetin infantil që realizoi kur vuri përballë vetes një njeri pa fibër politike si Maqo Lakrori, i pjekur në hijen e kungujve në sqetull. Gjithashtu me këto zgjedhje të brendshme Partia Demokratike sinjalizoi se forca e saj është e pashtershme sepse brenda saj ka energji morale, të cilat në kushtet e reja politike, të pasjes përballë të një kundërshtari të korruptuar dhe  primitive, duhet të hedhë farën e një opozicioni të mençur, pa komplekse, që ngulmon tek politikat e saj për familjen, pronën, biznesin, arsimin dhe lirinë e të drejtave të njeriut. Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Anëtari i PD është sovran i padiskutueshëm. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: në krye të saj PD-ja ka zgjedhur liderin që di të fitojë, liderin që ka dhënë prova se di të fitojë duke përmbysur sondazhe e opinione. Padyshim demokratët  kanë zgjedhur një kryetar që i përket palcës së tyre politike, që ka formimin dhe përgatitjen e nevojshme perëndimore, që ka përvojën ekzekutive në politikën e brendshme dhe të jashtme, në transporte, punë publike dhe qeverisje vendore. Një lider që njeh qeverinë qendrore dhe vendore në majë të gishtave, në mënyrë që të ketë ekspertizën e nevojshme për ndërtimin e një aksioni opozitar që do të rikthejë PD-në pozita për t’i dhënë vendit një marsh më shumë drejt standardeve më të mira demokratike. Ky projeksion legjitim i fitores së ardhshme është nxitja më e mirë për çdo demokrat që të shpresojë dhe të punojë për fitoren sa më shpejt të jetë e mundur, në përballjen e parë elektorale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›