E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Unaza e Madhe do gjenerojë mbi 5 mijë vende pune

TIRANË- Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka deklaruar dje se unaza e madhe do të gjenerojë mbi 5 mijë vende pune. Basha njoftoi se në programin e tij parashikohet mbështetje për ndërtimin e Unazës së Madhe, e cila do të gjenerojë direkt hapjen e mbi 5 mijë vendeve të reja pune. Sipas Bashës, në 4 vjet do të asfaltohet çdo rrugë e Tiranës, do të hapen akse të reja që tani nuk ekzistojnë, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet parkingjeve. “Duke përfaqësuar interesat e çdo qytetari dhe gjithë komunitetit, do bëjmë gjithçka që Unaza e Madhe të jetë një realitet i prekshëm sa më shpejt. Si pjesë e planit tim infrastrukturor për Tiranën, do të fillojë hapja e akseve të tjera rrugore që tani nuk ekzistojnë, bazuar gjithmonë në një plan afatgjatë zhvillimi të qytetit. Brenda 4 vjetësh, të gjitha rrugët e Tiranës do të asfaltohen, do të shtrohen, duke përfshirë edhe trotuaret. Do të ndërtohen të paktën 4 vendparkime të mëdha publike, përmes një bashkëpunimi edhe me sektorin privat...”, tha dje Basha. Në një takim që zhvilloi dje pasdite me banorë të Saukut, Basha garantoi se do të kompensohen me vlerën e tregut për çdo metër tokë, që do t’i shërbejë ndërtimit të veprave publike, siç është Unaza e Madhe. Krahas korpusit të Universitetit të Tiranës, kandidati për Kryetar Bashkie, Lulzim Basha, parashikon dhe ndërtimin e një korpusi për Universitetin Politeknik. Kjo u bë e ditur nga Basha, në bashkëbisedimin me studentë të këtij universiteti. Ai ka ripërsëritur angazhimin e tij për kartën e studentit, mbështetje financiare për studentët e shkëlqyer dhe ata në pamundësi ekonomike, si dhe marrjen parasysh të mendimeve të tyre, por edhe pedagogëve në politikat e zhvillimit të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›