E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Berisha premton: Nuk do të ketë më përmbytje

TIRANË- Ka qenë një ditë e ngjeshur takimesh, ajo e Kryeministrit të vendit Sali Berisha. Kreu i ekzekutivit e ka mbyllur ditën e djeshme, me prezantimin e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lorenc Luka, në Shkodër, ndërkohë që gjatë ditës, Berisha prezantoi edhe kandidatët për Bashkinë e Laçit, Librazhdit dhe komunës Qendër Librazhd. “Këto 4 vite, ne do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të veriut e më gjerë. Këto 4 vite, bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja, të mëdha. Këto 4 vite, sëbashku do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore. Shkodra do të ketë By pass-in e saj, do të ketë mbrojtjen e saj njëherë e përgjithmonë”, - tha mbrëmë Berisha në Shkodër. Pas përshëndetjes së futbollistit të kombëtares, Hamdi Salihi, Berisha, duke iu referuar pikërisht këtij të fundit, tha se golin tjetër do ta shënojë ai me fitoren e këtyre zgjedhjeve. “Le të përshëndesim me një duartrokitje Hamdi Salihin. Hamdi, golin tjetër e ka Saliu tjetër. Sëbashku më 8 maj. E thashë, kur u bë goli, u fikën dritat diku aty, në Tiranë”, - tha Berisha. Më herët, Kryeministri Sali Berisha ishte në qytetin e Laçit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Bardhi Rica. Së bashku me këtë të fundit, Berisha premtoi se së shpejti do të nisin punimet për Landfill-in, në mënyrë që Laçi të jetë një nga zonat më të pasura në Shqipëri, më tërheqëse për turizmin. Kryeministri tha gjithashtu se alternativa tjetër që ofrohet, ajo “e rrugës së vetme”, është një rrugë pa kthim. “Nga Kurbini dua t’i them dy fjalë z.Rama; i nderuar zotëri, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rruga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon”, - tha ai. Berisha mori pjesë edhe në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Librazhd, ku prezantoi kandidatin Shefki Çota për kryetar të Bashkisë së këtij qyteti. Kryeministri Berisha vlerësoi kandidaturën e Shefki Çotës dhe siguroi se në katër vitet që vijnë me të, por edhe me qeveritarët e tjerë vendorë të komunave të Librazhdit, do të punojnë për ta shndërruar Librazhdin një nga rrethet e zhvilluara të Shqipërisë. Berisha ishte dje edhe në komunën Qendër Librazhd, ku prezantoi Firdus Kurtin, si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Berisha tha se gjatë këtyre viteve, në rrethin e Librazhdit është investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste. Kryeministri i siguroi banorët e kësaj zone se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë pemë frutore që do të mbillet, duke synuar dhjetëfishimin e prodhimit të frutave në këtë vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›