E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI në Vlorë, Meta: Motoja jonë punësimi

Vlorë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi dje para simpatizantëve dhe anëtarëve të LSI-së kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Vlorës, Ardian Kollozi. Gjatë fjalës së mbajtur, Meta u shpreh se motivi në të gjitha koalicionet vendore do të mbetet punësimi. “Qytetarët e Vlorës do të shpërfillin arrogancën që kanë pasur këto vite, ndaj jam i bindur se më 8 maj anëtarët dhe simpatizantët e LSI- do të votojnë për një alternativë të së ardhmes për një alternativë e cila do të ketë në vëmendje të parë interesat e qytetarëve vlonjate. Unë i bindur se me zgjedhjen e z. Kollozi si kryebashkiak do të hidhet një hap i rëndësishëm për qeverisjen e këtij qyteti. Ndaj të gjitha votat për Adrian Kollozin dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, në mënyrë që ajo të ketë një përfaqësim sa më të fuqishëm në të gjitha këshillat bashkiake dhe vendore”, - tha dje Meta. Ndërsa vetë kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për kandidat për Kryetar Bashkie, Ardian Kollozi, tha se Vlora do të ndërtohet në bazë të një masterplani, që në konsultë me komunitetin të projektohet në mënyrë definitive Vlora e së ardhmes. “Në këtë projekt tonin ambicioz dhe i hartuar bashkërisht, ne do t’i japim përgjigje të gjithave problemeve që ka Vlora, që janë të shumta dhe të gjithanshme, pastrimi, gjelbërimi, jeta kulturore dhe artistike. Ne kërkojmë që më 8 maj të na jepet shansi që të fitojmë Bashkinë e Vlorës dhe t’i kthejmë dinjitetin, të presim 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ngjarjen tonë të madhe, ditën fatlume të vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve”, - tha Kollozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›