Basha: Vazhdimi i reformave shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e në BE
Ministri i Punëve të Jashtme të Luskemburgut tha sot në Tiranë se "vazhdimi i reformave integruese është shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian", gjatë një konference për shtyp me homologun e tij shqiptar, Lulzim Basha. Z. Asselborn, duke iu referuar vizitës së fundit në Shqipëri në vitin 2006, tha se në atë kohë kishit dy qëllime kryesore: anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. "Luksemburgu së shpejti do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ndërsa, përsa i takon liberalizimit të vizave ju keni filluar të përmbushni kushtet për këtë qëllim me plotësimin e dokumentave biometrike dhe kjo duhet të vlerësohet nga BE, në mënyrë që dhe shqiptarët të shkojnë në Europë lirisht. Vendet tona nuk duhet të hapin vetëm zemrat, por edhe kufijtë", u shpreh ministri Asselborn. "Ju keni filluar të përmbushni kushtet për këtë qëllim me plotësimin e dokumentave biometrike dhe kjo duhet të vlerësohet nga BE, pasi të dyja palët duhet të lëvizin për realizimin e këtij qëlllimi. Sot termi zgjerim nuk është i lehtë, pasi kemi Traktatin e Lisbonës, por ne jemi të vendosur t'i integrojmë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Nuk ka rrugë tjetër dhe kjo është vetëm çështje kohe dhe vullneti politik. Shqipëria ka bërë përparime dhe një ditë do të jetë në BE, duke shpresuar që të ndajmë vlerat dhe avantazhet e mëdha të saj", u shpreh ministri Asselborn. Përsa i takon aplikimit nga Shqipëria për statusin e vendit kandidat në komunitetin europian, ministri luksemburgas tha se "Presidenca çeke e BE-së është shprehur në mbështetje të këtij procesi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse kjo është një përgjegjësi e qeverisë shqiptare, unë do të sugjeroja që vendi juaj të vazhdojë reformat, që mendoj se janë më të rëndësishme, se aplikimi për statusin e kandidatit. Substanca është më e rëndësishme se procedurat", vërejti z. Asselborn. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, zyrtari i lartë luksemburgas u takua me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli etj.