Kartat e identitetit - ecje në kahjen e duhur
Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë dhe afrimi me hapa konkretë i vendit në BE, megjithë pretendimet e opozitës, qartazi duket se po njohin hapa përpara. Nëse do të krahasonim angazhimin qeveritar dhe nivelin e mbajtjes së premtimeve nga kjo qeveri, atëherë do të shihnim se ka realisht një përputhje. Por, jo çdo gjë që të çon drejt suksesit në këtë çështje - siç dihet - varet vetëm nga njëra palë.
Shumëkush pretendon se trajtimi tradicional jo i favorizuar i shqiptarëve - krahasuar me vendet e tjera të rajonit që ndajnë të njejtën problematikë - edhe në këtë çështje është evident. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por sigurisht se një ndjenjë inferioriteti ndër ne, trashëguar që nga koha e komunizmit, është gjithashtu evidente.
Bazuar në një marrëveshje dypalëshe mes BE-së e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, kontigjente të ndryshme të shtetasve tanë, prej më shumë se një viti, nisën të përfitonin procedura më të përshpejtuara dhe fakti është se gjetën disi edhe një masë më të madhe preokupimi e angazhimi nga stafi i ambasadave të huaja në Tiranë. Por duhet pranuar se me kalimin e kohës, shumëçka nisi të rrudhej apo të zbehej e t’ i kthehej ritmeve të mëparshme.
Një vëzhgim nga afër i halleve të qytetarëve apo aplikantëve për vizë në ambasadat e zonës Shengen, të bën të mendosh se në shumë elementë, gjërat kanë mbetur thuajse njësoj si më parë, por shumë të tjerë kanë bërë përpara, padyshim.
Përsa i përket shpejtësisë së trajtimit të aplikimeve, sigurisht se gjermanët mbajnë në këtë aspekt, vendin e parë. Por e njejta gjë nuk mund të thuhet për të tjerët. Ndërkohë që elementët e tjerë, siç janë relativizimi i dokumentacionit të kërkuar për pajisjen me vizë, një normë kjo e zbatuar sigurisht në mënyrë unike në të gjitha amabasadat e huaja, është pëmbushur plotësisht. Pajisja e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit, proces i cili sapo ka nisur, sigurisht se do kontribuojë edhe në këtë çështje, duhet thënë, shumë të ndjeshme për shtetasit tanë. Këtë, më shumë e përforcojnë edhe deklaratat e Kryeministrit Berisha, i cili ka theksuar në mënyrë eksplicite se, ky proces padyshim se e afron vendin tonë më shumë me BE-në, duke vënë në dukje plotësismin e njërit prej kushteve më primare të kërkuara në vazhdimësi nga zyrtarët e BE-së. Shumëkush prej shqiptarëve e lidh procesin e afrimit apo anëtarësimit të vendit tonë në BE, thjesht dhe vetëm me lëvizjen e lirë, pa dashur të thellohet më tej në problematikën, detyrimet apo përfitimet e tjera që lidhen pandashmërisht me këtë proces.
Sigurisht se lehtësimi i lëvizjes së nënshtetasve tanë kthehet kësisoj praktikisht në objektiv primar e kështu do të ndodhë realisht, pasi ai pritet t’ i paraprijë synimit tonë madhor: anëtarësimit në BE.
Por se kur do ndodhë kjo, realisht varet nga shumë faktorë, të cilët, siç e theksuam edhe më lart, nuk varen të gjithë nga ne e qeveria jonë. Nëse do të niseshim nga ajo çka na mësojnë eksperiencat e vendeve të rajonit, mund të themi se ndoshta do të ishte mirë t’ i bashkangjiteshim, apo të ngrinim më këmbë ndonjë iniciativë qytetare për heqjen e plotë të vizave me BE-në për shtetasit shqiptarë, ashtu siç mund të kenë bërë disa grupe rinore e organizata joqeveritare në Maqedoni, Serbi apo Bosnje-Hercegovinë gjatë këtyre viteve të fundit. Sensibilizimi i opinionit publik dhe kërkimi i disa të drejtave të ligjshme – përtej asaj çka ofron politika zyrtare, e cila duhet thënë se shpesh është e shtrënguar t’i përmbahet linjave strikte të angazhimit e detyrimeve të shumanshme përballë faktorit ndërkombëtar e sidomos normave të paracaktuara të Bashkimit Europian - në këtë aspekt mund të kishte qenë një ide e mirë. Por nisur nga zhgënjimi i shpeshtë prej tyre e harta e zgjeruar e NGO-ve në Shqipëri, të cilat rëndom në praktikë dëshmojnë se nuk bëjnë aspak punën për të cilën janë themeluar, ose bëhen vegla e leva ordinere të interesave të caktuara politike ( në Shqipëri, me distancë të qartë me kahje të majtë) edhe mund t’a anashkalonim këtë hap.
Nga ana tjetër, fakt është se praktikat e deritanishme në vendet e rajonit e në vendin tonë lidhur me këtë çështje, na kanë treguar se ky ka qenë një proces i gjatë që do ta njohë shumë shpejt fundin me kahje pozitive. Në rastin e Shqipërisë, megjithë handikapet që dihen, duket se të paktën ora po punon për mirë, pasi zgjedhjet e pritshme dhe suksesi i tyre, do të jenë një pasaportë e mirë për të bërë përpara. Reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat pëfshijnë një seri elementësh, do ta bëjnë me siguri punën e tyre. Vizitat e suksesshme të kreut të ekzekutivit shqiptar, Dr. Sali Berisha në stacionet më të rëndësishme të politikbërjes së BE-së, takimet në kryeqytetet e vendeve mike, premtimet nga fqinjët strategjikë, si dhe angazhimi i strukturave respektive të shtetit, shkojnë në këtë drejtim.
Mendimet pozitiviste, por qartazi neglizhente, se anëtarësimi apo hapat e tjerë që i paraprijnë (përfshirë këtu, sigurisht, edhe lëvizjen apo liberalizimin e lëvizjes drejt BE-së) do të vijnë vetvetiu, si rrjedhojë logjike e si pasojë e kompromisit politik në radhët e anëtarëve të BE-së, duhen hedhur një herë e mirë në koshin e plehrave. Sepse, vetëm përpjekjet konkrete e angazhimi total për përmbushjen e kushteve për anëtarësim, siç është edhe nisja e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti e pasaporta udhëtimi moderne, do të mund të na çonin përpara në përmbushjen e objektivit final e rrjedhimisht se më parë, edhe në heqjen e barrierave për lëvizjen e lirë, një nga shtyllat bazë të funksionimit të vetë BE-së.
Problemet e vëna re me fillimin e këtij procesi, kanë diktuar me të drejtë nevojën e rishikimit të disa aspekteve teknike. Parë në këtë perspektivë, ky proces duhet trajtuar si dinamik e jo statik, ku veç cilësisë - e cila është e garantuar në standardet më të larta teknologjike moderne – shpejtësia, trajtimi selektiv i kategorive shoqërore dhe rishikimi i kostove, duket se janë elementë relativë me kahje gjithnjë e më shumë pozitive në favor të shtetasve shqiptarë.