E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Duro: Marrëveshje për punësim të rregullt edhe me Greqinë

Ministria e Punës, pas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali, është duke hartuar projekt-marrëveshjen në fushën e emigrimit të punës edhe me qeverinë greke. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, pohoi sot se “jemi në proces për nënshkrimin e një marrëveshjeje për punësim të rregullt edhe me Qeverinë greke, me të cilën po vazhdojmë negociimin nëpërmjet Ministrisë sonë të Jashtme”. Tashmë përpjekjet e qeverisë, vijoi Duro, po përqëndrohen në rritjen e interesit komunitar për emigrimin për motive punësimi, duke bashkëpunuar për këtë prioritet edhe me partnerët ndërkombëtarë. Marrëveshja dypalëshe në Fushën e Punës midis Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, e nënshkruar në fund të 2008-s në Tiranë, do të mundësojë forcimin e bashkëpunimin mes dy vendeve për menaxhimin më të mirë të flukseve të punonjësve migrantë në drejtim të të dy shteteve. “Që Marrëveshja të bëhet efiçente në të parashikohet domosdoshmëria e kontakteve mes përfaqësuesve të Palëve, të cilët propozojnë zgjidhje për vështirësitë që mund të hasen në zbatimin praktik të Marrëveshjes. Pra, Marrëveshja nuk është statike”, argumentoi ministri. Sipas tij, Marrëveshja e Punësimit dhe Protokolli i Zbatimit të saj me Italinë do të ndikojë në përcaktimin e kuotave prioritare vjetore për shtetasit shqiptarë që hyjnë për punësim në Itali. “Dhënia e një informacioni të hollësishëm e të detajuar mbi profesionet, sektorët dhe kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit shqiptarë për të punuar në Itali, do të mundësojë për çdo të interesuar informacionin për kohën e aplikimit dhe procedurat”, shpjegoi Duro, sipas të cilit, marrëveshja përcakton mënyrën dhe procedurat që do të mundësojnë përafrimin e kërkesës me ofertën mes tregut italian dhe shqiptar të punës. Për këtë, Ministria italiane e Punës transmeton çdo vit pranë Ministrisë së Punës të Shqipërisë informacion të detajuar mbi profesionet dhe kualifikimet për të cilat ka nevojë tregu italian i punës, si dhe kriteret që duhen përmbushur nga pala shqiptare. Mbi këtë informacion, MPÇSSHB harton listat e kandidatëve potencialë për emigrim dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike ia kalon palës italiane. Përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve bëhet nga punëdhënësi italian. Aktualisht, Shqipëria është një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Europë dhe studiuesit theksojnë se jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Nisur nga ky fakt, politikat migratore të qeverisë shqiptare nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›