E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ide/Koha për fushatë kundër fishekut me “bar miu”

Zoti na ka dhënë një gojë e dy veshë, me dëgjue dy herë e me fol një herë. Kush ka veshë dëgjon këto fjalë. Njeri, është hapur kutija e Pandorës dhe vdekja të kushton pak, prandaj merakosu. Lexo. Tre ditë më parë një mjek toksikolog (zoti K. Stoja), deklaroi qartësisht rrezikun e lartë të shitjes së lirë të helmeve në pazaret dokudo. Prita deri sot në heshtje dhe ndërkohë konsultova shtypin këto tre ditë me pa nëse dikush ishte ngacmuar nga ky alarm. Por pjesa me e madhe e gazetarëve ishin të zënë me idiotësira. Çudi? Aspak. Për një arsye të panjohur, për një shkak që nuk dihet a nuk përcaktohet dot; mund të pyetet përse? Lexues të gazetës. Statistika nuk është një opinion kur bëhet fjalë për mbi 200 janë vetëvrarë me helm (fostoksinë), thënë ndryshe, me bar miu. Duhet ndërhyrë menjëherë në këtë fushatës vdekjes i ditëve tona me një ligj të rreptë sepse  shtimi i rasteve të vetëvrasjeve me helm ose ruralisht me bar miu (fostoksinë) gjatë vitit 2008 ka lidhje drejtpërdrejt me pazarin e zi të lëndëve helmuese në mënyrë të paçertifikuar (ironikisht, pa kartë identiteti), si dhe pastaj afërmendsh me mungesën e një fushate sensibilizimi nga ana e ministrisë përkatëse. Nëse shtiem nëpër mend vitet e shkuara: 1992-2007? E kuptoni lehtë se çka ndodhur. Skandal hipertrofik. Specialisti i sektorit apo repartit të intoksikacionit thonë nën dhëmbë se është e mundshme nëpërmjet Rregullimit ligjor “të volitshëm” në shitjen e lëndëve helmuese uljen e numrit të vetëvrasjeve. Po andej nga inspektorati i ministrisë çfarë bëhet? - më pyeti konfidencialisht. Inspektorët e ministrisë “pak-shëndet”, por për të gjithë, gjymtojnë shpirtin e çdo familje me mos këqyrjen  e statistikave të vdekjeve nëpër spitale. Sepse. Mjafton një kontroll i imët i kartelave të pacientëve të vetëhelmuar ose të helmuar, për të parë se lënda toksike është siguruar në treg të lirë, madje edhe nëpër tregtarë ambulantë, dhe të ftillojnë një raport zyrtar për “emergjencën” që na lemeris. Por më duket se këta bluzat e bardha nuk i zë lemza aspak, kur ne qytetarët i përmendim këto probleme. Që në të vërtetë nuk janë probleme, por vdekje dhe vdekja nuk është një problem derisa nuk të prek ty. Fisheku me bar miu (fostoksinë) është vdekjeprurës ma shumë mbi njerëz sesa zhdukjen e brejtësve apo dhe të insekteve të ndryshme. E pra e shikoni që ka diçka që nuk shkon. E vetmja gjë që shkon në këtë hall është vdekja.
I bëjmë thirrje çdo parlamentari që na përfaqëson dhe ka një sensibilitet qytetar të mobilizohet duke kërkuar një raport sa më parë të autoriteteve përkatëse për këtë “emergjencë të heshtur” që realitivizohet nga koha. Nëse nesër do të lindë dielli në Shqipërinë tonë kjo do të jetë falë njerëzve me vullnet të mirë. Çdo herë që dielli lind tregon diçka nga vetja jonë. Të sendërtohet një komision vigjilence  për ndalimin e tregtimit lirshëm të lëndëve toksike, si dhe nisjen e fushatave sensibilizuese të popullsisë, me qëllim që kjo e fundit mos të gjejë zgjidhje te helmimi. Ndoshta kërkojmë shumë? Them se jo. Sepse. Sigurimi i qytetarëve nëpërmjet parandalimit të një “epidemie vetëvrasjesh të heshtura”, si kjo e helmimeve duhet të jetë qëllimi primar i të deleguarve tanë të odën e demokracisë. Apo duhet ta konsiderojnë veten panafakë? Gërdeci jonë është municioni bar miu. Po u them një lajm që duhet ta dini: një prej fishekëve mban deri në 10 kokrra (fostoksinë). Grupe pazarakësh asnjëherë nuk e servirin këtë helm me kontakt të drejtpërdrejtë në dorë, por kurdoherë brenda disa qeseve të vogla. Njoftimi se edhe helmet e tjera sigurohen nga prodhues artizanalë, çështja bëhet më delikate, madje më e pakontrollueshme. Çmimi është në ofertë; një kokërr bar miu (fostoksinë) kushton deri në 20 lekë të reja. Shikoni me vëmendje, vdekja kushton pak, ngjallja diçka më shumë.
Personalisht, tre muaj më parë m’u shtua kureshtja dhe u nisa drejt pazarit me pa sesi bëhej dhe në çfarë kushte tregtohej helmi “bar miu” (fostoksinë). Çfarë pashë? Në të shumtat e rasteve kam diktuar një fakt, se personi që blen një lëndë toksike nuk e di se ka në dorë një armë vdekjeprurëse. Kur e kupton se është bërë pjesëmarrës i ndonjë pasqyre statistikore, i cili rezulton në listat e vdekjeve vetëhelmuese, d.m.th se kanë helmuar veten me to.
Personalisht jam ndier keq, dy herë keq, sepse kam dy veshë dhe një gojë. Shpjegohem: njëherë duke ditur nga lajmet se këto helme sjellin vdekje njerëzish ma shumë se brejtës, dhe së dyti duke parë se një qytetar blinte një fishek me (fostoksinë) mund t’i afrohesh e t’i thosha që s’po bënte zgjedhjen e duhur. Përpara jush mund të shfajësohem se nuk dalloja dot lehtë një blerës që ka për qëllim të vrasë veten nga një tjetër që do me ekzekutue një mi. Banale, por është e vërtetë.  Unë kam një gojë e ju keni dy veshë. Të dëgjojmë e mendohemi dy herë kur duam të blejmë fishekë me bar miu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›